Lidhje

Arritjet e presidentit Vladimir Putin rus në politikë dhe në ekonomi


Në gusht të vitit 1999, Presidenti i atëhershëm i Rusisë, Boris Jeltsin, emëroi një ish oficer sigurimi, pak të njohur, në postin e kryeministrit. Në 31 dhjetor të po atij viti, ai u bë President në detyrë pas dorëheqjes së zoti Jeltsin.

Zoti Putin u zgjodh president në mars të vitit 2000 dhe u rizgjodh për një mandat tjetër katërvjeçar në 2004. Kushtetuta e Rusisë nuk e lejon atë për një mandat të tretë, kështu që ai do t’ia dorëzojë presidencën në maj fituesit të zgjedhjeve të së dielës.

Analistët thonë se kur zoti Putin mori pushtetin, ai trashëgoi një vend, i cili ishte duke vuajtur ende pasojat e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik 10 vjet më parë, një vend me ekonomi të falimentuar dhe politikisht të paqëndrueshëm.

Marshall Goldman është ekspert për Rusinë në Universitetin e Havardit.

“Më 1998, Rusia sapo kishin kaluar një krizë financiare e cila e çoi vendin drejt falimentimit. Rubla nuk kishte vlerë, deficiti buxhetor u thellua. Pronat shtetërore u morën nga një grup individësh privatë që më pas u quajtën oligarikë. Ishte një mjerim i qetë. Prodhimi i Përgjithshëm kishte rënë 40-50% nga ai i vitit 1990.”

Në atë kohë, zoti Putin tha se ai kërkonte t’i jepte fund anarkisë së viteve ’90.

Dell Herspring në Universitetin Shtetëror të Kansasit tha se ashtu siç e vuri re dhe zoti Putin, Rusia kishte dy probleme të mëdha.

“Së pari, nuk kishte pozitë të fortë ndërkombëtare dhe së dyti mbi gjithçka, qeveria qendrore, që për rusët gjothmonë ka qenë pikë kyçe, kishte dështuar. Objektivi i Putinit kur mori pushtetin ishte në dy drejtime. Ai donte ta bënte Rusinë një vend me më shumë ndikim në botë, dhe së dyti, ai e ndjente se duhej të rivendoste kontrollin qendror të Moskës mbi rajonet”.

Analistët thonë se gjatë presidencës së tij tetë-vjeçare, Vladimir Putin e konsolidoi pushtetin në Kremlin.

Majkëll Mekfaull në Universitetin e Stanfordit thotë se zoti Putin përdori metoda të shumta për forcimin e presidencës.

“Ai dobësoi fuqinë e shtypit të pavarur, të guvernatorëve dhe të parlamentit. Dhe më pas, gjatë presidencës së tij, ai dobësoi fuqinë e partive politike dhe aktivistëve të organizatave joqeveritare. Mendoj se është shumë e vështirë të veçosh ndonjë reformë politike që zoti Putin të ketë bërë dhe që të ketë forcuar demokracinë në Rusi. Pa dyshim, as bëhet fjalë për gjykatat dhe administratën e zgjedhur. Nuk ka asnjë reformë për forcimin e demokracisë”.

Me kalimin e viteve, shumë udhëheqës perëndimorë, duke përfshirë dhe Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Bush, kanë kritikuar zotin Putin për veprimet e tij jo demokratike. Organizata për të drejtat e njeriut, Freedom House, e rendit Rusinë sot midis vendeve “jo të lira”.

Në vitin 2000, pak kohë pazi zoti Putin mori pushtetin, Rusia cilësohej se pjesërisht e lirë.

Analisti, Dell Herspring thotë se një nga problemet është se Rusia dhe perëndimi kanë diferenca përsa i përket kuptimit të termit demokraci.

“Me demokraci një rus nuk nënkupton takimet me popullin në bashki, nuk nënkupton votimet, nuk nënkupton debatet apo argumentet që bëhen në vendet tona për, le të themi, një vend në bordin e arsimit të një distrikti. Për rusët, demokraci do të thotë një sistem që funsionon në mënyrë të rregullt, në të cilin autoritetet qendrore marrin vendimet e rëndësishme, por nuk ka shtypje. Pra ky është një problem i madh, një dallim i thellë filozofik.”

Në fushën ekonomike, Vladimir Putini ka vënë nën kontrollin e Kremilinit shumë nga industritë më të rëndësishme të Rusisë, duke përfshirë sektorin e naftës dhe gazit dhe duke detyruar shumë oligarkë të largohen nga vendi. Falë çmimit të lartë të naftës, ekonomia ka pësuar rritje me 6-7% në vit. Moska shleu të gjithë borxhin e saj të jashtëm dhe po krijohet një klasë e mesme.

Pavarësisht rritjes ekonomike, Robert Legvold në Universitetin e Kolumbias, thotë se zoti Putin nuk ka folur kurrë për një problem të madh në Rusi, për korrupsionin.

“Jo vetëm që është bërë fare pak për të luftuar korrupsionin në të gjithë nivelet, si në fushën e biznesit ashtu edhe në sistemin e drejtësisë, por në shumë drejtime korrupsioni është thelluar më tej.”

Por zoti Legvold thotë se zoti Putin ka arritur atë që kërkonte shumica e rusëve, kur ai erdhi në pushtet para 8 vjetësh.

“Ata thjesht donin të ishin një vend normal. Ne flasim për lirinë e grumbullimit, të shtypit, të fjalës, që janë bazë e të drejtave të njeriut. Por, për një rus të zakonshëm, liria për të udhëtuar, liria për të fituar dhe shpenzuar para, është gjëja më e mirë që njerëzit kanë parë në jetën e tyre, duke përfshirë dhe të moshuarit”.

Prandaj ekspertët thonë se zoti Putin është duke u larguar nga detyra me një mbështetje të opinionit publik prej 70%. Por ai nuk do të largohet përgjithmonë nga skena politike.

Në qoftë se pasuesi i tij, ashtu siç edhe pritet, zgjidhet Dimitri Mendvedev, ky i fundit ka premtuar të emërojë zotin Putin kryeministër. Analistët thonë se do të jetë interesante të shihet sa sa shumë pushtet do të vazhdojë të ketë zoti Putin në pozicionin e tij të ri. (ze)

XS
SM
MD
LG