Lidhje

Takimi i NATO-s përqendrohet tek zgjerimi dhe Afganistani


Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs u bëri thirrje aleatëve të NATO-s të shtojnë përpjekjet për të shtypur kryengritjen talebane në zonën jugore të Afganistanit. Zonja Rajs foli pas takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s, të cilët diskutuan sot në Bruksel shtimin e trupave në Afganistan dhe shpresat e 3 vendeve ballkanike për të marrë ftesa për antarësim. Ministrat e NATO-s citohen gjithashtu të kenë shprehur mbështetjen për pranimin eventual të Kroacisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë në aleancën ushtarake. Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondolisa Rajs tha se vendimi për këto tri vende nuk do të merret para takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Bukuresht muajin e ardhshëm.

Sekretari i Përgjithshëm i Natos Jaap de Hoop Scheffer tha pas takimit se ashtu si në zgjerimet e mëparshme të Aleancës, edhe këtë radhë pikësynimi mbetet forcimi i stabilitetit rajonal dhe evropian.

"Mendoj se qëndrimi i Natos dihet më së miri. Po ashtu, nuk mendoj se ka ndryshim ndërmjet qëndrimit të Natos dhe Bashkimit Evropian lidhur me këtë temë. E kam theksuar disa herë pikëpamjen time se integrimi euro-atlantik, dhe në këtë rast flas për Naton, pasi nuk mund të bëj komente për Bashkimin Evropian, është një pikësynim bazë. Ka qenë themeltar për Evropën dhe është edhe për Ballkanin, në mënyrë që të parandalojmë një përsëritje të tmerreve të viteve ’90. Ky është për mua elementi bazë. Elementi tjetër është se vendet që duan të përfshihen në këtë aleancë, në këtë familje të vendeve demokratike, për ta dyert janë të hapura."

Një ndër çështjet më të debatueshme të këtij raundi zgjerimi kanë qenë përplasjet mes Maqedonisë dhe Greqisë lidhur me emrin e Republikës së Maqedonisë. Kohët e fundit ka patur përpjekje intensive diplomatike në këtë drejtim.

Sekretarja amerikane e Shtetit Rajs, gjatë rrugës për në Bruksel, la të kuptohej se ka shanse për gjetjen e një zgjidhjeje para takimit në Bukuresht dhe se ecejaket diplomatike vazhdojnë. Greqia ka kërcënuar të përdorë veton nëse Maqedonia nuk ndryshon emrin.

Po në Bruksel, zoti Scheffer foli sot edhe për vazhdimin e angazhimit të Natos në Kosovë, për të siguruar një gjendje të qëndrueshme:

"Ministrat e Natos ndjehen të entuziazmuar nga pjekuria politike që kanë treguar autoritetet në Prishtinë dhe populli i Kosovës dhe kanë theksuar se kushdo në Kosovë dhe jashtë saj duhet të mos epet para provokimeve për dhunë. Natoja si organizatë, nuk gëzon autoritet për të njohur një vend të caktuar. Synimi i Natos është siguria. Që nga shpallja e pavarësisë atje nuk kemi parë dhunë etnike. Nuk ka pasur zhvendosje masive refugjatësh, apo sulme të organizuara ndaj qendrave kulturore të një grupi të caktuar etnik. Ky është një fakt pozitiv dhe KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij për të mbrojtur si shumicën ashtu edhe pakicat në të gjithë Kosovën, në bazë të mandatit të OKB-së atje."

Në takimin e ardhshëm të Aleancës në Bukuresht, dy vende të rajonit të Detit të Zi, Ukraina dhe Gjeorgjia presin të fillojnë procesin për një antarësim në të ardhmen, por diplomatë të lartë në Nato thonë se pritet që Aleanca të shtyjë marrjen e ndonjë vendimi për Ukrainën dhe Gjeorgjinë, me shpresën që në Bukuresht të arrijnë të sheshojnë mosmarrëveshje të tjera që ka Aleanca me Moskën. //ad//

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG