Lidhje

Kadare: Serbët nuk duhet të harrojnë ç'ka ndodhur


Për të biseduar më gjerë mbi zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe në Serbi, Zëri i Amerikës kishte të ftuar nga Tirana, për një intervistë të drejtpërdrejtë në programin “Ditari” shkrimtarin Ismail Kadare.

Zëri i Amerikës: Zoti Kadare këto ditët e fundit, që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por sidomos gjatë 24 orëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të kundërshtimit të serbëve, të shprehur edhe me dhunë, si dje ndaj ambasadës amerikane në Beograd dhe ndaj ambasadave të tjera perëndimore. Si do t’i komentonit këto ngjarje?

Ismail Kadare: Kam ndjekur me shumë interes ato që kanë ndodhur dhe kam pritur me interes një reagim, të gjithë kanë pritur një reagim, por ai ka qenë më i keq se ç’është pritur, dmth. ka ndodhur diçka, që është kapërcyer arsyeja. Kam përshtypjen, që një njeri që asiston në këto ngjarje, përnjëherësh e kupton se këtu është harruar diçka; është harruar burimi i bormbardimit të vitit 1999; kjo gjë nuk thuhet, bëhte sikur harrohet; bëhet sikur ka ndodhur diçka, por nuk shpjegohet ç’ka ndodhur në atë vit: gati-gati, sikur ballkanasit u çmendën dhe u çmend edhe NATO-ja atë vit, që e bombardoi Jugosllavinë, si të thuash, pa arsye. Kurse, këtu duhet thënë në mënyrë të qartë, duhet thënë se ky bombaridm, ky ndëshkim i Serbisë para 10 vjetësh, ka patur një kuptim, ka patur një arsye, një arsye të fortë, madje; se nuk u ngritën kot avionët në qiell; avionët e Aleancës Atlantike u ngritën në qiell, sepse ndodhte një krim i madh në Tokë, sepse një popull masakrohej. Ka qenë një masakër nga më të tmerrshmet që ndodhte në Ballkan, ka qenë masakrimi i popullsisë, ka qenë një shpërngulje e papërfytyrueshme, gati-gati 1 milionë banorë u shpërngulën brenda disa javëve; ka ndodhur një përdhunim masiv i grave dhe i vajzave shqiptare, që ka qenë rrallë në këto përmasa në historinë e Ballkanit; prandaj kjo gjë u duk sikur u harrua, ngaqë ka kaluar shumë kohë, ngaqë shumë njerëz kanë lindur tashti, shumë njerëz nuk i dinë shumë mirë ato që kanë ndodhur dhe tashti, gati-gati, u duk si e natyrshme, që serbët të protestojnë kundër shkëputjes së Kosovës, duke u hequr, madje, si viktima. Unë mendoj se këtu është burimi i këtij keqkuptimi, që mund ta quaj keqkuptim tragjik.

Zëri i Amerikës: Ajo që po ndodh në Serbi është komentuar si pjesë e një procesi pastrimi brenda vetë shoqërise serbe: nga njëra anë një pjesë e popullsisë që shikon drejt Perëndimit, dhe pjesa tjetër, ende e pushtuar nga ndjenjat nacionaliste, një proces që me sa duket do të kërkojë kohë...Mendimi juaj?

Ismail Kadare: Po. Ky proces që përmendët ju, është kryesori në historinë e sotme të të gjithë Evropës, e sidomos të Ballkanit. Dmth., njerëzit që duan vërtet që ky gadishull të ketë paqen, duhet të gjejnë edhe mënyrat se si arrihet kjo. Ka një arsyetim të tillë, që po të kujtojmë ç’ka ndodhur, këto krime, si të thuash, këto tmerre, ne do të acaronim të dy etnitë, pra shqiptarët dhe serbët me njeri-tjetrin. Unë mendoj të kundërtën, që acarimi më i keq është ai kur krimet harrohen, kur s’përmenden dhe secili i mban, si të thuash, brenda zemrës së vet. Kështu, në se serbët harrojnë ç’kanë bërë dhe hiqen si viktima dhe nga ana e komunitetit evropian, në vend që t’u kujtohet kjo, ka një lloj përkëdhelje, dhe duket sikur u bën mirë. Unë e kuptoj, që popujt nuk duhen acaruar, natyrisht, që është e drejtë, që të mos acarohen, por të vijmë tek pyetja "ju bën mirë kjo gjë, apo ju bën keq"? Unë mendoj se ju bën keq, sepse lihet pa prekur, thelbi i problemit. Dhe tek serbët, çfarë ndodh? Ata kanë një burim vreri; tashti, ata thotë se u është bërë një padrejtësi shumë e madhe, si “ ne na kanë marrë Kosovën”, apo “ne na kanë bombarduar pa asnjë arsye”. Dhe tek një popull, kur ka një grumbull vreri të tillë, një ide që po i bëhet një padrejtësi, është jashtëzakonisht e rrezikshme. Ne e dimë nga përvoja e historisë botërore, se kështu, psh, nazizmi ka grumbulluar vrerin që u krijua në Gjermani, pas Luftës së Parë Botërore, për të përgatitur, pastaj, krimet e ardhshme. Ne e dimë që terrorizmi, sot psh., baza e terrorizmit, është një vrer i grumbulluar. Në vende të catuara, thuhet që Evropa i ka shkaktuar këtyre popujve në Lindjen e Afërme, u ka shkaktuar shumë fatkeqësira dhe prandaj duhet të marrin tashti revansh dhe o burra, të krijojmë një kryqëzatë terroriste, kundër një kryqëzate tjetër, që ka qenë kryer dikur, kundër tyre. Me një fjalë, në se do të donim që të fajësohej Ballkani, duhen thënë të vërtetat dhe nuk duhen harruar asnjëherë, sidomos në një rast të tillë, kur serbët kanë këtë reagim. Është më lehtë për vetë serbët, që ta kalojnë këtë traumë, sepse unë e kuptoj, se tek shumë njerëz ka një trishtim, ka një dëshpërim nga kjo që po ndodh, që Kosova po shkëputet, por është mirë që të sqarohet, se përse po ndodh kjo gjë? Në Kosovë, nga ata njerëzit, që ka me mijëra në rrugë, ka midis tyre, për të thënë një shembull, ka qindra të rinj, që në atë kohë kanë qenë 10 vjeç, të cilët kanë parë me sy tragjedinë që ka ndodhur, kanë parë me sy shpërnguljen, masakrat, por kanë parë me sy, sidomos diçka, që nuk përmendet, ose që përmendet tepër, tepër rrallë. Kanë parë përdhunimet masive të grave, të motrave, të nënave të tyre; dhe ata nuk mund ta harrojnë kurrë këtë gjë. Dhe unë këtë e them, kurressi jo për të nxitur, ne duhet t’ua kujtojmë serbëve, që të kuptojnë se çfarë kanë bërë serbët në Kosovë, dhe kështu do ta kenë më lehtë dhe nuk do të vuajnë nga mllefe të kota.

