Lidhje

Ministrat e A-3 në Uashington për bisedime


Ministrat e Mbrojtjes së Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë u takuan sot në Uashington me Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes Robert Gates. Të tria vendet ushqejnë shpresa për një ftesë për antarësim në Nato në takimin e ardhshëm të Aleancës në prill dhe sinjalet nga Uashingtoni janë shumë të rëndësishme në këto përpjekje.

Takimet me zyrtarët e lartë amerikanë, sot si me zotin Gejts edhe me zëvendës Sekretarin e Shtetit, Xhon Negroponte u zhvilluan me dyer të mbyllura. Megjithatë, ne arritëm t’i marrim disa komente Ministrit Mediu, i cili pohon se takimi me Sekretarin Gates u zhvillua në një frymë shumë pozitive. Zoti Mediu kishte marrë nga Sekretari Gates edhe një herë mirënjohjen e Shteteve të Bashkuara për angazhimin e Shqipërisë në Irak dhe Afganistan.

Sekretari Gejts i kishte shprehur gjithashtu përkrahjen që i ofrojnë Shtetet e Bashkuara Shqipërisë në ambicjet e saj për antarësim në Nato. Dy shefat e ushtrisë diskutuan gjithashtu edhe mbi një numër projektesh që do të administrohen përmes Departamentit të Mbrojtjes dhe që synojnë modernizimin e ushtrisë shqiptare, në kuadër të reformave ushtarake.

Po sot paradite, Ministri Mediu zhvilloi një takim edhe me Zëvendës Sekretarin e Shtetit Xhon Negroponte. Pas takimit zoti Mediu tha në komentet për Zërin e Amerikës se kishte marrë nga zoti Negroponte angazhimin se Shtetet e Bashkuara janë plotësisht në favor të antarësimit të Shqipërisë në Nato.

Zëvendës Sekretari i Shtetit kishte vlerësuar përparimin e madh të shënuar nga tre vendet aspirante për antarësim, duke thënë se përvoja e Kartës së Adriatikut do të zbatohej edhe me vende të tjera që synojnë antarësim. Po në bisedën në Departamentin e Shtetit Zëvendës Sekretari Negroponte kishte vlerësuar partneritetin politik dhe ushtarak që ekziston ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Ndërkaq, në kuadër të lindjes së një shteti të ri në Ballkan, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, zoti Negroponte kishte nënvizuar edhe një herë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për këtë shtet, duke thënë se ato janë të angazhuara në përpjekje diplomatike për të inkurajuar edhe vende të tjera ta njohin Kosovën.

Zoti Mediu ka një program të ngjeshur edhe për pasditen. Ai po merr pjesë në këto momente në një diskutim të organizuar nga Këshilli Amerikan Atlantik, me titull Antarësimi në Nato, Erdhi Momenti për Ne. Nëse momenti vërtet ka ardhur për Shqipërinë për antarësim do të vërtetohet në takimin e nivelit të lartë të Natos në prill, por, siç rezultoi edhe nga takimet e fundit të Ministrit Mediu në Uashington, Shqipëria shkon në këtë samit me përkrahjen e plotë të Shteteve të Bashkuara. //rd//

XS
SM
MD
LG