Lidhje

Skiefer: Kosova një dhe e pandarë


Zyrtarë të NATO-s po japin sinjale të tjera se aleanca nuk do të lejojë një ndarje të Kosovës megjithë përpjekjet e Beogradit për të shkëputur lidhjet mes pakicës serbe dhe qeverisë qendrore në Prishtinë. Komentet u bënë dje në Uashington nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, i cili parashtroi axhendën e Aleancës në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë, më i madhi deri tani, dhe që do të mbahet pas 3 javësh në Bukuresht.

“Më shqetësojnë ato që thuhen për pjesën veriore të Kosovës. Nuk ka pjesë veriore. Sigurisht në sensin gjeografik, ka një pjesë veriore, por Kosova është një. Kosova është një. Dhe absolutisht nuk duhet ta pranojmë idenë se do të ketë dy Kosova. Nuk do të ketë dhe nuk mund jenë dy Kosova,” tha Sekretari i Përgjithshëm Scheffer.

Me këto komente zoti Scheffer reagoi ndaj zhvillimeve në pjesën veriore të shtetit të ri ku policët serbë të UNMIK-ut refuzojnë të marrin urdhëra nga komanda qendrore e dominuar nga shqiptarët dhe ku janë sulmuar postat kufitare.

NATO-ja mund të gjendet përballë sfidash të reja në Kosovë nëse tensionet në veri vazhdojnë. Zoti Scheffer e bëri të qartë se aleanca është e gatëshme të dërgojë trupa shtesë në Kosovë po qe se gjendja do të paraqitet e vështirë. Por ai nxitoi të shtonte se tani për tani nuk shihet një nevojë e tillë. “Nëse ky mandat i KFOR-it ka nevojë për forca shtesë, ne i kemi marrë masat. Nëse rezervat janë të nevojshme, rezervat do të shkojnë. Por deri tani nuk e kemi parë nevojën për forca shtesë në Kosovë."

Zoti Scheffer tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës deri tani nuk është shoqëruar me pasoja shqetësuese. "Nuk kemi parë zhvendosje masive popullsie deri tani, nuk kemi parë refugjatë, nuk kemi parë dhunë ndëretnike. Fatkeqësisht ka pasur retorikë të dëmshme nga Beogradi, iu vu zjarri ambasadës amerikane dhe misioneve të tjera, por KFOR-i me 16 mijë trupat e tij po bën detyrën e vet në Kosovë: po garanton një klimë sigurie dhe stabiliteti, sigurisht së bashku me UNMIK-un, forcën e policisë së Kombeve të Bashkuara dhe forcën kosovare të policisë". KFOR-i, theksoi Sekretari i Përgjithshëm, po vepron me besim të madh në të gjithë Kosovën. Tensionet në Kosovë vijnë në një kohë kur Aleanca i ka duart të zëna me Afganistanin.

Në fjalimin që Sekretari i Përgjithshëm Scheffer mbajti mbrëmë në Institutin Brookings në Uashington, ai u përpoq kryesisht të argumentojë rëndësinë që sipas tij ka pjesmarrja më aktive me trupa e vendeve të NATO-s në Afganistan për të forcuar sigurinë e shoqërive demokratike perëndimore dhe tha se kjo çështje do të jetë në krye të axhendës në takimin e Bukureshtit. Ai e bëri të qartë se përveç Afganistanit dhe Kosovës, kjo axhendë e ngarkuar në Bukuresht do të përfshijë edhe çështjen e zgjerimit të NATO-s, ku Shqipëria është ndër kandidatet e mundëshme bashkë me Kroacinë dhe Maqedoninë.

Ashtu si në deklaratat e mëparshme për çështjen e pranimit të tre vendeve ballkanike në NATO, zoti Scheffer nuk pranoi të shprehej me terma të qartë se si do të vendosë Aleanca por la të kuptohet se të treja vendet kanë bërë përparim të dukshëm në reformat që do t'i kualifikonin për anëtarësim. "Edhe tani që flasim, “biletat” për ftesat nuk janë shtypur ende. Përsa u përket ftesave, ato nuk jepen automatikisht. Pra këto vende duhet të vazhdojnë punën për reformat dhe duhet ta bëjnë procesin e reformave të pakthyeshëm", tha Sekretari i Përgjthshëm.

Aleanca i merr vendimet me konsensusin e të gjitha shteteve anëtare prandaj zyrtarët e saj më të lartë janë të kujdesshëm në deklaratat se cili vend do të marrë ftesën për anëtarësim.

Megjithatë, zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit për çështjet europiane, Kurt Volker i tha Zërit të Amerikës se përparimi i bërë nga të treja vendet kandidate, duke përfshirë Shqipërinë, ka qenë i shkëlqyer: "Ne mendojmë se ato kanë bërë një punë të shkëlqyer. Rezultatet e të tre vendeve kanë qenë mjaft të fuqishme dhe këto ne do t'i diskutojmë në NATO, ku vendimi merret me konsensus. Pra, bazuar në rezultatet, bazuar në kontributet për sigurinë, ne mendojmë se ato kanë bërë shumë dhe ne i mbështesim aspiratat e tyre," tha zyrtari amerikan.

Zoti Volker, i cili është emëruar nga Presidenti Bush si ambasador i Shteteve të Bashkuara në NATO dhe pret konfirmimin e Senatit, tha se anëtarësimi i të tre vendeve në Aleancë, do të kontribuonte në sigurinë afatgjatë të rajonit, sidomos tani në kushtet kur është shpallur pavarësia e Kosovës. "Ky është një rast i mirë në Ballkan për të lënë pas një herë e mirë dhunën e viteve 90, dhe për ta futur të gjithë rajonin në shekullin e 21," tha zyrtari i lartë amerikan. //rd//

XS
SM
MD
LG