Lidhje

Rajs: Zgjidhja e statusit të Kosovës do të ndihmojë Ballkanin


Ndërsa Departamenti i Shtetit vendosi të tërheqë anëtarët jo të domosdoshëm të personelit të ambasadës amaerikane dhe familjet e tyre nga Beogradi, Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice kritikoi dje qeverinë serbe për masat e pamjaftueshme të sigurisë të enjten kur u sulmua ambasada amerikane. Ajo foli për shpresat e Shteteve të Bashkuara për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Në një konferencë shtypi dje në Washington, sekretarja Rice tha se Shtetet e Bashkuara bëjnë përgjegjëse qeverinë serbe për sulmin ndaj ambasadës:

“Ata kishin detyrimin të mbronin misionet diplomatike dhe nga sa dimë ne, prania e policisë ishte ose e pamjaftueshme, ose jo e gatshme për të ndërhyrë në ato momente. Dhe ne ia kemi bërë shumë të qartë qeverisë serbe se nuk duam që kjo të ndodhë më. Nuk u sulmua vetëm ambasada jonë, por edhe ambasada të vendeve të tjera”.

Sekretarja Rice hodhi poshtë spekullimet se Shtetet e Bashkuara mbështetën pavarësinë e Kosovës, për të ruajtur praninë ushtarake atje. Ajo tha se forcat amerikane, pjesë e KFOR-it, janë në Kosovë vetëm sepse tensionet që nga koha e viteve 1990 e bëjnë të nevojshme praninë ndërkombëtare përmes NATO-s.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara do të jetë i lumtur kur Kosova të arrijë të ketë forcat e sigurisë që të mund të kujdesen për popullin e saj dhe të kontribuojnë për qëndrueshmërinë rajonale, në mënyrë që Ballkani të jetë më i qëndrueshëm”

Ajo shprehu shpresën se zgjidhja e statusit të Kosovës do të fillojë më në fund të lejojë Ballkanin që ta lërë pas historinë e tij të tmerrshme.

"Serbia duhet të ecë përpara, Kosova po ashtu. Dhe duhet të lëvizë përpara duke respektuar vlerat demokratike, në një mënyrë që do të lejonte si serbët edhe kosovarët të kenë një perspektivë evropiane. Ne i kemi ofruar Serbisë Partneritetin për Paqe dhe shpresojmë që Serbia të ketë një marrëveshje me stabilizim asociimi me Bashkimin Evropian. Ne duam të kemi marrëdhënie miqësore me popullin serb dhe unë ia thashë këtë Presidentit Boris Tadic”, tha ajo.

Sekretarja e Shtetit tha se Uashingtoni po i nxit kosovarët që të zbatojnë kërkesat e planit Ahtisaari.

“Ne shpresojmë shumë që të vijë dita që kosovarët dhe serbët të jetojnë krah për krah dhe Ballkani të jetë i qëndrueshëm dhe të mos ketë më nevojë për forca ndërkombëtare. Por ne do t’i plotësojmë detyrimet tona si pjesëmarrës në KFOR dhe ndaj aleatëve të NATO-s deri në momentin kur ato të mos jenë të nevojshme”, tha zonja Rice.

Po dje në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësi Scott Stanzel, ia atribuoi sulmin në Beograd “huliganëve” dhe tha se Shtetet e Bashkuara nuk besojnë se ata përfaqësojnë fytyrën që Serbia do të shfaqë para botës.

Ai tha gjithashtu se pavarësisht nga sulmi ndaj ambasadës dhe zemërimi serb ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara duan të vazhdojnë punën për ta integruar Serbinë në institucionet evropiane. //kk//

XS
SM
MD
LG