Lidhje

Obama, Klinton, të mbërthyer në një garë të fortë në Ohio dhe Texas

  • Sindi Sejn

Në zgjedhjet e sotme paraprake në shtetet Teksas, Ohajo, Rode Ajlënd dhe Vermont pritet një pjesëmarrje e lartë. Sipas anketave të opinionit publik, senatorët demokratë Barak Obama dhe Hillari Klinton janë mbërthyer në një garë të fortë në shtetet e Teksasit dhe Ohajos. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës nga kandidatët republikanë, senatori Xhon Mekein mund të sigurojë sonte fitoren përfundimtare.

Senatorja Hillari Klinton po lufton për të mbajtur gjallë endërrën që të bëhet gruaja e parë në histori presidente e Shteteve të Bashkuara. Anketat flasin për një garë të fortë, mes saj dhe senatorit Obama, në Teksas, të vështirë për t’u parashikuar.

Në Ohajo duket se zonja Klinton ka një avantazh të lehtë ndaj rivalit Obama. Zonja Klinton do të jetë në Ohajo për të pritur rezultatet e votimit. Bashkëshorti i saj, ish presidenti Bill Klinton, ka thënë se ajo ka nevojë të fitojë si në Teksas edhe në Ohajo, për të qënë në gjendje të vazhdojë fushatën.

Por gjatë komenteve të saj të fundit në Teksas, të hënën në mbrëmje, zonja Klinton la të kuptohet, se edhe në se nuk fiton në të dy shtetet, ajo mund ta vazhdodjë betejën:

“Është ende një garë shumë e fortë, si përsa i përket votave në tërësi, ashtu edhe numrit të delegatëve,” - tha ajo.

Senatori Barak Obama, i cili synon të bëhet presidenti i parë afrikano-amerikan, deri tani ka siguruar një numër më të madh delegatësh se senatorja Klinton dhe në garën e sotme shkon pas fitoreve të një-pas-njëshme në 11 shtete, që nga "Super e Marta" e 5 shkurtit.

Synimi i tij sonte është t’i japë një goditje të rëndë senatores Klinton, duke fituar në të dy shtetet, Teksas dhe Ohajo. Por duke zhvilluar sot fushatë në Teksas, senatori Obama u tha përkrahësve të tij se beteja nuk mund të quhet e përfunduar.

“Ne duhet të punojmë në këto orë të fundit. Në se keni votuar, shkoni dhe bindni të tjerë për të dalë për të votuar,” - tha ai.

Pjesëmarrja në votime në orët e para ishte e lartë në Teksas, duke arritur në gati 60 përqind. Sipas anketave, në dy shtetet e tjera ku zhvillohen votime sot, senatori Obama kryeson dukshëm në Vermont, ndërsa senatorja Klinton kryeson në shtetin Rode Ajlënd.

Në të katër shtetet zhvillohen zgjedhje edhe për partinë republikane. Nga të katër shtetet do të dalin 256 delegatë për kuvendin republikan. Senatori Xhon Mekein ka nevojë vetëm për 177 delegatë të tjerë për të siguruar fitoren në kuvendin e partisë që mblidhet në shtator.

Rivali i tij kryesor që ka mbetur, ish guvernatori i shtetit Arkansa, Majk Hakëbi, ka thënë se do të mbesë në garë derisa kandidati brenda partisë të sigurojë numrin e duhur të delegatëve për t’u zgjedhur. Senatori Mekein, duke e patur thuajse të sigurtë fitoren, ka filluar t’i përqëndrojë energjitë ndaj rivalëve të tij demokratë për zgjedhjet e nëntorit.//lk

XS
SM
MD
LG