Lidhje

Komisioni i Helsinkit mbi zgjerimin e ardhshëm të Natos


Zgjerimi i NATO-s dhe takimi i Bukureshtit ishte tema e një seance dëshmish të organizuar dje nga Komisioni i Helsinkit i Kongresit amerikan. Senatorët dhe ligjvënësit që bëjnë pjesë në këtë komision kishin ftuar studiues të çështjeve të Evropës Lindore, të cilët diskutuan mbi përparimin e shënuar nga vendet e Kartës së Adriatikut drejt standarteve për antarësim në NATO dhe rëndësinë që përbën për rajonin e Ballkanit, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pranimi i tyre në aleancë.

Seanca dëshmoi përkrahjen që gëzojnë 3 vendet e Kartës së Adriatikut në ambicjet e tyre për antarësim në NATO, dhe tregoi se shumë nga shqetësimet që ngrihen nuk lidhen aq shumë me përparimin e tyre, por me zhvillime politike dhe interesa strategjike jashtë këtyre vendeve.

Michael Hatzel i Qendrës për Marrëdhënie Transatlantike në Universitetin Xhons Hopkins, e përqendroi dëshminë e tij në një analizë të arritjeve të këtyre vendeve, dhe në argumente për t’iu kundërvënë kritikave të skeptikëve për këtë zgjerim: "Disa kritikë argumentojnë se Shqipëria dhe Maqedonia do të shndërroheshin në konsumatorë dhe jo kontribues të sigurisë në rajonin e Atlantikut Verior. Është një argument pa vend, pasi këto vende kandidate kanë vënë në rrezik jetë njerëzish, si dhe burime ushtarake për të kontribuuar në operacionet e NATO-s në Afganistan dhe Irak."

Zoti Hatzel foli më pas për situatën në Ballkan pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe iu përgjigj thirrjeve të disa analistëve për pezullimin e zgjerimit të NATO-s në këtë atmosferë: "Përkundrazi, çështja e Kosovës e forcon argumentin për zgjerimin në takimin e Bukureshtit. Nëse qeveria e Beogradit vazhdon politikat e vetizolimit nga komuniteti euro-atlantik dhe ndoshta përkohësisht ka prirje të shndërrohet në një satelit të Moskës, do të ishte një politikë e mirë sigurie që Serbia të rrethohej nga vende anëtare të NATO-s."

Drejtori i Projektit për Demokracitë e Reja Evropiane pranë Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Janush Bugajski u bëri një analizë përparësive strategjike, të cilave u shërben përfshirja në Aleancë e vendeve të Kartës së Adriatikut. Zgjerimet e viteve të fundit, argumentoi zoti Bugajski, kanë përfshirë brenda kufijve të Aleancës pjesën më të madhe të Evropës, me përjashtim të dy rajoneve të rëndësishme: Ballkanit dhe rajonit të Detit të Zi. "Përfshirja e Kroacisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë në NATO do të pakësojë ndjeshëm “zonën gri” në Ballkanin perëndimor dhe do të fuqizojë misionin e NATOs si një garantues i stabilitetit rajonal. Ftesa për vendet e Kartës së Adriatikut në takimin e Bukureshtit do të ndikojë pozitivisht në përmbushjen e misionit të Aleancës."

Zoti Bugajski veçon zhvillimet demokratike që kanë realizuar Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia në vitet e fundit dhe faktin që të tre ato janë treguar partnerë aktivë në misionet e NATO-s. Një arsye tjetër aktuale që nënvizon analisti, është forcimi i qëndrueshmërisë dhe sigurisë rajonale, që merr një rëndësi të veçantë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe me situatën e trazuar në Serbi. Me antarësimin e këtyre vendeve në NATO, argumenton zoti Bugajski, Aleanca i dërgon një mesazh të fortë mbështetjeje forcave përparimtare, pro-perëndimore në Serbi, se dyert e saj janë të hapura për këdo që përqafon rrugën e reformave.

Megjithë mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara, antarësimi i vendeve të Kartës së Adriatikut varet nga vota e përbashkët e anëtarëve të Aleancës. Anëtari i Komisionit të Helsinkit, Mike McIntyre interesohet të dijë se çfarë skenarësh mund të pasojnë një votë negative nga Aleanca: "Ka njerëz që shqetësohen për mundësinë e hapave prapa. Ka dy arsye përse nuk duhet të ketë shqetësim, shpjegon zoti Michael Hatzel. Të gjitha këto vende aspirojnë të antarësohen në Bashkimin Evropian, por nëse ngecin reformat në çështje si demokracia apo shteti ligjor, do të shkatërronin shanset për antarësim në BE."

Shumë skeptikë të zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s ngrenë shqetësimin e një kthimi prapa të këtyre vendeve pas antarësimit në Aleancë. Zoti Hatzel siguron ligjvënësit se NATOja ka mjete që edhe pas antarësimit të ushtrojë presion mbi antarët e saj për të mos lejuar devijime të papranueshme.

Por analisti Janush Bugajski shpjegon se një votë negative, megjithëse nuk do të pasohej nga trazira të hapura, do të ndikonte në mënyrë të konsiderueshme tek këto vende. "Veçanërisht në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë, Shqipëria ishte e para që paraqiti kërkesë për antarësim në NATO në fillim të viteve ’90. Pas mbi 15 vjetësh përpjekjeje të qënësishme në aspektin e sigurisë, megjithë problemet në aspektin demokratik, ata presin një angazhim konkret nga Shtetet e Bashkuara dhe Aleanca, ashtu si angazhimi që kanë treguar edhe ata vetë."

Zoti Bugajski nënvizon edhe aspektin psikologjik që shoqëron antarësimin në NATO. Njoh shumë biznesmenë që presin si do të dalë ky proces për Shqipërinë, thotë ai. Antarësimi në NATO është një ndër pyetjet kryesore që ngrenë shumë investitorë kur duan të futen në një treg të ri.

Megjithëse Komisioni i Helsinkit përqëndrohet në çështje që lidhen me të drejtat e njeriut dhe forcimin e institucioneve demokratike, seanca e djeshme dëshmoi përsëri se takimi në Bukuresht nuk do të përfshijë vetëm një analizë të arritjeve të këtyre vendeve në përmbushjen e standarteve, por edhe një shqyrtim të një numër çështjesh strategjike dhe politike që janë parësore për interesat e NATO-s në rajon. //ad//

XS
SM
MD
LG