Lidhje

Misioni i Bashkimit Evropian fillon punën në Kosovë


Misioni i ri policor dhe administrativ i Bashkimit Evropian, filloi dje punën në Kosovë, mes kritikave të Rusisë.

Shefi i Misionit, Pieter Feith theksoi rëndësinë e vlerave të Bashkimit Evropian, përfshirë respektin për të drejtat e njeriut dhe të pakicave, në hapjen e zyrës së tij në Prishtinë.

Pas sulmeve të serbëve që kundërshtojnë shkëputjen e Kosovës nga Serbia, operacioni do të ketë nevojë për mbështetjen e trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja.

Zoti Feith tha se nën drejtimin e tij, rreth 2000 policë dhe ekspertë të drejtësisë do të ndihmojnë Kosovën që të funksionojë si një shtet i pavarur demokratik, me një drejtësi dhe respekt për të drejtat e minoriteteve.

“Ne jemi veçanërisht të interesuar sepse kjo është pjesë e vlerave të Bashkimit Evropian, të respektojmë të drejtat e njeriut, lirinë, pra të drejtat e pakicave për të gjithë qytetarët këtu në Kosovë, duke përfshirë dhe komunitetin serb.”-tha ai.

Por për misionin e tij, pas rritjes së tensioneve në Kosovë, është e nevojshme mbështetja nga forcat paqeruajtëse të NATO-s.

K-FOR-i, ka shtuar patrullimet pasi serbë që kundërshtonin pavarësinë e Kosovës shkatërruan pika të rëndësishme të kalimit të kufirit me Serbinë.

Një ushtarak francez i inkuadruar në trupat e NATO-s i tha televizionit francez France-24 nëpërmjet një përkthyesi se K-FOR-i nuk do të tolerojë protesta të dhunshme.

“Për K-FOR-in ky është një akt i papranueshëm. Ata e kaluan masën dhe ne do të bëjmë ç’është e mundur me ato që kemi në dispozicion për t’iu kundërvënë kësaj dhune”.

Rusia e sheh njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës si “një shkelje të ligjit ndërkombëtar” dhe paralajmëroi se kjo do të hapë “Kutinë e Pandorës” për tensionet seperatiste nëpër Evropë.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha dje para fillimit të misionit se dislokimi i forcave evropiane pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Zoti Lavrov, me anë të një deklarate tha se misioni i BE-së shkel rezolutën e Këshillit të Sigurimit, të miratuar në vitin 2007, e cila bën thirrje për ruajtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të të gjitha vendeve të Ballkanit.

Po dje, në Strasburg, Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremic i tha Parlamentit Evropian se disa qeveri evropiane kanë bllokuar rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE, me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, krahas thirrjes për një demonstratë paqësore të mërkurën në Beograd për të protestuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, bëri thirrje për ruajtjen e qetësisë.

Pavarësisht kundërshtimit të Serbisë, Shtetet e Bashkuara dhe një numër në rritje i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, duke përfshirë Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, janë duke njohur sovranitetin e Kosovës. Serbia thotë se do të tërheqë ambasadorët e saj nga vendet që vendosin marrëdhënie diplomatike me Kosovën.//kk//


XS
SM
MD
LG