Lidhje

Reagime ndaj largimit të Fidel Kastros nga udhëheqja e Kubës


Reagimet vazhdojnë të vijnë nga e gjithë bota ndaj lamit se udhëheqësi i sëmurë i Kubës Fidel Kastro është larguar nga posti i presidentit të vendit. Në një letër të publikuar dje në gazetën shtetërore kubane “Granma,” udhëheqësi 81-vjeçar e shpalli vendimin e tij për të mos kërkuar rizgjedhjen pas 49 vjetëve në pushtet.

Lagja Havana e vogël në Majami të shtetit Florida është vendi i komunitetit më të madh kuban që ka mërguar në Shtetet e Bashkuara dhe shumë njerëz i mirëpritën lajmet se zoti Kastro po lë postin e tij.

Por azilantë si Damian Arzola nuk presin të ndodhë ndonjë ndryshim i madh në ishullin komunist. “Ai është thjesht njeri dhe tani i ka ardhur fundi. Ajo që nevojitet është ndryshimi i sistemit, mënyrës së jetesës dhe gjithçkaje tjetër, por jo me të njëjtët njerëz.”

Në Uashington, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se largimi i zotit Kastro nuk do ta ndryshojë politikën amerikane dhe se embargoja amerikane e vendosur ndaj Kubës prej dekadash do të mbetet në fuqi. Presidenti Bush komentoi rreth dorëheqjes së zotit Kastro gjatë turneut të tij në Afrikë. “Komuniteti ndërkombëtar duhet të punojë me popullin kuban për të filluar ndërtimin e institucioneve që janë të nevojshme për demokracinë dhe ky tranzicion duhet të çojë herët a vonë në zgjedhje të lira dhe të drejta.”

Në Bruksel, një zëdhënës i Bashkimit Evropian shprehu vullnetin për të punuar me udhëheqësit kubanë për një dialog politik konstruktiv. Njoftimi i Fidel Kastros vjen vetëm pak ditë para takimit të Asamblesë Kombëtare Kubane ku do të zgjidhen anëtarët dhe presidenti i Këshillit të Shtetit. Analistët politikë thonë se presin që vëllai i zotit Kastro, Raul, të bëhet kreu i ri i shtetit. Ai mban tani postin e ministrit të mbrojtjes, por ka shërbyer si president i përkohshëm që kur Fidel Kastro bëri operacion në zorrë në korrik të vitit 2006.

Profesor Eusebio Muhal-Leon në Universitetin Xhorxhtaun këtu në Uashington thotë se largimi i Fidel Kastros sjell një regjim të ri në Kubë. “Ky është regjim i ri sepse as Raul Kastro dhe askush tjetër në udhëheqjen e re nuk do të mund të qevirisin siç ka bërë Fideli. Ata nuk e kanë karizmën e tij, autoritetin e tij dhe nuk do të mund ta shtyjnë popullsinë të sakrifikojë. Ata nuk do të mund të injorojnë nevojat ekonomike të popullsisë siç ka mundur ta bëjë Fideli.”

Profesor Muhal-Leon thotë se 76-vjeçari Raul Kastro do të udhëheqë një qeveri mbikqyrëse deri sa regjimi i vjetër t’i kalojë brezit të ri të udhëheqësve. Ai thotë se sfida më e madhe për Raul Kastron do të jetë gjetja e zgjidhjeve për problemet ekonomike afatgjata të ishullit dhe mbajtja e marrdhënieve të mira me udhëheqësit e rinj kubanë. //ad//

XS
SM
MD
LG