Lidhje

Autori flet për librin "Ëndrra të prishura, premtime të thyera"


Në mbarë botën, gratë shtyhen në tregtinë e seksit ose në punë me paga të ulta me premtimin për një jetë më të mirë. Një libër i shkrimtarit Michael Viner , i titulluar "Shattered Dreams, Broken Promises", tregon historinë e disa grave nga Rusia dhe Evropa Lindore që i kanë ikur varfërisë dhe vinë në Shtetet e Bashkuara, ku ndeshen me një jetë të vështirë.

Viner tregon historitë e disa grave që kanë ikur nga ish Bashkimi Sovjetik dhe Evropa Lindore dhe janë vendosur në Shtetet e Bashkuara, ose kanë në plan të vinë në Amerikë. Historitë fillojnë me një të ve të moshuar, që banon në periferi të New York-ut. Në moshën 82 vjeçare ajo tregon se, në rini i kishte hyrë rrugës së prostitucionit për të rritur vëllezërit e saj të vegjël pas vdekjes së nënës. Shkrimtari thotë se ajo ishte internuar në një ishull të Rusisë ku mbaheshin prostitutat. "Ato jetonin në kushte shumë të vështira. Ato mbaheshin me paratë e marinarëve që ndalonin atje. Jetonin në banesa prej mbeturinash druri dhe anijesh të shkatërruara dhe përdornin për nevojat e tyre sende të hedhura nga njerëz të tjerë të varfër. Dhe ky ishull shërbeu për strehimin e tyre për shumë vite”. Kjo grua më në fund u martua me një amerikan dhe kështu u shpëtoi vështirësive të jetës. Shkrimtari intervistoi 200 gra në Rusi dhe në Shtetet e Bashkuara.

Rreth 20 prej tyre tregojnë historitë e tyre në librin "Shattered Dreams, Broken Promises". Zoti Viner thotë se shumica e tyre janë gra që kanë tentuar t’i shpëtojnë varfërisë dhe kushteve të vështira të jetesës në Rusinë pas sovjetike dhe në Evropën Lindore. "Në përgjithësi gjendja e tyre është përmirësuar, por ndër 200 gratë që kam intervistuar për këtë libër, 75 deri në 80 prej tyre thanë se përvoja e tyre e parë e hidhur kishte qënë dhunimi. Rreth 160 prej tyre ishin rritur vetëm me nënën”.

Një imigrante e re nga Los Angeles-i, e quajtur Jitka është nga Republika Çeke. Ajo erdhi në Amerikë 10 vjet më parë pasi kishte lexuar një lajmërim në gazetë, por kur mbërriti këtu përfundoi duke punuar me orë të zgjatura për shtatë ditë në javë në supermerkatë. "Unë e gjeta këtë lajmërim në një gazetë, që thoshte se në Shtetet e Bashkuara mund të gjesh punë. Meqë gjithnjë kisha dashur të vija në Amerikë, e kisha parë Amerikën në televizion, gjithmonë më kishte pëlqyer, por nuk e dija që realiteti ishte kaq i ndryshëm nga çfarë kisha parë në televizion”. Jitka kishte bërë shkollë për infermiere në vendin e saj dhe donte të bëhej ndihmës-mjeke. Autori i librit, Michael Viner, thotë se megjithë vështirësitë, disa nga gratë si Jitka, që ai intervistoi, kishin arritur të jetonin mirë, por shumë prej tyre ishin ndeshur me vështirësi të shumta. "Megjithëse disa nga gratë që kanë ikur nga ish Bashkimi Sovjetik sot janë martuar me njerëz të sukseshëm, shumica e tyre kanë përfundur në punë nga më të ndryshmet, ndërkohë që presin për t’u sistemuar me dokumente se përpiqen të mbledhin para për të ndihmuan nënat apo vajzat e tyre”. Ai thotë se këto janë historitë e grave që mbijetuan në përpjekjet e tyre për të ndërtuar një jetë më të mirë, megjithë vështirësitë e shumta që ndeshën. //rd//

XS
SM
MD
LG