Lidhje

Kosova: Ekspertët paraqesin pikëpamje të kundërta mbi të ardhmen


Kosova shpalli pavarësinë para një jave dhe një ditë më pas Shtetet e Bashkuara e njohën atë. Pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Evropian, përfshirë Britaninë, Francën dhe Gjermaninë e kanë njohur gjithashtu shtetin e ri. Por Greqia, Qiproja, Spanja, Sllovakia dhe Rumania nuk e kanë njohur atë. Kryeministri i Serbisë Vojislav Kostunica ka thënë se Beogradi do të tërheqë ambasadorët e vendeve që njohin Kosovën. Ndërsa Rusia ka paralajmëruar se pavarësia e Kosovës, mund t’u hapë rrugën konflikteve në vende të tjera. Rusia dhe Kina, të dyja vende të Këshillit të Sigurimit e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.

Elez Biberaj, Drejtor i Divizionit të Euroazisë në Zërin e Amerikës dhe Obrad Kesic i firmës TSL Global Consultant, të dy analistë të çështjeve të Ballkanit kanë pikëmamje të kundërta lidhur me pavarësinë e Kosovës. Zoti Biberaj thotë se bëhet fjalë për një arritje në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian:

“Përsa i takon bashkëpunimit SHBA-BE, njohja e pavarësisë së Kosovës është një sukses. Ne i kemi nxjerrë mësimet e viteve 1990, kur evropianët vërtet nuk arritën të përgjigjeshin me veprimet e duhura shpërbërjes së Jugosllavisë. Në këtë rast ka pasur një bashkëpunim të gjerë mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për këtë çështje”.

Por zoti Kesic mendon se është pikërisht ky qëndrim që e i bën serbët mosbesues dhe thotë se zemërimi i tyre pikërisht këtu e ka burimin dhe nuk drejtohet kundër shqiptarëve.

“Është rezultat i një ndjenje poshtërimi ndaj Shteteve të Bashkuara, pasi shumica e njerëzve mendojnë se Shtetet e Bashkuara kanë qenë nxitësit e kësaj politike dhe ata nuk e kuptojnë. Ata e shohin qëndrimin e e Shtetet e Bashkuara si një ndëshkim ndaj Serbisë dhe si rezultat ata janë të zemëruar për shkak të disa politikave të keqorientuara (amerikane) jo vetëm në rajon por në gjithë botën”.

Përsa i takon planit Ahtisaari për pavarësinë e mbikqyrur, zoti Biberaj parashikon një shoqëri shumëetnike, shtet demokratik, të drejta të barabarta për pakicat, për mbrojtjen e pasurisë kulturore dhe një lidhje të veçantë mes Beogradit dhe komunitetit serb në Kosovë.

“Duke pasur parasysh qëndrimet e papërputhshme të Beogradit dhe Prishtinës, plani Ahtisaari përbën kompromisin më të mirë në këto kushte. Plani Ahtisaari u pranua nga pala shqiptare, duke besuar se edhe Serbia do ta pranonte. Është në interesin e shqiptarëve që ai të funksionojë dhe në fakt dispozitat për pakicat janë shkruar nga ekspertë rusë që punonin për të dërguarin e OKB-së Marti Ahtisaari”.

Ndërsa zoti Kesic thotë se sipas këtij plani Kosova është protektorat:

“Një përfaqësues i Bashkimit Evropian do të ketë autoritet të plotë të marrë vendime brenda Kosovës. Ai mund të kthejë mbrapsht ligje, mund të heqë zyrtarë të zgjedhur. Plani Ahtisaari parashikon që kjo do të jetë për një periudhë kalimtare, ku komuniteti ndërkombëtare, sidomos Bashkimi Evropian parashikon shumë garanci për pakicat”.

Zoti Kesic thotë se meqë Beogradi nuk ka qenë dakord me këtë plan, në rast se pakicat nuk do të jenë dakord me mënyrën e zbatimit, kur të vendoset që mbikqyrja të mbarojë, atëherë plani do të imponohet duke sjellë si rezultat një eksod, kështuqë është shumë e dyshimtë se si do të zbatohet ky plan pa përdorimin e forcës.

Duke folur për rolin e Rusisë, zoti Kesic thotë se Rusia mbron interesat e veta dhe jo Serbinë, duke përmendur edhe ligjin ndërkombëtar. Zoti Biberaj thotë se Rusia ka treguar se nuk po e ndihmon Serbinë:

“Rusia po kërkon të grumbullojë pikë nga pikëpamja ekonomike dhe politike dhe po përpiqet të përdorë çështjen e Kosovës që të forcojë pozitën e vet në arenën ndërkombëtare, të krijojë një çarje mes Washingtonit dhe Brukselit. Moska po përpiqet të pengojë integrimin e Serbisë në institucionet euro-atlantike si edhe t’u hapë derën investimeve dhe kompanive ruse në Serbi”.

Zoti Biberaj e pranon se pavarësia e Kosovës është e dhimbshme për serbët, por sidomos ata në Kosovë. Megjithatë ai sheh si problemin më të madh Mitrovicën, duke pasur parasysh se pjesa serbe është nën kontrollin e serbëve. Duke iu përgjigjur zërave për ndarjen e Kosovës, zoti Kesic thotë se pak a shumë de fakto një ndarje e butë është bërë në Veri.

“Nëse ka diçka që mund të bëhet burim për dhunën, është çështja e veriut, që nëse serbët krijojnë përshtypjen se Bashkimi Evropian po përpiqet t’u imponojë atyre besnikërinë ndaj shtetit të saposhpallur të Kosovës, do të ketë revoltë. Por në fund, ose BE-ja do të pësojë dështim përsa i takon aftësisë për të ushtruar autoritetin e vet, ose serbët do të votojnë me mënyrën e tyre duke u larguar. Mendoj se secili nga skenarët do të ishte një dështim për komunitetin ndërkombëtar dhe Bashkimin Evropian në veçanti”.

Megjithatë zoti Biberaj mendon se situata në veri është e menaxhueshme, duke pasur parasysh që forcat e NATO-s janë atje dhe ai nuk parashikon që të ketë një mobilizim të forcave serbe.

Zoti Kesic e sheh me pesimizëm të ardhmen politike të Serbisë sidomos në marrëdhënie me Bashkimin Evropian, duke thënë se është shumë e vështirë të parashikohet se si do të mundë Serbia që paralelisht të ketë një politikë që të jetë pro-evropiane dhe njëkohësisht të ketë debate me vendet kryesore të organizatës për çështjen e Kosovës. Ai thotë se serbët do të zgjidhnin vendin e tyre dhe se tani nuk ka gjë që i tërheq ata në Bashkimin Evropian. //kk//

XS
SM
MD
LG