Lidhje

Uashingtoni reagon ashpër ndaj sulmit kundër Ambasadës në Beograd


Shtetet e Bashkuara kanë protesutar zyrtarisht ndaj qeverisë së Serbisë mbi masat e pamjaftueshme të sigurimit në ambasadën Amerikane në Brograd, e cila u sulmua dje dhe u dogj pjesërisht nga demonstruesit. Departamenti i Shtetit tha se nervozizmi i serbëve mbi pavarësinë e Kosovës nuk është e justifikueshëm për sulme dhe nxitje anti amerikane në Serbi.

Zyrtarë të Departamentit të Shtetit thanë se ata janë ende duke u përpjekur të krijojnë një tabllo të qartë të rrethanave të sakta të sulmeve. Por ata shtuan se është e qartë se forcat serbe të policisë pranë ambasadës ishin të pamjaftueshme, kur mijëra demonstrues të nervozuar mbi njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara ishin pranë saj.

Në një konferencë shtypi dje vonë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Sean McCormack, tha se zyrtarët dërguan trupa të mjaftueshme policore për të zmbrapsur turmën vetëm pasi ishte shkelur territori i ambasadës dhe pasi nën-Sekretari i Shtetit për Marrëdhëniet Politike, Nicholas Burns, paralajmëroi Kryeministrin serb, Vojisllav Koshtynica dhe Ministrin e Jashtëm, Vuk Jeremiç, se ata do të ishën përgjegjës direkt në qoftëse sulmet do të vazhdonin.

“Mesazhi ishte shumë i qartë se situata ishte e papranueshme dhe se ata duhet të vepronin menjëherë për të dërguar menjëherë forca të mjaftueshme policore që territori i ambasadës dhe personelit tonë të mos sulmoheshin. Ai ia bëri fare të qartë këtë ministrit të jashtëm se ai do të vinte përpara përgjegjësisë direkte qeverinë serbe për mbrojtjen dhe sigurinë e punonjësve tanë të ambasadës”.

Zoti McCormack tha se zoti Burns, duke zbatuar urdhërat e Sekretares së Shtetit, Condoleezza Rice, i tha zyrtarëve serbë një situatë e tillë nuk mund të përsëritet më në të ardhmen dhe upër këtë mori siguri nga zoti Koshtunica.

Zëdhënësi tha se futja në ambasadë dhe zjarret, dëmtuan vetëm një zyrë pritjeje dhe se zonat e sigurisë dhe dokumenta sekrete nuk ishin prekur.

Duke pasur parasysh demonstratat mbi Kosovën, Ambasadori Amerikan, Cameron Munter, ndërpreu në mesditën e djeshme aktivitetin e ambasadës dhe në momentin e sulmit në ndërtesë ndodheshin vetëm disa punonjës, të sigurimit dhe të tjerë.

Personeli i ambasadës amerikane është jashtë rrezikut, megjithëse zyrtarët serbë të zjarrfikësve njoftuan se në territorin e ambasadës gjetën një trup të shkrumbuar, ndoshta ndonjë nga protestuesit.

Serbia ka qenë kritike e ashpër ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj të ngushtë evropiane, për njohjen ditën e hënë të pavarësisë së Kosovës.

Administrata e Presidentit Bush ishte e mendimit se pavarësia e mbikqyrur nga bashkësia ndërkombëtare, siç ishte thënë vjet nga i dërguari i OKB-së, Marti Ahtisari, ishte e vetmja zgjidhje e drejtë për rajonin e trazuar.

“Nuk duhet të ketë më nxitje për dhunë. Ne jemi të interesuar për dialog me qeverinë e Serbisë. Bashkimi Evropian është i interesuar për një dialog politik me qeverinë e Serbisë. Është shumë e qartë se ka pikpamje të kundërta rreth veprimeve tona për njohjen e Kosovës dhe veprimeve që të tjerë kanë ndërmarrë për njohjen e Kosovës. Ne mund të bisedojmë rreth kësaj, por asnjë nga këto, asnjë nga këto mosmarrveshje nuk janë një justifikim për të shtyrë të tjerët drej dhunës”.

Serbia tërhoqi ambasadorin e saj nga Washingtoni në fillim të javës. Zoti McCormack tha se ambasada do të jetë e mbyllur për disa ditë, por Ambasadori Munter do të qëndrojë në Beograd dhe se nga ana e Shteteve të Bashkuara nuk ka qëllime për uljen e nivelit të marrëdhënieve pas ngjarjeve të djeshme.//kk//


XS
SM
MD
LG