Lidhje

Philips: Pranimi i Shqipërisë në NATO të mos ndikohet nga çështja Greqi-Maqedoni

  • Ilir Ikonomi

David Phillips, ekspert pranë Komitetit Kombëtar për Politikën e Jashtëme Amerikane, i tha Zërit të Amerikës se nuk do të ishte e drejtë që pranimi i Shqipërisë në NATO të ndikohet nga mosmarrëveshjet mes Greqisë dhe Maqedonisë. Ai i bëri komentet mbrëmë pas një tryeze të rrumbullaktë në Uashington, ku u diskutua mbi Shqipërinë dhe perspektivën e pranimit të saj në NATO.

Zëri i Amerikës: Përse Shteteve të Bashkuara u intereson një Shqipëri anëtare e NATO-s?

David Phillips: Në radhë të parë, ekziston një ndjenjë e madhe miqësie mes amerikanëve dhe shqiptarëve. Në planin strategjik, qeveria e Shqipërisë ka luajtur një rol shumë pozitiv në rajonin e Ballkanit. Ajo ka ushtruar një ndikim moderues tek udhëheqësit politikë të Kosovës, ka ndihmuar me marrëveshjen e Ohrit në Maqedoni. Përveç kësaj, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja janë përfshirë në një betejë në shkallë botërore për të fituar mendjet dhe zemrat e njerëzve, një luftë kundër ekstremizmit dhe ka shumë rëndësi që Shqipëria si një shoqëri me disa fe të ndryshme dhe me një popullsi myslimane të ftohet për t’u anëtarësuar në NATO, sepse kjo u dërgon një sinjal popujve kudo në botë se NATO-ja është organizatë gjithpërfshirëse dhe se vende të tilla janë të mirëpritura.

Zëri i Amerikës: Zoti Phillips, a do të ishte e drejtë që në rast se Maqedonia nuk pranohet, kjo të ndikojë edhe në pranimin e Shqipërisë?

David Phillips: Në nivel teknik, të dy vendet kanë bërë shumë përparim. Karta e Adriatikut, e cila përfshin Kroacinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë duhet konsideruar si një grup dhe të tre vendet duhet të marrin ftesa. Çështja komplikohet nga problemet dypalëshe që ekzistojnë mes Maqedonisë dhe Greqisë sidomos për çështjen e emrit. Rekomandimi im është se Greqia duhet ta kuptojë se një ftesë është e ndryshme nga një traktat zyrtar anëtarësimi. NATO-ja duhet t’i ftojë të tre vendet e Kartës së Adriatikut dhe pastaj të negociojë anëtarësimin e tyre bazuar në kriteret shumëpalëshe si dhe të përparimit që do të bëjnë Maqedonia dhe Greqia për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe mes tyre. Nuk është e drejtë që Shqipëria të ndikohet nga mosmarrëveshjet mes Greqisë dhe Maqedonisë. Për shembull, nuk do të ishte e drejtë të ndiqej një politikë ose të treja ose asnjëra, sepse kjo do të eliminonte Kroacinë. Prandaj secili prej vendeve duhet të gjykohet nga meritat e veta. Nuk do të ishte e drejtë që Shqipëria të mbetej mënjanë për shkak të problemeve që Maqedonia ka me Athinën.

Zëri i Amerikës: Zoti Phillips, ku qendron Shqipëria përsa u përket kritereve ushtarake për t’u pranuar në NATO?

David Phillips: Forcat e armatosura të Shqipërisë kanë bërë shumë përparim. Ato janë shumë më profesionale, janë reduktuar në numër dhe janë prfesionalizuar. (b-roll) Që nga ky vit, 2 përqind e prodhimit kombëtar bruto shkon për ushtrinë, që është një kërkesë e NATO-s. Megjithatë, ka shumë vend për përmirësim para se forcat shqiptare të mund të funksionojnë të pavarura dhe përkrah atyre të NATO-s si partnere të barabarta dhe të plota. Kjo nuk duhet ta pengojë ftesën, por ky është realiteti.

Zëri i Amerikës: Zoti Phillips, disa ekspertë këtu në Uashington janë shprehur se pranimi i vendeve si Shqipëria dhe Maqedonia me dobësi ekonomike apo në zbatimin e reformave mund të ulë standardet e NATO-s. Komenti juaj?

David Phillips: Kudo mund të gjesh ekspertë me pikpamje të ndryshme dhe pikërisht për këtë ata paguhen. Ajo që ka rëndësi është se NATO-ja nuk është vetëm një aleancë për sigurinë, por një aleancë vendesh që përqafojnë standardet e qeverisjes demokratike dhe të ekonomisë së tregut.(b-roll) Nëqoftëse duam të ndërtojmë një botë më të sigurt dhe më paqësore, kjo bëhet jo vetëm bazuar mbi aftësitë ushtarake por edhe mbi angazhimet e këtyre vendeve ndaj standarteve ndërkombëtare. Kjo ka të bëjë me qeverisjen dhe me ekonominë dhe Shqipëria ka marrë vendime të drejta duke filluar nga shtatori 2005.

Zëri i Amerikës: Zoti Phillips, si do ta ndihmonte pranimi i Shqipërisë në NATO situatën e krijuar në Ballkan pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës?

David Phillips: Shqipëria ka ushtruar ndikim pozitiv duke i moderuar ushëheqësit shqiptarë të Kosovës. Kur ajo të jetë në NATO, aftësia e saj për të ndikuar te qendrimet e këtyre udhëheqësve do të jetë akoma më e madhe dhe unë shpresoj se kryeministri Berisha dhe të tjerët do të vazhdojnë të punojnë në mënyrë konstruktive me homologët e tyre në Kosovë – në mënyrë që shteti më i ri i botës, Kosova, të mund të ecë përpara dhe të zbatojë plotësisht planin Ahtisari.

Zëri i Amerikës: Zoti Phillips, a mendoni se qendrimet e forta pro-amerikane të Shqipërisë mund ta dëmtonin disi pranimin e vendit në NATO duke krijuar dyshime te disa vende evropiane të Aleancës?

David Phillips: Në një mënyrë të padukshme këto qendrime mund të ndikojnë tek europianët. Për shembull, gatishmëria e Shqipërisë për të nënshkruar klauzolën e përjashtimit në Traktatin e Romës për Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve u perceptua në disa kryeqytete europiane si servilizëm ndaj Shteteve të Bashkuara. Ajo që ka rëndësi është fakti se Shqipëria është një vend sovran dhe i pavarur që ka marrëdhënie të mira dypalëshe me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të NATO-s dhe këto marrëdhënie mund të forcohen nëse Shqipëria intregrohet më tej në institucionet euroatlantike dhe hapi i parë në këtë rrugë është anëtarësimi në NATO. Hapi tjetër do të jetë Bashkimi Europian. Kjo është një ëndërr e largët por e realizueshme dhe që do ta mbajë Shqipërinë në rrugë të mbarë.

Zëri i Amerikës: Zoti Phillips, ju faleminderit për intervistën.

David Phillips: Faleminderit shumë.

XS
SM
MD
LG