Zëri i Amerikës: Kryeministri Koshtunica, i cili përfaqëson klanin nacionalist në Serbi, e ka kthyer vështrimin drejt Moskës, kam parasysh fjalimin e tij dje para demonstruesve. Si e shikoni ju rolin e Rusisë, në mbarë këtë proces?

Ismail Kadare: Për fat të keq, roli i Rusisë, si një vend i madh, një vend që qëndron në largësi dhe që duhet ta kishte vizionin më të qartë, në fakt qëndrimi i saj është tepër zhgënjyes. Unë nuk e kuptoj, se si në konfliktin që ndodh në Ballkan, Rusia të niset vetëm nga një pikëpamje që do ta quaja racore, në mos raciste. Dmth., që meqenëse miqtë tanë serbë janë sllavë, ne në çdo rrethanë, do të marrin anën e tyre, pa parë, kurrsesi, se cila është e drejta. Pra në Ballkan, po kthehem prapë tek ajo që thashë në fillim, nuk ndodhi një çmendje e përgjithshme: u përleshën dy palë – njëra palë kishte ushtrinë, policinë, tanket, gjithshka. Pala tjetër, s’kishte asgjë, veç duarve të zveshura. Ndodhi pra, një tragjedi. Rusia duhej të jepte një ndihmë, t’u thoshte serbëve, për të mirën e tyre, këtë po e theksoj, të frenoheshin në këtë psikozë revanshiste, se nga një psikozë e tillë nuk del asgjë. Tani thuhet se Rusia ka interesat e saj, e të tjera gjëra, por unë mendoj se ky qëndrim jo konstruktiv, jo ndërtues i Rusisë, nuk i shkon asnjë vendi, aq më tepër një vendi të madh.

Zëri i Amerikës: Të dielën Kosova shpalli pavarësinë, që ishte kurorëzimi i përpjekjeve dhe sakrificave shumëvjeçare. Tashmë një numër i konsiderueshëm vendesh e njohën atë....Në mozaikun më të fundit ballkanik, si e shikoni ju pozicionin e Kosovës?

Ismail Kadare: Mendoj që qëndrimi i Kosovës në përgjithësi, i shqiptarëve, i liderëve të saj, i institucioneve, ka qenë me të vërtetë një qëndrim shumë konstruktiv, shumë pozitiv, shumë gjakftohtë, një qëndrim, i cili bazohet vërtet në standartet dhe kryesorja, në idenë e një të ardhmeje në paqe, pa luftë, në miqësi me fqinjët e tjerë, natyrisht, duke përfshirë edhe serbët, që janë në kufi dhe sidomos serbët që janë brenda në Kosovë. Unë e kam admiruar qëndrimin gjakftohtë të shqiptarëve, nuk ka patur asnjë thirrje revanshi. Nuk ka patur asnjë thirrje për hakmarrje, siç është krijuar legjenda e hakmarrjes së famshme të shqiptarëve, që “tashti erdhi ora, shqiptarët do t’i venë zjarrin manastireve të serbëve, do të hakmerren, do të gjejnë rastin... " Asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Prandaj, po kthehem përsëri tek këto profeci të errëta, të cilat nuk u vërtetuan dhe kjo është një gjë shumë e gëzueshme për shqiptarët dhe për të gjithë ballkanasit, duke përfshirë edhe serbët.

Zëri i Amerikës: Zoti Kadare, faleminderit për intervistën.

Ismail kadare: Ju falënderoj juve, gjithashtu.

XS
SM
MD
LG