Lidhje

SHBA dhe aleatët evropianë njohin zyrtarisht Kosovën


Shtetet e Bashkuara së bashku me aleatët e tyre kryesorë evropianë njohën zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Presidenti Bush tha se mbështet pavarësinë e Kosovës sepse beson që ajo do të sjellë paqe në Ballkan. Presidenti Bush tha sot gjatë vizitës në Tanzani se “historia do të provojë se ky ishte hapi i duhur” për të sjellë paqe në Ballkan. Dje, zoti Bush përshëndeti popullin e Kosovës dhe tha se Shtetet e Bashkuara do të vendosin marrëdhënie diplomatike me shtetin e ri. Serbia e kundërshton me forcë pavarësinë e Kosovës.

Për më se dy vjet Shtetet e Bashkuara e kishin bërë të qartë qëndrimin e tyre lidhur me pavarësinë e Kosovës, megjithë debatet dhe argumentat e ndryshme pro dhe kundër pavarësisë. Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara në mbështetje të pavarësisë së Kosovës arriti kulmin gjatë vizitës së presidentit Bush në Shqipëri, në qershor të vitit të kaluar, kur tha se Kosova duhet të jetë e pavarur.

Që prej atëhere Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet zyrtarëve të ndryshëm, si sekretarja e shtetit Kondoliza Rajs dhe zyrtarë të tjerë të lartë të diplomacisë amerikane, e kanë përsëritur herë pas here këtë qëndrim.

Nga ana tjetër, Rusia, në mbështetje të Serbisë, është shprehur vazhdimisht kundër pavarësisë së Kosovës. Gjatë turneut të tij në Afrikë, presidenti Bush foli specifikisht rreth qëndrimit të Rusisë. Presidenti Bush tha se ia ka bërë të qartë Rusisë për një kohë të gjatë se e mbështet pavarësinë e Kosovës sepse beson që një gjë e tillë është një hap historik drejt paqes.

“Ne kemi punuar nga afër me rusët, ashtu siç kemi vepruar edhe me evropianët dhe vende të tjera lidhur me pavarësinë e Kosovës sepse ne besojmë se ky është hapi i duhur për t’u bërë. Ka mosmarrëveshje, por ne mendojmë, ashtu si edhe shumë vende të tjera, se historia do të provojë që ky është një hap i duhur për të sjellë paqen në Ballkan. Kjo strategji është ndjekur për një kohë të gjatë”.

Duke folur me gazetarët në Tanzani para se të nisej për në Ruandë, presidenti Bush u bëri thirrje shqiptarëve të Kosovës që të respektojnë të drejtat e pakicës serbe.

“Kosova është angazhuar të respektojë standartet më të larta të demokracisë, përfshirë lirinë, tolerancën dhe drejtësinë për qytetarët e të gjitha përkatësive etnike. Këto janë parime që respektojnë dinjitetin e njeriut. Këto janë vlera që Amerika kërkon të gjejë tek një mik dhe së shpejti ne do të vendosim marrëdhënie të plota diplomatike me shtetin e ri të Kosovës”.

Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate do të bashkëpunojnë për të bërë të mundur një kalim të qetë drejt pavarësisë. Gjatë udhëtimit të tij në vendet afrikane, Presidenti Bush e ritheksoi mbështetjen e tij për Kosovën e pavarur. Por ai gjithashtu u zotua se do të punojë me aleatët për të siguruar qëndrueshmërinë.

“Marrim zemër nga fakti që qeveria e Kosovës ka shpallur qartë vullnetin dhe dëshirën për të mbështetur të drejtat e serbëve në Kosovë. Ne besojmë, gjithashtu, se është në interesin e Serbisë, që të rreshtohet krahas vendeve evropiane, dhe populli serb ta dijë, se Amerika është mik i tyre”.

Shtetet e Bashkuara njohën dje zyrtarisht Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur megjithë kundërshtimet e forta të Serbisë, vetëm një ditë pasi Prishtina shpalli pavarësinë nga Serbia. Presidenti Bush e uroi popullin e Kosovës në një letër drejtuar Presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu.

Për një kohë të gjatë, që prej luftës së vitit 1999, Kosova e ka pasur Uashingtonin zyrtar në anën e saj, që nga ndërhyrja 78 ditëshe e NATO-s në Kosovë dhe deri në fund me mbështetjen e pavarësisë dhe njohjen e shtetit të ri të Kosovës. Ndërsa kjo është një mbështetje shumë e rëndësishme nga superfuqia e vetme e botës, autoritetet e Prishtinës janë të vetëdijshme se vetë zhvillimet në Kosovë do të diktojnë të ardhmen e Kosovës e të popullit të saj.

Megjithatë, tani për tani populli i Kosovës, udhëheqësit e saj dhe shqiptarët kudo që janë kanë një arsye të fortë të celebrojnë e të festojnë për një ngjarrje të pritur për një kohë të gjatë. (ze)

XS
SM
MD
LG