Lidhje

Shtetet e Bashkuara hedhin poshtë çdo lloj ndarjeje të Kosovës


Një zyrtar i lartë i administratës së Presidentit Bush hodhi dje poshtë idenë e çdo lloj forme të ndarjes së Kosovës. Nënsekretari amerikan i shtetit për Çështje Politike, Nicholas Burns thotë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë po mbështesin pavarësinë e Kosovës në interes të një Ballkani të qëndrueshëm.

Zoti Burns, ashtu si edhe i dërguari i ri i posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovën Peter Feith, kundërshtoi prerë idenë e ndarjes së saj, si edhe hodhi poshtë argumentat e Serbisë për ta mbajtur atë nën kontroll.

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët evropianë e njohën pavarësinë e Kosovës javën e kaluar, duke u angazhuar gjithashtu për ndërmarrjen e hapave për të siguruar të drejtat e pakicës serbe.

Serbët në pjesën veriore të Kosovës dhe disa figura politike radikale në Serbi thonë se Beogradi duhet të vazhdojë të ketë nën kontroll serbët e Kosovës në një formë ose një tjetër.

Por në komentet para gazetarëve të huaj në Washington, duke përforcuar komentet që u mbajtën po dje nga diplomati Bashkimit Evropian Feith, zoti Burns tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë ose mbështesin ndonjë lëvizje drejt ndarjes qoftë jozyrtare, e kamufluar apo de jure.

Në të njëjtën kohë, zoti Burns kritikoi ashpër argumentat e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës, të shprehura nga Ministri i Jashtëm Serb Vuk Jeremic, që shprehej të mërkurën në një koment botuar në gazetën The New York Times, se vendit të tij po i imponohet një padrejtësi historike.

Zoti Burns, zyrtari i tretë më i rëndësishëm i Departamentit të Shtetit, tha se argumenti i zotit Jeremic dhe të tjerëve është hipokrit dhe e anashkalon brutalitetin serb ndaj Kosovës:

"Ata nuk kanë sesi ta harrojnë historinë e asaj që ndodhi në Ballkan në vitet 1990. Dhe në fakt është e çuditshme që të shohësh se kjo retorikë fyese vazhdon nga qeveria e Beogradit për atë që po ndodh në Kosovë, kur qeveria e tyre paraardhëse, në emër të vendit, marshoi në Kosovë në vitin 1999 dhe u përpoq të përzinte një milionë shqiptarë të Kosovës nga vendi, si edhe shkaktoi atë që ndodhi në Bosnje disa vjet para Kosovës”.

Në artikullin e gazetës The New York Times, zoti Jeremic, qeveria e të cilit i kishte ofruar një autonomi të gjerë Kosovës, tha se Serbia është viktimë e një hakmarrjeje të drejtuar keq të komunitetit ndërkombëtar.

Zoti Jeremic shprehej se njohja e Kosovës do të thoshte të ndëshkohej demokracia e re e Serbisë për aktet e një tirani, ish-udhëheqësit jugosllav Sllobodan Millosheviç, i cili shtonte ai, kreu krime mizore kundër shqiptarëve të Kosovës.

Sllobodan Millosheviç u përmbys në vitin 2000 dhe vdiq ndërsa ishte i pandehur për krime lufte në Hagë para dy vjetësh.

Zoti Burns, që pritet të tërhiqet nga detyra në Mars, ka luajtur një rol kyç në politikën amerikane në Ballkan vitet e fundit.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kryesorë të tyre e njohën Kosovën në interes të stabilitetit të Ballkanit dhe shprehu shpresën që të vijë një ditë që shteti i ri të arrijë të kërkojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Po ashtu zoti Burns tha se shpreson që lidhjet e Serbisë me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën të vazhdojnë të zhvillohen, pasi të ulen gjakrat lidhur me Kosovën.

Megjithatë, ai tha se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë qeverinë serbe përgjegjëse për atë që ndodh në rrugët e Beogradit, ku protestuesit i vunë zjarrin ambasadës amerikane dhe sulmuan disa misione diplomatike evropiane javën e kaluar.

Zoti Burns tha se autoritetet e Beogradit e kanë siguruar Washingtonin se nuk do të ketë përsëritje të ngjarjeve të tilla. //kk//

XS
SM
MD
LG