Lidhje

Çeçenia në paqe të paqëndrueshme por çeçenët të lodhur nga luftrat


Në Republikën e Çeçenisë zhvillohet luftë për pavarësinë nga Rusia që nga shekulli i 19-të, dhe gjatë 14 vjetëve të fundit atje ka patur dy luftra. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Moskë Peter Fedynsky vizitoi kohët e fundit kryeqytetin e Çeçenisë, Grozni, dhe njofton për një paqe të paqëndrueshme në një vend ku jeton një popull krenar për trashëgiminë e tij, por i lodhur nga luftrat.

Udhëheqësit çeçenë sot po flasin shpesh me terma kategorike, duke thënë se republika e tyre e vogël e Kaukazit, do të jetë kurdoherë pjesë e Rusisë; presidenti i vrarë Akhmad Kadyrov do të mbetet kurdoherë i pavdekshëm në zemrat e çeçenëve; dhe pjesëmarrja në zgjedhjet lokale ishte thuajse 100 për qind.

Shefi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Çeçenisë, Ismail Baikhanov, shpjegon domethënien e kësaj shifre thuajse perfekte, që zakonisht ndodh kur zgjedhjet janë të manipuluara, në shtete autoritare. "Para së gjithash, kjo përfaqëson besimin tek autoritetet. Në të njëjtën kohë, ndryshimet pozitive në republikën tonë gjatë dy vjetëve të fundit, si të thuash, detyrojnë çdo qytetar të marrë pjesë në procesin elektoral".

Portretet e Presidentit çeçen Ramzan Kadyrov, të babait i tij të vrarë dhe të udhëheqësit rus Vladimir Putin ndodhen kudo: nëpër shkolla, në zyrat qeveritare dhe “i përshëndesin” pasagjerët, që në aeroportin e Groznit. Udhëheqësi çeçen 31-vjeçar, boksier amator, rreshton përparësitë e tij. "Siguria, ndërtimi dhe pastaj ekonomia. Ne kemi një strategji, kemi procedura dhe afate kohore. Dhe i qëndrojmë besnik orareve".

Zyrtarët çeçenë i japin Presidentit Kadyrov merita për ndërtimin e qyteteve të shkatërruara gjatë dy luftrave më të fundit kundër Rusisë. Me të vërtetë, Grozni tregon disa shenja nga luftrat, por autoritetet në Shali, pranë kryeqytetit, mburren se qyteti i tyre i dëmtuar rëndë u ndërtua vetëm në tre muaj.

Por prania e një policie të armatosur deri në dhëmbë, e pranishme kudo, shpreh tensionin e vazhdueshëm që ekziston në republikën malore. Agjencia ruse e lajmeve Interfax njofton se forcat e Ministrisë së Brendshme kryen 2 mijë operacione kundër forcave rebele çeçene gjatë vitit të fundit dhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha në janar se Çeçenia mbetet shumë e rrezikshme për gazetarët e pavarur. Për këtë arsye, ministria e tij kohët e fundit organizoi një turne 48-orësh për korrespondentët e huaj, duke u lejuar atyre vetëm 90 minuta për t’u njohur me njerëzit në Grozni.

Një vizitë e shpejtë në treg zbuloi se shumë njerëz janë të lodhur nga lufta, por ata nuk janë dakord me pretendimet e zyrtarëve për mbështetjen e madhe të popullit dhe për suksesin ekonomik të vendit. Megjithatë, as edhe një individ i vetëm nuk do t’i pohonte këto para kamerës, duke thënë se kishin frikë se mos ndëshkoheshin. Ankesat e popullit kanë të bëjnë me papunësinë, mungesën e strehimit, korrupsionin, kontrollet e policisë nëpër dyqane dhe aspiratat e pashpresa për pavarësinë nga Rusia.

Çeçenët kanë luftuar kundër Rusisë që nga mesi i shekullit të 19-të, kur trupat cariste pushtuan vendin e tyre. Çeçenia deklaroi pavarësinë pas Luftës së Parë Botërore dhe luftoi kundër trupave sovjetike gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rreth 100 mijë njerëz, apo rreth 10 për qind e popullsisë, mund të kenë vdekur në dy luftrat, që nga vitit 1944. Gjysëm milioni të tjerë u zhvendosën dhe gjithashtu shumë rusë janë larguar nga republika. Presidenti Kadyrov thotë se çeçenët tani duan të jenë pjesë e Rusisë përgjithmonë. //rd//

XS
SM
MD
LG