Lidhje

A po shkon ekonomia amerikane drejt stagflacionit?


Shqetësimet e recesionit dhe pritshmëria për një ulje të mëtejshme të normave të interesit, po ndihmojnë në shtimin e frikës së inflacionit në ekonominë amerikane. Me çmimet e konsumit që po rriten me ritmin më të shpejtë në 16 vjet, analistët e financave thonë se frika e një stagflacioni është tepër reale.

Të rënduara nga çmimet në rritje të ushqimit dhe energjisë, raportet e fundit qeveritare e paraqesin ekonominë amerikane në vend numëro. Me tregjet e shtrënguara të kredive dhe të shtëpive që vazhdojnë të rëndojnë mbi ekonominë, shumë analistë presin që Rezervat Federale do të ndërhyjnë për të ulur përsëri normat e interesit.

Dan North është ekonomist për firmën bankare Euler Hermes. "Kur ulim interesat i bëjmë gjërat më tërheqëse si blerjen e pajisjeve, ulen normat e huave të shtëpive, të makinave e kështu me rradhë. Ulja e interesave e gjallëron ekonominë".

Por ana negative është se ulja e interesave mund të çojë në rritjen e çmimeve. Tom Hertz është profesor i ekonomisë në Universitetin Amerikan. Ai thotë se kjo është një balancë delikate që bëhet edhe më e brishtë për shkak të ekonomisë në rënie. "Tani jemi në recesion – dhe në se do të shfaqet problemi i inflacionit në të njëjtën kohë do të ishte stagflacion dhe kjo është situata më e vështirë për Rezervat Federale".

Ekonomistët e nxorën termin stagflacion në vitet 1970. Megjithëse Hertz thotë se inflacioni me dyshifra i vitete të kaluara nuk ka të ngjarë të ndodhë, është e rëndësishme të nënvizohen shenjat paralajmëruese. "Nuk e kemi parë atë inflacion që nga kriza e naftës në vitet ’70 por tani kemi çmimin 100 dollarë për fuçi nafte dhe po shohim një rritje të ndjeshme të çmimeve ushqimore kështu që po fillojmë të shohim edhe rritje të inflacionit në përgjithësi".

Në tregjet financiare, rreziqet inflacioniste kanë shtuar kërkesat për të ashtuquajturat asete reale, si ari, metalet dhe nafta. Javën e kaluar, drejtori i Rezervës Federale, Ben Bernanke i siguroi ligjvënësit e shqetësuar se Banka Qëndrore po e monitoron situatën nga afër. "Nuk pres stagflacion. Nuk mendoj se jemi pranë një situate si ajo e viteve 1970. Unë pres që inflacioni të bjerë. Në se kjo nuk ndodh, ne do të na duhet të ndërhymë por unë pres që inflacioni të bjerë dhe të kemi rritje ekonomike dhe qëndrueshmëri të çmimeve në të ardhmen". Banka Qëndrore i ka ulur normat e interesit me dy presje 25 përqind që nga shtatori. Analistët thonë se një ulje tjetër ka të ngjarë të ndodh në takimin e ardhshëm të Rezervës Federale më 18 mars. //rd//

XS
SM
MD
LG