Lidhje

Amerikanët, jo të ngurtë ndaj një besimi fetar


Një anketë e rëndësishme rreth shpërndarjes gjeografike të besimeve fetare në Shtetet e Bashkuara tregon se amerikanët po eksplorojnë fe të ndryshme që nga fëmijëria. Raporti tregon se si përkatësitë fetare nuk janë më aq të ngurta në vendin me shumëllojshmërinë më të madhe të besimeve.

Anketa e bazuar në intervista me 35 mijë amerikanë përbën studimin e parë të madh prej shumë vitesh rreth shpërndarjes së besimeve fetare në Shtetet e Bashkuara. Anketa e zhvilluar nga Forumi Pew për Fenë dhe Jetën Publike, zbuloi dy të dhëna të rëndësishme: shumëllojshmërinë e grupeve fetare në Shtetet e Bashkuara dhe eksplorimin e identiteteve të ndryshme fetare nga amerikanët. Gregori Smith është autori kryesor i studimit. Ja si shprehet ai:

“Më shumë se katër në dhjetë amerikanë i përkasin një besimi fetar që është i ndryshëm nga feja me të cilën janë rritur. Por, çfarë pasojash po sjell kjo? Fituesit në këtë proces ndryshimi janë ata që nuk kanë përkatësi fetare.”

Sipas anketës, 16 përqind e amerikanëve nuk kanë ndonjë përkatësi fetare, por kjo nuk do të thotë se ata nuk besojnë fare. Vetëm një pjesë e vogël e tyre e quajnë veten ateistë ose agnostikë. Papa Benediktit do të bëjë pas pak javësh vizitën e parë në Shtetet e Bashkuara dhe zoti Smith thotë se kisha katolike është prekur thellë nga ndryshimet në përkatësitë fetare:

“Rreth një në dhjetë amerikanë janë ish katolikë. Por këtu ka një paradoks; megjithëse katolikët kanë humbur shumë pjesëtarë nga ndryshimi i besimit, numri i përgjithshëm i katolikëve në përpjestim me popullsinë ka mbetur i pandryshuar - rreth 25 përqind.”

Zoti Smith ia atribuon këtë fluksit të madh të imigrantëve hispanikë të cilët, sipas studimit, janë shumica katolikë. Edhe fetë e tjera kanë përfituar nga imigrantët, duke përfshirë myslimanët:

“Kemi zbuluar se rreth dy të tretat e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara janë imigrantë, ndërsa pjesa tjetër janë lindur këtu.” - thotë ai.

Studimi i zotit Smith zbulon se besimet e njerëzve, përkatësitë fetare dhe sjelljet kanë ndikim në pikëpamjet e tyre politike dhe sociale. Prandaj, thotë ai, është e kuptueshme që nëse besimi fetar i amerikanëve ndryshon, ashtu ndryshojnë edhe pikëpamjet e tyre politike. Stiven Uejni është profesor i politikës në Universitetin Xhorxhtaun në Uashington:

“Nëse do të doja të kuptoja se për kë voton një njeri dhe pyetja që mund t’i bëj duhet të jetë e lidhur me fenë, atëherë unë nuk do ta pyesja nëse është katolik, protestant apo hebre, por sa shpesh merr pjesë në shërbimet fetare. Sa më shpesh të marrë pjesë aq më shumë mundësi ka që ai njeri të votojë për republikanët, ndërsa në të kundërt shanset janë që ai të votojë për demokratët.” - thotë ai.

"Forumi Pew për Fenë dhe Jetën Publike" do të publikojë raporte të tjera mbi përhapjen e besimeve fetare mes amerikanëve si dhe mbi pikëpamjet e tyre sociale dhe politike.//lk

XS
SM
MD
LG