Lidhje

Dmitri Medvedev fiton zgjedhjet presidenciale në Rusi


Dmitri Medvedev, kandidati i përzgjedhur nga Presidenti Vladimir Putin fitoi lehtësisht zgjedhjet e djeshme, pavarësisht nga pretendimet e opozitës për mashtrim me votat.

Me 80 për qind të votave të numuruara, zoti Medvedev kishte fituar 70 për qind të tyre, me një distancë të madhe në krahasim me kreun e partisë komuniste Gennady Zyuganov, i cili ka marrë 18 për qind dhe ultranacionalistin Vladimir Zhirinovsky që ka marrë 10 për qind.

Zoti Putin deklaroi fitoren e zotit Medvedev dhe e uroi pasuesin e tij 42 vjeçar dje në mbrëmje. Të dy ata u shfaqën në festimet që u mbajtën nën dëborën që binte në Sheshin e Kuq të Moskës. Zoti Medvedev ka thënë se do ta emërojë zotin Putin kryeministër dhe se do të ndjekë të gjitha politikat e tij.

Por më pas në një konferencë shtypi, zoti Medvedev tha se kushtetuta ruse i ka të përcaktuara qartë të dyja postet. Ai tha se është presidenti rus ai që përcakton politikën e jashtme. Zoti Medvedev tha se vizita e tij e parë jashtë vendit si president do të ishte në një shtet të ish-Bashkimit Sovjetik, duke i quajtu marrëdhëniet me qeveritë e vendeve ish sovjetike një përparësi të politikës së jashtme.

Pavarësisht nga pretendimet për manipulime si nga zoti Zyuganov, ashtu edhe nga zoti Zhirinovski, zoti Putin tha se procesi zgjedhor ishte përmbajtur me përpikmëri kushtetutës ruse. //kk//

XS
SM
MD
LG