Lidhje

Solana: Misioni i BE-së do të veprojë në të gjithë territorin e Kosovës


Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana tha se misioni i BE-së në Kosovë do të veprojë në të gjitha pjesët e territorit të Kosovës.

Zoti Solana tha dje në Prishtinë se blloku prej 27 vendesh po përgatitet të dislokojë një mision policor dhe juridik prej 2 mijë vetash për të forcuar qendrueshmërinë në Kosovë.

Zoti Solana është zyrtari i parë i huaj që viziton Kosovën pas shpalljes së pavarësisë prej saj të dielën.

Ndërkohë, protestuesit serbë në Kosovën veriore i vunë zjarrin dy postblloqeve të Kombeve të Bashkuara në kufirin me Serbinë. Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Veton Elshani tha se paqeruajtësit e NATO-s e vunë gjendjen nën kontroll dhe ngritën dy postblloqe të reja. Ai tha se nuk pati viktima.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara në Prishtinë, Joachim Ruecker, tha se misioni i OKB-së do të vazhdojë mandatin e tij në Kosovë në pritje të udhëzimeve të reja nga Nju Jorku.

Ai tha se personeli i Kombeve të Bashkuara do të bashkëpunojë me misionin europian kur ai të arrijë.

Ndërkohë, Serbia po tërheq ambasadorët nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera që kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Por zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Shon Makormak tha dje se Shtetet e Bashkuara nuk do ta tërheqin ambasadorin e tyre nga Beogradi.

Përfaqësuesi i Rusisë në Bashkimin Europian i tha agjencisë së lajmeve Interfax se pavarësia e Kosovës do të ndikojë në marrëdhëniet e Moskës me BE-në. //ii

XS
SM
MD
LG