Lidhje

Shqipëri: Rritet prodhimi i brendshëm, por defiçiti thellohet


Ekonomia shqiptare gjate vitit 2007 shënoi një rritje reale të prodhimit të brendshëm bruto prej 6 përqind dhe një normë inflacioni prej 2.9 për qind. Të dhënat u deklaruan mbrëmë nga Banka e Shqipërisë. Guvernatori i bankës Ardian Fullani u shpreh i kënaqur me ecurinë e parametrave ekonomik. Megjithatë deficiti tregtar sërish u thellua duke u rritur me 27 përqind, ndërkohë që një prej sektorëve bazë të ekonomisë, ai i ndërtimit shënoi një rënie prej 19 përqindësh.

“Ekonomia shqiptare është karakterizuar nga një rritje e qëndrueshme vjetore, mbajtje të inflacionit nën kontroll, si dhe konsolidim të mëtejshëm të stabilitetit financiar”, ky është përkufizimi i bërë nga Banka e Shqipërisë për zhvillimet ekonomike gjatë vitit 2007.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës së Bankës, guvernatori Ardian Fullani ka deklaruar mbrëmë se “parashikimet paraprake flasin për vazhdueshmëri të rritjes aktuale ekonomike edhe gjatë vitit 2008”.

Megjithë problemet e shumta të krijuara nga kriza energjitike apo dhe ndikimet e konjukturave të tregjeve ndërkombëtare rritja ekonomike reale gjatë vitit 2007 vlerësohet të ketë qenë rreth 6%, ose e njëjtë me rritjen e një viti më parë. Kontribuesit kryesorë në këtë rritje kanë qenë veçanërisht sektorët e transportit dhe telekomunikacionit, tregtisë, hotelerisë dhe restoranteve, si dhe ai i industrisë. Kanë qenë këta sektorë që kanë balancuar atë të ndërtimit, një ndër kontribuesit kryesore në Prodhimin e Brendshëm bruto por që gjatë vitit të shkuara pësoi një rënie pej 19 përqind sipas raportit.

Jo më mirë as sektori tjetër po aq domethënës në ekonominë shqiptare, Bujqësia. Banka e Shqipërisë rithekson nevojshmërinë e ndërmarrjes së reformave strukturore në bujqësi, me qëllim rritjen e eficiencës dhe prodhimit në këtë sektor, në mënyrë që një periudhë afatmesme të mund të zvogëlohen përmasat dhe efektet e goditjeve nga jashtë që kanë të bëjnë me prodhimet bujqësore.

Edhe inflacioni, pavarësisht tendencës së fortë rritëse që pati gjatë vjeshtës është mbajtur brenda normave të parashikuara prej 2-4 përqind. Sipas Guvernatorit Fullani vlerësohet që norma mesatare të ketë qenë 2.9 përqind. Kriza energjetike, çmimet në rritje të naftës dhe drithërave, si dhe rritja e çmimeve të importit, kanë qenë faktorët kryesorë të ofertës që kanë ndikuar në norma më të larta të inflacionit gjatë periudhës gusht – shtator 2007. Në të njëjtën kohë, në kahun e kërkesës, ka vepruar edhe rritja e vazhdueshme e kredisë për sektorin privat, e cila mbetet një faktor potencial që mbart rrezik në arritjen e objektivit të inflacionit. Ndërhyrjet energjike të vetë Bankës e cila gjatë vitit të shkuar rriti tre here me 0.25 pikë përqindje normën e interesit, duke e çuar atë në nivelin 6.25%, duket se kanë qenë vendimtare në mbajtjen nën kontroll të inflacionit.

Frika e përsëritur e Bankës mbetet mbi kreditimn e ekonomisë. Pavarësisht se normat e rritjes së kredisë kanë qenë në rënie të vazhdueshme gjatë dy viteve të fundit, ato mbeten ende në nivele të larta, prej rreth 48.5%, në prezencë të kërkesës së lartë të sektorit privat për kredi, si dhe të gatishmërisë së lartë nga ana e bankave për të kënaqur këtë kërkesë. Gjatë vitit 2007 raporti i kredisë për ekonominë ndaj PBB-së ka regjistruar zgjerim të ndjeshëm me 8.8 pikë përqindjeje duke arritur në 30% në muajin dhjetor. Banka saktëson se “ ritmet e larta të zgjerimit të portofolit të kredisë përfaqësojnë një proces normal për një ekonomi në zhvillim si e ajo e Shqipërisë. E rëndësishme në këtë proces – nënvizon Banka Qendrore - është që rritja e kreditimit të jetë e kontrolluar, për të mos paraqitur rrezik për stabilitetin e çmimeve, dhe njëkohësisht të vazhdojë të jetë e shëndetshme, në mënyrë që të evitohen implikime të padëshiruara për stabilitetin financiar në vend”.

Zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë kanë dëshmuar sërish për një rritje të mëtejshme të kërkesës së brendshme. Pavarësisht rritjes së eksporteve me ritme të njëjta me ato të rritjes së importeve, deficiti tregtar është rritur me 27% në terma vjetorë, duke arritur në nivelin 28% ndaj PBB. //kk//

XS
SM
MD
LG