Lidhje

Intervistë me ambasadorin amerikan në Beograd, Kameron Manter


Pas incidenteve të djeshme në ambasadën amerikane në Beograd, korrespondentja e shërbimit serb të Zërit të Amerikës Katarina Radoviç, bisedoi sot me ambasadorit amerikan në Serbi, Kameron Manter. Duke folur për qëndrimin e policisë, ambasadori Munter tha se ndërsa para disa ditësh, kur u shpall pavarësia e Kosovës, policia e kreu si duhet punën e saj, duke e mbrojtur ambasadën, dje ajo i lejoi protestuesit të kalonin perimetrin e jashtëm të ambasadës.

Kameron Manter: Dje, gjatë një marshimi të madh në Beograd, një numër i madh individësh, që ne i kemi cilësuar si “huliganë”, sulmuan ambasadën tonë dhe mbrojtja nga policia nuk ishte e mjaftueshme. Ata kaluan perimetrin e jashtëm të ambasadës. Një prej protestuesve humbi jetën dhe u dogj nga zjarri i vënë prej tyre. Protestuesit nuk arritën të hynin gjithsesi në mjediset e brendshme të ambasadës. Pas gjysmë ore ose një ore, policia erdhi dhe e vuri nën kontroll zonën. Ne jemi të zhgënjyer me reagimin e policisë dhe me faktin që nuk ofruan mbrojtje për ambasadën. Prandaj vendosëm që familjarët dhe personeli jo i domosdoshëm i ambasadës të largohen për momentin nga Serbia.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, kush e ka fajin për mbrojtjen e pamjaftueshme të policisë?

Kameron Manter: Është vështirë ta përcaktosh. Ne duhet të jemi të kujdesshëm në vlerësimin e situatës. Interpretimi që na dhanë është se në rrugë kishte 200 deri 300 mijë protestues. Policia ishte përgjegjëse për rendin publik dhe mund të ketë ndodhur ajo, që unë po e quaj, gabim taktik, pra që ata i bënë llogaritë gabim dhe nuk dërguan personelin e mjaftueshëm në ambasadën tonë dhe ambasadat e tjera që u dëmtuan. Megjithatë ka njerëz që pyesin se meqë dihej që kjo do të ndodhte, përse nuk u bë më shumë për të na mbrojtur, për të mbrojtur edhe ambasadat e Gjermanisë, të Britanisë e të tjerat. Pra është vështirë të thuash në se diçka është bërë e qëllimshme apo jo, por ky fakt, në një farë mënyrë, nuk ka rëndësi. Nëse kjo qeveri nuk ka aftësi të mbrojë personelin diplomatik dhe objektet e diplomatëve, atëhere ne nuk e ndjejmë veten të sigurtë për të mbajtur këtu anëtarët e familjeve tona. Ne po i kërkojmë qeverisë të kërkojë ndjesë përsa ndodhi dhe të premtojë se kjo nuk do të përsëritet më dhe t’i mbështesë fjalët me vepra, që ne dhe kolegëve të tjerë diplomatë të mos u ndodhë gjë.

Zëri i Amerikës: A do të qëndrojë personelei i domosdoshëm i Aambasadës?

Kameron Manter: Patjetër. Sot ambasada është e mbyllur për shkak të dëmtimit. Ne do të vazhdojmë të bëjmë vlerësimin e dëmit dhe do të hapemi të martën e javës së ardhshme. Ne do të jemi në gjendje të funksionojmë si ambasadë dhe të kryejmë punën tonë që është të punojmë me ata njerëz në Serbi që besojnë në të ardhmen demokratike, që besojnë në integrimin në Evropë, që bashkëpunojnë me ne për një sërë gjerash. Ne do të qëndrojmë këtu dhe do t’i ndihmojmë këta njerëz. Por personeli jo i domosdoshëm dhe familjarët do të largohen.

Zëri i Amerikës: A mund të na jepni ndonjë hollësi nga dëmi që i është shkaktuar ambasadës?

Kameron Manter: Ende jemi duke bërë vlerësimin e dëmit. Personalisht nuk e di sa i madh është. Pjesa e përparme e ambasadës është dëmtuar rëndë dhe do të duhet pak kohë derisa të fillojmë shërbimet normale. Për t’ju dhënë një shembull, nuk besoj se do të jemi në gjendje të kryejmë punë konsullore si dhënie vizash, për shumë ditë. Në ambasadë kemi një ekip shumë të m,irë sigurie, me marinsa dhe personel tjetër, që bënë një punë shumë të mirë për të mbrojtur ambasadën dhe ne kemi marë një numër mesazh nga miqtë tanë në Serbi, që treguan se ka një numër të madh njerëzish këtu që kanë respekte për atë që bëjmë ne dhe duan të mbeten miqtë tanë. Po ashtu edhe ne do të jemi miqtë e tyre. //ad//

XS
SM
MD
LG