Lidhje

Hollbruk: Pavarësia e Kosovës ishte e pashmangshme


Kryearkitekti i Marrëveshjes së Dejtonit, Richard Holbrooke tha dje se vendimi i Kosovës për shpalljen e pavarësisë ishte i pashmangshëm dhe i nevojshëm. Sipas ish-ambasadori amerikan në OKB, kundërshtimi i Rusisë ndaj pavarësisë e ka ndërlikuar gjendjen në mënyrë të panevojshëm, pasi e bëri të pamundur konsensusin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Por pretendimi se pavarësia e Kosovës, përbën precedent, tha ai në një intervistë ekskluzive për televizionin APTN, nuk është absolutisht i vërtetë:

Kosova nuk përbën precedent për pjesë të tjera dhe rusët, kinezët dhe vendet e tjera e dinë mirë këtë. Kosova ishte një rast unik. Ajo që ndodhi në Kosovë ishte plotësisht e autorizuar në vitin 1999 me rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 që krijonte një situatë unike. Gjithkush, përfshirë Rusinë tha në atë kohë se kjo nuk përbënte precedent për vende të tjera”, tha ish-ndihmës sekretari i Shtetit në administratën e Presidentit Clinton.

Duke folur për sulmin ndaj ambasadës amerikane në Beograd, ai tha se përgjegjësia për parandalimin e tij binte mbi qeverinë. Ai e quajti atë serioz, megjithatë shtoi se nuk mendonte se do të kishte përshkallëzim në diçka më të rëndë. Më shumë shqetësim, sipas ambasadorit Holbrooke, paraqiste gjendja në veri të Kosovës, pjesët e populluara nga serbët në veri të lumit të Ibrit. Megjithatë zoti Holbrooke nuk e sheh me alarm gjendjen:

“Serbët nuk do të fillojnë luftë për Kosovën. Nëse do ta bënin një gjë të tillë, do të thoshte të hynin në luftë me NATO-n. Ata nuk kanë mani vetëvrasëse, por ata nuk shkëputen dot nga mitet e historisë, sipas së cilave ata, janë gjithmonë viktimat”, tha zoti Holbrooke.//kk//

XS
SM
MD
LG