Lidhje

BE: Shqipëria të përparojë me reformat


Bashkimi Europian shpalli sot disa nisma të reja dhe zgjerimin e atyre ekzistuese për të përshpejtuar integrimin e vendeve të Ballkanit perëndimor. Në këto përfshihet edhe hapja e bisedimeve për liberalizimin e vizave. Zyrtarisht me Shqipërinë këto bisedime nisin pas dy ditësh. Shqipërisë megjithë vlerësimet për ecurinë e deritanishme, i kërkohet realizimi i reformës zgjedhore, forcimi i shtetit ligjor, përparim në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe reforma në sistemin e gjyqësor, të cilat konsiderohen si cështje kyce për të ardhmen e vendit.

Bashkimi Europian vlerëson se është në interesin e tij dhe të Europës në tërësi që rajoni i Ballkanit të ecë përpara në reformat politike dhe ekonomike.

Për këtë arsye komisioneri për Zgjerimin Olli Rehn bëri sot publike në Bruksel synimin e Komisionit për të forcuar bashkëpunimn me vendet e rajonit dhe të nxisë përparimin e tyre më të shpejtë drejt integrimit. Komisioni ka prezantuar një sërë nismash të reja dhe zgjerim të atyre ekzistuese që shkojnë nga liberalizimi i vizave, rritja e bursave për studentët, zhvillimin e forcimin e shoqërisë civile, deri në krijimin e një rrjeti rajonal të transportit.

Në document, tha komisioneri Rehn ne u dërgojmë mesazhe të shkurtra politike secilit prej vendeve duke vënë theksin në fushat që kanë më shumë rëndësi për hapat e tyre të mëtejshëm drejt anëtarësimit. Për Shqipërinë këto mesazhe u përcollën nga ambasadori i delegacionit të Komisionit europian në Tiranë Helmut Lohan.

Duke cituar dokumentin ai tha se "Shqipëria ka bërë përparim për reformat dhe përafrimin e legjislacionit. Vendi po zbaton mirë marrëveshjen e ndërmjetme pas nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe se ka aritur ta dëshmojë këtë me fakte. Udhëheqësit politik, vazhdoi më tej ambasadori Lohan kanë premtuar për të ecur përpara e të bashkëpunojnë për reformat kyce". Por kërkesat për Shqipërinë vazhdojnë të mbeten po ato: "Reforma elektorale, fuqizimi i shtetit ligjor, reforma në sistemin gjyqësor, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë cështje qëndrore. Përmirësimi i klimës në parlament do të ndihmonte për të ecur përpara në këto çështje".

Në dokumentin e Bashkimit Europian thuhet më tej se "Shqipëria do të zhvillojë më tej marrëdhëniet me BE, me kusht që të vazhdojë të zbatojë në mënyrë të kënaqshme marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, të sigurojë që zgjedhjet të zhvillohen në përputhje të plotë me standartet ndërkombëtare, të forcojë shtetin ligjor, mjedisin e biznesit dhe konkurueshmërinë e ekonomisë".

Për çështjen e zgjedhjeve ambasadori Lohan u tregua optimist duke vlerësuar dialogun politik për të por duke evituar komentet mbi tensione e forta politike mbi këtë teme: "Ky dialog do të çojë në një marrëveshje për sistemin e zgjedhjeve të vitit 2009, një marrëveshje që do të arrihet shumë përpara datës. Unë pres që të gjithë faktorët politikë do të bëjnë përpjekjet e duhura që Shqipëria të ecë përpara e të vërtetoje për të gjithë se është një vend që di të organizojë zgjedhje dhe ato të arrijnë standartet ndërkombëtare".

Në nismat e reja të Bashkimit Europian, ajo që paraqet interes për Shqipërinë është edhe çështja e vizave. Pasnesër në Tiranë, zëvendëspresidenti i Komisionit Europian Franco Frattini do të vijë në Tiranë për të hapur bisedimet me Shqipërinë për liberalizmin e vizave. Një hap mjaft i rëndësishëm ndonëse do të kërkojë një periudhë të gjatë. Megjithatë kohëzgjatja është në dorë të shtetit shqiptar, nëse do të arrijë t’i përgjigjet në kohë detyrimeve për këtë çështje.//rd//

XS
SM
MD
LG