Lidhje

Shqipëri:  Debate në parlament për raportin amerikan mbi narkotikët


Në Shqipëri, parlamenti u përfshi mbrëmë në debate lidhur me vlerësimet e raportit të fundit të Departamentit amerikan të Shtetit për krimin dhe pastrimin e parave. Ndërsa përfaqësuesit e opozitës e cilësuan atë si një shuplakë për qeverinë, zëvendëskryeministri Gazmend Oketa dhe ministri i Brendshëm Bujar Nishani thanë se raporti ka vlerësuar përpjekjet e Shqipërisë dhe se ai është më pozitiv se raportet e viteve të mëparshme.

Siç ndodh rëndom, në të gjitha rastet kur bëhet fjalë për raporte ndërkombëtare mbi Shqipërinë, këndvështrimet e dy krahëve të politikës shqiptare janë mjaft të kundërta dhe i ngjajnë diskutimeve rreth gotës së ujit, nëse ajo është gjysëm plot apo gjysëm bosh. Kështu njëra palë, opozita, sheh thuajse vetëm anën kritike të raportit, ndërsa përfaqësuesit e shumicës nënvizojnë paragrafët ku përmenden vlerësimet pozitive.

Në raportin e përvitshëm për drogën dhe pastrimin e parave, Departamenti amerikan i Shtetit vlerësonte se Shqipëria kishte bërë përmirësim në luftën kundër narkotikëve dhe krimit financiar, por se përpjekjet e saj pengohen ende nga korrupsioni, mangësitë profesionale në strukturat e rendit, sistemi i pareformuar gjyqësor, si edhe ekonomia informale.

Shqipëria, sipas raportit, shërben si një vend tranzit për trafikun e heroinës nga vendet e Azisë Qendrore në Evropën Perëndimore. Qeveria, thuhet në raport, në përgjigje të trysnisë dhe me ndihmë ndërkombëtare, po i lufton më me agresivitet elementët kriminalë, por puna e saj vazhdon të pengohet nga mungesa e burimeve dhe përhapja e madhe e korrupsionit.

Përfaqësuesit e opozitës së majtë mbrëmë në parlament e cilësuan raportin si një shuplakë të fortë që i jepet qeverisë e cila sipas saj nuk po përmbush premtimet e bëra. Deputetët socialistë folën për dështim, sipas tyre, të punës së policisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.

Por një lexim tjetër i bënë raportit përfaqësuesit e qeverisë. Zëvendëskryemnistri Gazmend Oketa theksoi se raporti për Shqipërinë është pjesë e një vlerësimi për shumë vende dhe se të dhënat e shfrytëzuar prej tij janë kryesisht prej organizatave jo qeveritare. Ai theksoi se megjithatë përpjekjet e Shqipërisë janë vlersuar pozitivisht.

Edhe ministri i brendshëm Bujar Nishani duke pranuar se mbetet ende shumë për të bërë tha se raporti ka një përmirësim të dukshëm në vlerësimet e tij për Shqipërinë, krahasuar me ato të viteve më parë.

Ai u ndal në trajtimin e trafikut të drogës, ku siç u shpreh, në raportet e mpërshme flitej për një situatë problematike, ndërkohë që tashmë gjëndja nuk konsiderohet më e tillë. Ndërsa më parë, shtoi ministri i brendshëm, nga Shqipëria kalonin tonelata droge, tashmë sasitë janë reduktuar ndjeshëm. Qeveria tha ai i njeh të gjitha shqetësimet e problemet dhe se ato janë pjesë e angazhimit të strukturave të policisë për ta kthyer Shqipërinë në një vend më të sigurt. //ii

XS
SM
MD
LG