Lidhje

Elenovski: Zgjidhja e statusit të Kosovës do ta stabilizojë rajonin

  • Laura Konda

Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, Llazar Elenovski, thotë se ndjehet optimist se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia do të marrin një ftesë për në NATO në Takimin e Bukureshtit. Ai tha gjithashtu në disa komente që dha për "Ditarin", se statusi i Kosovës do të ndikojë pozitivisht në stabilitetin e rajonit.

Zëri i Amerikës: Pas vizitës në Uashington, a jeni ju optimist se Maqedonia do të marrë një ftesë për anëtarësim në NATO në Takimin e Bukureshtit?

Llazar Elenovski: Nga të gjitha takimet që kemi patur gjatë dy ditëve të fundit, me kolegët nga Shqipëria dhe Kroacia, kemi një ndjenjë të përbashkët se ne kemi shanse të mëdha dhe jemi mjaft optimistë se do ta marrim ftesën për në NATO në takimin e Bukureshtit. Nga Administrata amerikane dhe nga Departamenti i Mbrotjes na u tha qartë, se i kemi përmbushur kriteret për t’u bërë anëtare e NATO-s dhe ne shpresojmë dhe besojmë që përparimi i bërë gjatë këtyre viteve nga të tri vendet tona, do të njihet nga aleatët tanë dhe Maqedonia, Shqipëria dhe Kroacia, do të pranohemi në radhët e Aleancës.

Zëri i Amerikës: Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kemi tani një shtet të ri në Ballkan. Çfarë ndikimi mendoni se do të ketë pavarësia e Kosovës në stabilitetin e mbarë rajonit?

Llazar Elenovski: Pozicioni i Maqedonisë, i shprehur disa herë edhe në të kaluarën, është se ne mbështesim planin Ahtisaari, dhe ky është një moment shumë i rëndësishëm, që të fillojë zbatimi i këtij plani. Ne besojmë se zbatimi i këtij plani dhe zgjidhja e statusit të Kosovës do ta stabilizojë rajonin dhe do ta çojë përpara integrimin e mbarë rajonit. Synimi ynë përfundimtar nuk është vetëm pranimi i tre vendeve tona në familjen euroatlantike, por edhe integrimi i të gjithë popujve dhe i të gjithë rajonit, në familjen evropiane, së cilës ne i përkasim.

XS
SM
MD
LG