Lidhje

Intervistë me Prokuroren e Përgjithshme të Shqipërisë, Ina Rama


Shqipëria ndodhet sot përpara dy reformave të rëndësishme strukturore, reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi. Tranzicioni në Shqipëri, që ka qënë një ndër vendet më të izoluara ish komuniste, po zgjat për gati 2 dekada. Një nga problemet më të mprehta ende të pazgjidhura, është krijimi i një sistemi drejtësie të pakorruptuar dhe të efektshëm.

Zëri i Amerikës: Zonja Rama, cili ishte synimi i vizitës suaj në Shtetet e Bashkuara?

Ina Rama: Vizita ime në Shtetet e Bashkuara ishte e organizuar nga Departamenti i Shtetit. Ajo synonte marrjen e informacionit sa më të gjerë dhe më të plotë të mënyrës se si funksionon sistemi i drejtësisë në Shtetet e Bashkuara, si dhe vendosjen e pikave të kontaktit që do të konsiderohen të vlefshme për një bashkëpunim të mëtejshëm. Dhe mund të them se vizita i realizoi të dy këto qëllime.

Zëri i Amerikës: Zonja Rama, pas njohjes më nga afër me sistemin amerikan të drejtësisë, çfarë mendoni se duhet përmirësuar në fushën e drejtësisë në Shqipëri? Cilat janë të metat kryesore të paktën të institucionit të prokurorisë që ju drejtoni?

Ina Rama: Shtetet e Bashkuara kanë model tjetër të sistemit të drejtësisë nga ai që funksionon në Shqipëri. Por ne kemi një problem të përbashkët, pavarësisht se në nivele të ndryshme, që është problemi i korrupsionit. Këtë problem e kemi ne, e kanë Shtetet e Bashkuara, si dhe vende të tjera. Mendoj se ndryshimet e sistemit të drejtësisë në Shqipëri duhet të drejtohen tek forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe ndoshta i rëndësishëm do të ishte një trajtim i ndryshëm i imunitetit të zyrtarëve të lartë shqiptarë, përfshirë parlamentarët, gjyqtarët dhe prokurorët. Do të ishte një nevojë e ngutshme kufizimi i imunitetit të tyre të paktën për çështje që lidhen me korrupsionin dhe me krimin ekonomik dhe financiar.

Zëri i Amerikës: Siç thatë ju korrupsioni është problem për të dy shtetet, por në Shqipëri duket se korrupsioni nuk është vënë dot nën kontroll. Korrupsion ka gjithandej, por këtu është i menaxhueshëm. Ka pasur prej kohësh akuza për të gjitha qeveritë në Shqipëri që ka korrupsion të madh dhe të thelluar. Megjithatë nuk shikohet ende ndonjë përpjekje serioze, ndonjë hetim serioz për zyrtarët e lartë. Pse ndodh kështu?

Ina Rama: Dua t’ju them se ka një përpjekje serioze. Kjo është e vërteta. Në prokurorinë e Tiranës është krijuar, për shembull, një njësi e përbashkët hetimore e cila po funksionon me qëllimin për të luftuar krimin ekonomik dhe korrupsionin, veçanërisht për zyrtarët. Kjo është një njësi që po punon shumë dhe po heton edhe zyrtarë të cilët unë nuk mund t’i bëj publik për shkak të sekretit hetimor. Por unë them se Shqipëria po hedh hapa shumë të rëndësishëm në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: A pritet që këto emra të bëhen publik së shpejti?

Ina Rama: Në momentin që do të jetë e volitshme për hetimin.

Zëri i Amerikës: Krimi ekonomik në Shqipëri tashmë është përhapur dhe korrupsioni është futur thellë. Por, të ndalemi tek krimi i organizuar. Sa i përhapur është ai? Sipas raporteve, krimi i organizuar ka investuar në ekonomi. Në çfarë strukturash bazohet ai? Si funksionon ky krim?

Ina Rama: Edhe krimi i organizuar është problem ndërshtetëror dhe jo vetëm i Shqipërisë. Unë mund të them që Shqipëria me të vërtetë ka bërë hapa shumë seriozë në luftën ndaj tij. Nuk mund të flasim për eliminim të krimit të organizuar, që do të ishte një dëshirë shumë e madhe, por gjë e pamundur për t’u realizuar. Por, Shqipëria, përmes strukturave të saj, qoftë prokurorisë për krimet e rënda, qoftë gjykatës për krimet e rënda ka arritur rezultate shumë të mira në goditjen e krimit të organizuar. Këtë mund ta them me krenari.

