Lidhje

Kryeministri Hashim Thaçi vendos lule në varrin e presidentit Rugova


Shqiptarët festuan fundjavën e parë të lirisë në shtetin e tyre. Nën një qiell të pastër ata u mblodhën pranë një skulpture mjaft origjinale në Prishtinë. Puna artistike me gërmat që formojnë fjalën NEWBORN është bërë simboli i Kosovës së re.

Skulptura është e mbuluar nga nënshkrimet e kalimtarëve pas shpalljes së pavarësisë si sot një javë. "Mund të them se njerëzit janë ende duke festuar. Ka kaluar vetëm një javë dhe mendoj se është shumë shpejt të shohim ndonjë ndryshim në shtetin tonë të ri. Njerëzit festojnë për natë. Është diçka për të cilën të gjithë shqiptarët kanë pritur me shekuj dhe ndryshime do të vijnë", thotë Artan Dedushaj nga Prishtina.

Gazetat vazhdojnë të shkruajnë për festimet por ka edhe kryeartikuj për rritjen e tensioneve me pakicën serbe. Artikulli kryesor i gazetës Koha Ditore flet për tërheqjen e Misionit Evropian nga veriu i Mitrovicës për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Misioni i BE-së ishte viktimë e sulmeve të përsëritura me granata për të cilat fajësohen ekstremistët e pakicës serbe të zemëruar ndaj vendeve të BE-së të cilat kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës.

Serbët planifikuan ditën e shtatë të protestave në qytetin e ndarë të Mitrovicës dhe policia e OKB-së ka dalë në rrugë për të parandaluar dhunën. Serbët kanë planifikuar gjithashtu protesta kundër pavarësisë në Gjenevë, Vjenë dhe qytete të tjera evropiane.

I shoqëruar nga një grup përkrahësish, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi vendosi sot lule në varrin e presidentit Ibrahim Rugova. Kryeministri shfrytëzoi rastin për t’i bërë thirrje pakicës serbe të integrohet në atë që e cilësoi si realitet të ri në Kosovën e pavarur. "Do të jem përkrah tyre për t’i ndihmuar të integrohen në institucionet demokratike, të integrohen në shoqërinë demokratike të vendit tonë dhe ata si qytetarë të këtij vendi duhet të ndjehen të qetë me këtë realitet të ri pasi Kosova është atdheu i të gjithë qytetarëve dhe të gjitha të drejtat e minoriteteve do të respektohen". Ndërsa zoti Thaçi iu bashkua fëmijëve që vendosën kurora me lule mbi varrin e zotit Rugova, ai është i vetëdijshëm se do t’i duhet gjithë mbështetja politike e udhëheqësit të ndjerë për të gjetur zgjidhje për dy komunitetet e ndara që të jetojnë në paqe nën një flamur. //rd//

XS
SM
MD
LG