Lidhje

Imigrantët ndjejnë trysninë e ekonomisë në rënie


Ngadalësimi i ekonomisë amerikane dhe shtimi i papunësisë po prekin një numër të madh biznesesh në mbarë vendin, përfshi ato në pronësi të imigrantëve. Bizneset e vogla të imigrantëve në qarkun Prince William në shtetin Virginia, janë mes më të prekurve – jo vetëm nga ngadalësimi ekonomik por edhe nga ligjet që vënë në shënjestër punonjësit pa dokumenta apo imigrantët e paligjshëm.

Dyqani Club Video Mexico ka 19 vjet në biznes. Por bashkëpronari Pablo Vargas asnjëherë nuk e ka parë gjendjen më keq. “Askush nuk do të blejë. Njerëzit preferojnë t’i kursejnë paratë dhe jo t’i shpenzojnë”.

Edhe biznese më të mëdha janë duke e ndjerë trysninë. Carlos Castro ka tre supermarkete, kryesisht me ushqime meksikane. “Kur vjen puna për ushqimin, edhe pse thuhet se duhet të hamë përditë, biznesi ka rënë në mënyrë të konsiderueshme. Në këtë dyqan të ardhurat kanë rënë me rreth 15 përqind nga një vit më parë kurse në Alexandri mes 22 dhe 25 përqind”.

Qarku Prince William, në afërsi të Washington DC-së, është rritur ndjeshëm vitet e fundit dhe ka tani një popullësi të madhe imigrantësh. Por edhe kjo popullësi është prekur nga ulja e tregut të shtëpive, pamundësia për të marrë kredi dhe pasiguria financiare.

Në Dhomën e Tregtisë së qarkut, drejtoresha, Joanne Bell, dhe presidentja, Laurie Wieder, e kanë vënë re ndryshimin. “Një pjesë e madhe e anëtarëve që nuk e rinovojnë anëtarësimin janë biznese që po falimentojnë. Kjo ndodh çdo vit. Por këtë vit, sigurisht kishte një numër më të madh pronarësh që mbyllën dyert e bizneseve të tyre”.

Ritmi i rianëtarësimit ka rënë midis dy dhe tre përqind, megjithëse biznese të reja u anëtarësuan në Dhomën e Tregtisë gjatë 2007-ës. Megjithatë, anëtarja e dhomës, Julie Do, është e shqetësuar. Ajo është imigrante nga Vietnami dhe ka një sallon për ngjyrë dhe manikyrë. “Njerëzit nuk vinë rregullisht si dikur. Në vend që të vinë një herë në dy tre javë, tani vinë një herë në muaj. Disa të tjerë nuk vinë fare pasi vendosin të mos bëjnë manikyrë e të kursejnë”.

Rënia e numrit të ndërtimeve dhe shitjes së shtëpive ekzistuese është pjesërisht aryesja për këtë rënie të bizneseve. Ligji që vë në shënjestër imigrantët e paligjshëm po i dëmton gjithashtu bizneset. Mes të tjerash, ai e lejon policinë të kontrollojë statusin e imigracionit të kujtdo që shkel ligjin. Ky fakt i ka trembur punëtorët pa dokumenta – që gjithsesi po gjejnë gjithnjë e më pak punë për shkak të ngadalësimit të ekonomisë. Shumë prej tyre janë larguar duke dëmtuar bizneset që mbështeten në shpenzimet e tyre.

Në restorantin El Portal, pronari Manuel Arbaiza është në rrezik të humbasë investimin e tij prej 400 mijë dollarësh. Ai thotë se vuri re një ndryshim të menjëhershëm pasi u miratuan ligjet kundër imigracionit të paligjshëm. "Para korrikut, një ditë e mirë për ne ishte diku nga dy mijë në tre mijë dollarë xhiro në fundjavë. Tani arrijmë të bëjmë vetëm 80 dollarë. Na kushton më shumë ta mbajmë hapur restorantin sesa ta mbyllim atë". Mbyllja do të thotë të lesh të ikin më shumë punëtorë, duke e përkeqësuar edhe më shumë ekonominë tashmë në rënie. Bizneset, përfshi ato të imigrantëve, kanë përpara kohë të vështira. //rd//

XS
SM
MD
LG