Lidhje

Siguria kufitare, çështje e nxehtë e debatit presidencial


Në shtetin e Teksasit, një nga çështjet më të debatueshme ka qenë ndërtimi i një gardhi ndarës në kufirin me Meksikën. Në vitin 2006, Presidenti George Bush nënshkroi një ligj, i cili autorizonte ndërtimin e gardhit prej më tepër se 1 mijë kilometrash, i cili synon ndalimin e hyrjes së imigrantëve të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara nga Meksika. Tani që Teksasi është në qendër të debatit në garën presidenciale, kjo çështje ka dalë përsëri në qendër të vëmendjes.

Qyteti i Laredos, në Teksas, ndodhet në anën tjetër të lumit Rio Grande, që ndan Shtetet e Bashkuara me Meksikën dhe është një prej pikë-kalimeve kufitare më të ngarkuara mes të dy vendeve. Agjencia Amerikane e Doganave dhe Mbrotjes së Kufirit thotë se çdo vit, mbi 4 milionë njerëz kalojnë kufirin në Laredo dhe nga ky pikëkalim zhvillohet rreth 40 për qind e tregtisë mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Kjo zonë është në qendër të debatit, në se Shtetet e Bashkuara duhet të ndërtojnë një barrierë përgjatë kufirit SHBA - Meksikë, për trajtimin e çështjes së imigracionit të paligjshëm dhe kontrabandës. Kryetari i Bashkisë së Laredos, Raul Salinas, e kundërshton me forcë ndërtimin e gardhit ndarës. Ai thotë se duhen marrë masa alternative për trajtimin e këtij problemi.

“Ne duhet të bëjmë diçka pozitive dhe jo diçka negative. Unë jam i mendimit se muri ndarës i çon dëm paratë e taksapaguesve dhe se nuk është i drejtë ndërtimi i tij. Ka projekte të tjera që ne duhet të angazhohemi, ekziston për shembull një program për hyrjen e njerëzve me viza pune. Njerëzit duan të punojnë, t’ua japim atyre këtë mundësi.”

Në Laredo, 90 për qind e banorëve janë hispanikë; një anketim i CNN-it tregon se mbi 70 për qind e popullsisë hispanike të Teksasit mendojnë se gardhi nuk do të pakësonte numrin e imigrantëve të paligjshëm që hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Por autoritetet e zbatimit të ligjit në Laredo bënë thirrje për më tepër përpjekje në sigurimin e kufijve, për shkak të rrezikut të krimeve.

Si rezultat i një lufte për terren mes karteleve meksikane të drogës gjatë 5 vjetëve të fundit në Nuevo Laredon fqinje, në Meksikë, qindra persona humbën jetën. Klanet luftojnë për të kontrolluar tregtinë e paligjshme të drogës përmes këtij pikëkalimi kufitar të ngarkuar, për në Shtetet e Bashkuara. Banori i Laredos, Anton Peterson thotë se kjo është një arsye e mirë për të forcuar sigurinë kufitare.

“Ka probleme me drogat, si dhe me trafikantët e imigrantëve të paligjshëm dhe unë jam i mendimit se është tepër e rëndësishme, që Kongresi dhe Presidenti i ardhshëm ta marrë në konsideratë këtë çështje.”

Sharon Navarro, profesor i shkencave politike në Universitetin e Teksasit, në San Antonio, thotë se liberalimi i lëvizjeve në kufi është çështje grindjesh mes zyrtarëve të lokalë.

"Tregtia, ekonomia informale, ekzistojnë në të dy anët e kufirit, prandaj është një çështje tepër e rëndësishme për ekonominë në të dy anët e kufirit. Dhe në anën tjetër, kemi çështjen e sigurisë. Në Laredo është problem i madh kriminaliteti që vjen nga ana tjetër e kufirit. Pra, ata kanë dy objektiva të ndryshme, të cilat është tepër e vështirë të trajtohen.”

Në vitin 2006, të tre kandidatët e tanishëm për president, Hillari Klinton Barak Obama, dhe Xhon Mekein, votuan për ndërtimin e gardhit ndarës. Por, në një debat të kohëve të fundit në kryeqyetin e Teksasit, të dy kandidatët demokratë thanë se shtimi i patrullimeve dhe përmirësimi i metodave të survejimit do të ishte një zgjidhje më e mirë. Kur kanë mbetur 8 muaj nga zgjedhjet presidenciale, çështja e sigurimit sa më mirë të kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, është e sigurtë se do të jetë një çështje debati të nxehtë.//lk

XS
SM
MD
LG