Lidhje

Marrëdhëniet britaniko-ruse në prag të zgjedhjeve në Rusi

  • Mendi Klark

Më 2 mars, votuesit në Rusi do të zgjedhin pasardhësin e presidentit Vladimir Putin, i cili është vlerësuar për rikthimin e ndikimit të vendit në arenën ndërkombëtare. Por në Perëndim po krijohet gjithnjë e më shqetësim, për atë që shihet si rizgjim i nacionalizmit, fuqisë dhe ndikimit rus.

Në një galeri të Londrës, njerëzit shijojnë vepra nga muzeumet më të njohura të Rusisë.

Ekspozita, për të cilën ishte shprehur një interesim shumë i madh, gati sa nuk u anullua sepse Moska shqetësohej se veprat mund të sekuestroheshin si pasojë e një mosmarrëveshjeje mbi pronësinë, që i ka fillimet që në kohën e Revolucionit Rus të vitit 1917.

Por të dyja qeveritë i dhanë zgjidhje mosmarrëveshjeve të tyre. Përgjegjësja e artit në Akademinë Mbretërore të Londrës, An Dumas, hedh poshtë mendimin se ekspozita po përdorej si një peng politik.

“Në fillim menduam se kjo kishte të bënte më shumë me probleme të gjera politike, por më pas kuptuam se kjo nuk ishte e vërtetë.”

Një aktivitet tjetër kulturor nuk shkoi edhe aq mirë. Në janar, Këshilli Britanik mbylli disa nga zyrat e tij kulturore në Shën Petersburg dhe Jakaterinburg nën presionin e shërbimeve ruse të zbulimit, të cilët kishin thirrur për të marrë në pyetje punonjësit rusë të organizatës.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë akuzoi Rusinë për “kërcënime”.

Kandidati presidencial dhe pasardhësi thuajse i sigurtë i zotit Putin, zëvendës-kryeministri i parë, Dimitri Medvedev akuzoi Britaninë për spiunazh.

Reagimi i tij habiti shumë vëzhgues politikë rusë, të cilët e shihin zotin Medvedev si një forcë liberale, që do të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve me Perëndimin. Por në intervistën e fundit, ai përsëri akuzoi Këshillin Britanik se është i përfshirë “në mbledhjen e informacioneve dhe kryerjen e aktiviteteve të spiunazhit.”

Ishte vdekja e një ish-agjenti rus në Londër që solli një rënie dramatike në marrëdhëniet midis Britanisë dhe Rusisë.

Aleksandër Litvinenko vdiq në nëntor të 2006, i helmuar me polonium radioaktiv. Policia britanike ka akuzuar një ish-agjent tjetër rus, Andrei Lugovoin, për vrasjen e tij. Rusia refuzon ekstradimin e tij për të dalë para gjykatës.

Gruaja e zotit Litvinenko, Marina, dyshon në se të shohë ndonjëherë se drejtësia do të vihet në vend.

“Shpresoj, por ky është më shumë optimizëm se sa realizëm. Kur kontaktova policinë britanike, më thanë se kishte prova shumë të forta dhe në qoftë se nuk do të ishin të tilla, ata asnjëherë nuk do të kërkonin ekstradimin e Lugovoit, sepse ata do të mund të parashikonin se do të krijoheshin probleme midis dy vendeve. Vrasja e bashkëshoritit tim nuk ishte organizuar nga zoti Putin, por jam plotësisht e sigurtë që nuk mund të ndodhte pa dijeninë e tij”.

Kjo është një akuzë që presidenti Putin gjithnjë e ka hedhur poshtë.

Ekspertja për Rusinë në Fakultetin Ekonomik të Londrës, Margot Lajt, thotë se Rusia ndjehet e kërcënuar nga revolucionet e fundit demokratike në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, Gjeorgji, Ukrahinë dhe Kirgistan.

“Moska po bindej se këto lëvizje popullore, të cilat nuk ishin të përgjakshme, por që sollën ndryshime të mëdha politike, ishin nxitur dhe financuar nga perëndimi dhe mendoj se më pas u bë frika kryesore se qeveritë perëndimore kishin vendosur që gjithashtu të bënin të njëjtën gjë në Rusi”.

Rusia gjithashtu kritikoi Britaninë, si dhe vende të tjera perëndimore, duke përfshirë dhe Shtetet e Bashkuara, për njohjen e pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt. Kandidati Medvedev tha se pavarësia e Kosovës nga Serbia kërcënon sigurinë dhe stabilitetin në Evropë, një mendim i kundërt me atë të vendeve perëndimore, të cilët thonë se Kosova është një rast unik për shkak të keqtrajtimeve nga Serbia.

Zonja Lajt thotë se një pikë tjetër delikate midis dy vendeve ka të bëjë me disidentët e pasur rusë, si Boris Berezovski. Ai është refugjat politik dhe Britania ka refuzuar ekstradimin e tij për në Rusi ku ai akuzohet për korrupsion politik dhe mashtrim. Megjithëse ende në Londër, ai ka kërcënuar se do të ndihmojë për rrëzimin nga pushteti të zotit Putin dhe partisë së tij.

“Mendoj se Berezovski luan një rol tepër provokues dhe shpesh e vë në pozitë të vështirë qeverinë britanike dhe mendoj se ai është paralajmëruar disa herë se e vetmja gjë që faktikisht do të kërcënojë pozicionin e tij është në qoftë se ai angazhohet në aktivitete të tilla që ai tha se nuk do t’i kryente kur mori statusin e refugjatit”.

Lidhur me ekspozimin e këtyre veprave të artit, Iriana Antonove e Muzeumit Pushkin në Moskë, shpjegon rëndësinë e kësaj paraqitjeje.

Zonja Antonove thotë se ekspozita ishte fillim i dialogut kulturor midis dy vendeve. Nevoja për dialog dhe mirëkuptim midis kulturave duket se është më domethënëse se kurrë më parë. (ze)

XS
SM
MD
LG