Lidhje

Ryker: Mandati i UNMIK-ut u sfidua por gjendja është nën kontroll


Autoritetet më të larta ndërkombëtare dhe vendase në Kosovë thanë se me gjithë sfidat e ditëve të fundit, gjendja e sigurisë është nën kontroll dhe ekzistojnë plane të qarta për t’u përgjigjur çdo situate që mund të krijohet në këtë periudhë.

Shefi i Misioni të Kombeve të Bashkuara Joachim Ruecker, komandanti i forcave paqeruajtëse Xavier Bout de Marnhac dhe kryeministri i vendit Hashim Thaçi debatuan sonte zhvillimet e ditëve të fundit të karakterizuara me protesta të pjesëtarëve të komunitetit serb kundër pavarësisë së Kosovë dhe incidente në disa vendkalime kufitare.

19 pjesëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës u plagosën mbrëmë gjatë një proteste të rezervistëve serb në një vendkalim kufitar në verilindje të Prishtinës. Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Joachim Ruecker tha se ekzistojnë disa sfida për autoritetet në vend. “Posaçërisht kur behet fjalë për vendkalimet kufitare ka disa sfida ndaj mandatit ekzekutiv të UNMIK-ut, por jemi të përkushtuar për ta ushtruar këtë mandat qoftë kur është fjala për policinë, doganat apo drejtësinë edhe në veriun e Kosovës”, tha zoti Ruecker.

Komandanti i KFOR-it Xavier Bout De Marnhac tha se trupat e tij janë të gatshme të mbështesin zbatimin e këtij mandati. “KFOR-i, siç e kam shpjeguar në shumë raste, është i gatshëm të reagojë dhe për këtë ka plane të qarta”, tha ai duke shpjeguar se Shërbimi Policor i Kosovës është në radhën e parë i mbështetur nga policia ndërkombëtare ndërsa KFOR-i është pas tyre kur është e nevojshme.

Kryeministri i vendit Hashim Thaçi tha se tërësia e Kosovës është duke u mbrojtur nga autoritetet vendase e ndërkombëtare të sigurisë, në mënyrë që asnjë pëllëmbë e tokës të mos preket nga askush. Ai nënvizoi se Beogradi ka interesim të ligjshëm për qytetarët e komunitetit serb, por tërhoqi vërejtjen se adresa e saktë e qytetarëve serb është Prishtina. “Definitivisht definitivisht edhe Beogradi veç po fillon të bindet se Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Qytetarët serbë, shtetas të Kosovës janë të bindur se vetëm institucionet e Prishtinës mund të bëjnë gjëra të mira për ta, duke u integruar në jetën e përditshme por edhe në institucionet e Kosovës. Unë do të jem pranë tyre për t'i përkrahur, për t’i ndihmuar dhe për të punuar për të mirën e të gjithëvë, në mënyrë që të ndëertojmë realitetin demokratik. E ardhmja e gjithë qytetarëve të Kosovës, adresa e sigurt për të gjihë është kryeqyteti Prishtina dhe institucionet legjitime”, tha zoti Thaci.

Serbët reaguan me zemërim ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës e cila u njoh nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian. Që nga shpallja e pavarësisë çdo ditë janë organizuar protesta në veriun Kosovës kundër këtij vendimi por edhe kundër vendeve që njohën pavarësinë. Protestat janë drejtuar edhe kundër Misionit të Bashkimit Evropian i cili gjatë 120 ditëve të ardhshme duhet të zëvendësojë Misionin e Kombeve të Bashkuara por me një mandat ndryshe prej tij. //ad//

XS
SM
MD
LG