Lidhje

Zgjedhjet në Rusi - Cili është Dmitri Medvedev?


Të dielën, rusët do të votojnë për të zgjedhur presidentin. Por nga të katër kandidatër që konkurrojnë për këtë post, njëri është favoriti i padiskutueshëm për të fituar. Ai është zëvendës kryeministri i parë Dmitry Medvedev, i cili mbështetet nga Kremlini. Por sa dinë rusët për këtë njeri i cili sipas të gjitha gjasave do të bëhet president, përveç faktit se ai mbështetet nga presidenti i tanishëm Vladimir Putin? Jo shumë, përgjigjen analistët.

Nëse fiton në zgjedhjet presidenciale të së dielës, gjë që tashmë duket e sigurt, 42-vjeçari Dmitri Medvedev do të bëhet udhëheqësi më i ri i vendit që nga revolucioni bolshevik i vitit 1917. E megjithatë, Medvedevi nuk ka qenë kurrë një politikan profesionist. Ja ç’thotë Lilia Shevtsova e Institutit Carnegie për Paqen Ndërkombëtare. "Deri tani, zoti Medvedev, në një farë mase ishte zoti Askush, nëse flasim për politikën publike. Ai është menaxher shumë i mirë, kjo dihet me siguri sepse ka qenë shumë i suksesshëm në biznesin e tij. Është gjithashtu një burokrat shumë i mirë." Kritikët e akuzojnë udhëheqjen e tanishme ruse se po shkatërron median e lirë dhe institucionet demokratike.

Megjithatë - ose ndoshta për shkak se zërat e opozitës nuk dëgjohen në Rusi - anketat tregojnë se besimi i publikut te zoti Vladimir Putin është më shumë se 70 përqind. Edhe popullariteti i Dmitri Medvedevit është në rritje. Sipas anketave të fundit, dy të tretat e qytetarëve rusë thonë se kanë besim te zoti Medvedev si politikan pasi ata kanë besim te zoti Putin. Zëvendëskryeministri madje nuk ka pranuar të marrë pjesë në debate televizive me tre kandidatët e tjerë për president. Analisti Evgeni Volk i Institutit Heritage shprehet: "Për zotin Putin, Medvedevi është kandidati më besnik, sepse ata kanë punuar bashkë për pothuajse dy dekada. Ai është gjithashtu njeriu i cili karrierën e tij profesionale dhe politike ia detyron zotit Putin dhe vetëm atij."

Megjithatë, nëse zgjidhet, Dmitri Medvedev vështirë se do të ketë të gjitha frenat e pushtetit siç i kishte zoti Vladimir Putin. Presidenti i tanishëm ka thënë disa herë se ai do të dëshironte të qendronte në pushtet pasi t’i mbarojë mandati presidencial dhe mund të bëhet kryeministër. Përsëri Lilya Shevtsova: "Ne tashmë e dimë se cili do të jetë bosi i Kremlinit. Problemi është se nuk e dimë ende se kush do ta sundojë Rusinë. Nuk dimë ende se cilat do të jenë rregullat e lojës." Nëse bëhet president, Medvedevi do të trashëgojë një vend i cili është dëshmitar i një vërshimi të paparë parash nga rritja e çmimeve të naftës.

Megjithatë, probleme si inflacioni i lartë, mbeten. Ekonomistët parashikojnë se inflacioni mund të rritet deri në 15% këtë vit, megjithëse qeveria i ka ngrirë çmimet për produkte të tilla si buka, qumështi, vaji dhe vezët. Përsëri Evgeni Volk: "Ky është një komplikim shumë serioz për zotin Medvedev, sepse rritja e shpenzimeve buxhetore që po ndodh tani do të duket pas 4-5 muajsh kur në fuqi të jetë Medvedevi. Dhe këto probleme që do të ketë Medvedevi gjatë muajve të parë të presidencës mund t’ja dëmtojnë imazhin dhe popullaritetin sepse inflacioni do të rritet." Shumë rusë thonë se do të votojnë për zotin Medvedev thjesht për hir të presidentit Putin – për të cilin ata besojnë se i solli stabilitetin vendit.

Por analisti Evgeni Volk mendon se nëse Dmitri Medvedev detyrohet të përballet me problemet ekonomike të lëna nga paraardhësi, atij ndoshta do t’i duhet të ecë në rrugën e vet. "Historia na tregon se, kur disa njerëz vijnë në fuqi, ata mund të ndryshojnë në mënyrë dramatike. Prandaj mund të ndryshojë edhe ajo që tani duket si besnikëri e plotë e zotit Medvedev ndaj zotit Putin." Vetë zoti Putin është shembulli më i mirë. Ai u soll në pushtet në vitin 1999 nga Boris Yeltsini, i cili e hapi vendin për reformat demokratike. Por zoti Putin i ka sprapsur shumë nga këto reforma, në atë masë, saqë sipas kritikëve do të duhen vite për rigjallërimin e institucioneve demokratike. //rd//

XS
SM
MD
LG