Zëri i Amerikës: A e ka kapur krimi i organizuar ekonominë?

Ina Rama: Krimi i organizuar gjithmonë tenton të kapë ekonominë, por nuk mund të japësh një deklaratë përfundimtare të kësaj. Do të duhej një analizë e mirëfilltë statistikore.

Zëri i Amerikës: Sipas të dhënave që keni ju, a ka lidhje të krimit të organizuar me politikën?

Ina Rama: Ёshtë tendencë e krimit të organizuar që të shfrytëzojë politikën për t’u fuqizuar. Ёshtë e pashmangshme ndoshta.

Zëri i Amerikës: Pra ai ka arritur të shfrytëzojë politikën?

Ina Rama: Po, besoj se politika në ndonjë rast është vënë në shërbim.

Zëri i Amerikës: Si institucion prokurorie, sa të vështirë apo të lehtë e keni ju që të shkoni pas këtyre politikanëve, apo këtyre emrave të mëdhenj të krimit të organizuar?

Ina Rama: Unë mendoj se në momentin që bëhen evidente faktet, prokuroria nuk ka pse ta ketë aspak të vështirë, që të shkojë pas këtyre politikanëve. Mjafton që çdo akuzë që ngrihet të mbështetet në fakte reale dhe të mos jetë një ide mediatike apo një slogan, por të jetë një gjë që realisht ekziston dhe mund të provohet.

Zëri i Amerikës: Zonja Rama, kur ju erdhët në krye të institucionit të akuzës, ju zëvendësuat paraardhësin tuaj i cili kishte një histori të gjatë përplasjesh me qeverinë. Fillimisht, ju kishit besimin e të dyja forcave politike, por nuk kaloi shumë kohë dhe ju e humbët besimin kur filluan proceset, e kam fjalën këtu për rrugën Durrës-Kukës. Si mund t’ia garantoni ju institucionit tuaj paanshmërinë politike? Si mund ta fitoni ju besimin e të dy krahëve politikë në Shqipëri?

Ina Rama: Unë nuk mendoj se e kam humbur besimin e forcave politike, pavarësisht nga komentet që bëhen çdo ditë për veprimet që ndërmarr unë, të cilat janë të nevojshme për të administruar organin e akuzës. Gjithashut nuk mendoj se nëpërmjet një deklarate unë mund të garantoj paanshmërinë. Nuk mjafton që të them se unë do të jem e paanshme për të bindur publikun dhe për t’i bindur partitë për këtë. Unë mendoj se puna që do bëj unë do ta tregojë këtë dhe ky do të jetë synimi im kryesor. Dhe do të ishte sukses i punës që në fund të një periudhe apo mandati, siç e mendoj unë punën e prokurorit të përgjithshëm, të kishte një vlerësim të tillë, që ke qenë prokuror i paanshëm dhe i pavarur nga politika. Kjo do të ishte me të vërtetë pika më e madhe që mund të merrje.

Zëri i Amerikës: Si është bashkëpunimi i institucionit tuaj me elementët e tjerë të sistemit të drejtësisë?

Ina Rama: Unë mendoj që është i mirë.Ka një tendencë të përgjithshme të të gjitha institucioneve shtetërore për të bashkëpunuar me prokurorinë. Sigurisht që është një bashkëpunim që duhet forcuar dhe vjen duke u forcuar patjetër. Por ka një frymë të përbashkët për t’i koordinuar punët dhe mendoj që kjo është një gjë shumë e vlefshme.

Zëri i Amerikës: Sot kur flitet për reformat e drejtësisë në Shqipëri, cili është mendimi juaj për institucionin e prokurorit? A duhet të jetë institucioni i prokurorit pjesë e ekzekutivit apo duhet të vazhdojë të jetë i pavarur siç është tani?

Ina Rama: Unë mendoj se duhet të jetë i pavarur siç është tani. Kjo edhe për shkak të historisë që ne kemi si shtet dhe si komb. Por gjithsesi ky është pjesë e një vullneti politik dhe mendimi im mbetet profesional si edhe personal. Unë mendoj se funksionon më mirë si institucion i pavarur. Nuk mendoj se difektet e punës së organit të prokurorisë kanë ardhur për shkak të mosqenies së tij pranë ekzekutivit. //bsa//

XS
SM
MD
LG