Lidhje

Pakistan: Partitë opozitare angazhohen për qeveri të koalicionit


Partia kryesore që mbështet Presidentin pakistanez Pervez Musharraf pranoi humbjen në zgjedhjet e përgjithshme të së hënës. Kryetari i Lidhjes Myslimane Pakistaneze, Chaudry Shujaat Husain tha sot për shtypin se anëtarët e partisë së tij pranojnë rezultatet dhe janë të përgatitur të zënë vendet e opozitës në parlament.

Rezultatet paraprake tregojnë se Partia e Popullit Pakistanez e udhëheqëses së vrarë opozitare Benazir Buto mori pjesën më të madhe të vendeve në parlamentin me 342 vende.

Lidhja Myslimane Pakistaneze e ish-kryeministrit Nawaz Sharif renditet në vend të dytë. Pritet që rezultatet përfundimtare të publikohen sonte. I shoqi i zonjës Buto, Asif Ali Zardari tha se Partia e Popullit Pakistanez nuk do të përpiqej të formonte koalicion me partinë e zotit Sharif. Zoti Zardari tha se nuk ishte i interesuar për të përfshirë partinë e mundur Lidhja Myslimane Pakistaneze në qeverinë e re. Ai dhe zoti Sharif do të takohen të enjten.

Shtetet e Bashkuara thonë se janë të kënaqura me zgjedhjet e së dielës në Pakistan, duke thënë se votimet e sollën aleatin e tyre kundër terrorizmit një hap më pranë rikthimit të plotë të demokracisë.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Tom Casey tha sot se administrata e Presidentit Bush shpreson se të gjitha palët do të bashkëpunojnë për të luftuar terrorizmin. Zoti Casey u bëri thirrje palëve të pranojnë rezultatet, të cilat tregojnë se aleatët politikë të zotit Musharaf u mundën. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Moon vlerësoi zhvillimin paqësor të votimeve, duke shtuar se ndjehej entuziast nga angazhimi i palëve për të respektuar procesin demokratik.

Edhe Afganistani fqinj i përshëndeti votimet në Pakistan, duke thënë se pasqyrojnë vullnetin e popullit. Një zëdhënës i Presidentit Hamid Karzai tha se Afganistani mirëpret bashkëpunimin me qeverinë e re pakistaneze për të luftuar terrorizmin. //rd//

XS
SM
MD
LG