Lidhje

NATO-ja në Kosovën veriore ndërhyn kundër protestuesve serbë


Paqëruajtësit e NATO-s në Kosovën veriore ndërhynë ndërsa serbët dogjën dy postblloqe në shenjë proteste kundër shpalljes së pavarësisë nga Kosova.

Zyrtarë të aleancës perëndimore thanë se rreth një mijë protestues sulmuan postblloqet, duke detyruar evakuimin e policisë së Kosovës e të Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë, më shumë se një mijë të rinj serbë marshuan nëpër zonën e banuar nga serbët në qytetin e ndarë të Mitrovicës, duke këmbëngulur që kjo zonë të mbetet pjesë e Serbisë.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana, u takua në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jaremiç, i bëri thirrje në Vjenë Këshillit të Përhershëm të Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë që të dënojë shpalljen e pavarësisë nga Kosova.

Po sot, presidenti Bush, duke komentuar në Tanzani, e cilësoi pavarësinë e Kosovës si një hap historik, që do të sjellë paqe në Ballkan.

Dje, zoti Bush përshëndeti popullin e Kosovës dhe tha se Shtetet e Bashkuara do të vendosin marrëdhënie diplomatike me shtetin e ri. Serbia e kundërshton me forcë pavarësinë e Kosovës.

Po dje, presidenti serb Boris Tadiç i kërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon ta shpallë të pavlefshme pavarësinë e Kosovës. Anëtarët e Këshillit të Sigurimit, Rusia dhe Kina të cilat kanë të drejtë vetoje, e mbështetën këtë kërkesë duke thënë se kjo lëvizje e njëanëshme e Kosovës do të përbënte një precedent të rrezikshëm për lëvizjet separatiste në mbarë botën. (ze)

XS
SM
MD
LG