Lidhje

Petersen: Kosova do t'i kapërcejë me sukses sfidat


Soren Jesen-Petersen, përfaqësuesi i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe shef i misionit të OKB-së në Kosovë në periudhën 2004-2006 thotë se Kosova ka tani përballë sfida të mëdha, por ai është i bindur se shqiptarët do t'i kapërcejnë ato me sukses. Zoti Petersen ka tani një detyrë të re, atë të diplomatit të pavarur me zyrë këtu në Uashington. Të mërkurën, Instituti Amerikan i Paqes zhvilloi një diskutim me temën "Roli i Diplomatit të Pavarur: Një qëndrim i ri ndaj diplomacisë dhe konfliktit". Të ftuar ishin zoti Petersen dhe diplomati tjetër me përvojë, britaniku Kërn Ros.

Themeluesi i organizatës jo-qeveritare Diplomati i Pavarur, diplomati britanik Kërn Ros, tha se shpesh popujt rreth të cilëve diskutohet në qarqet diplomatike nuk janë të pranishëm aty dhe nuk u lejohet të paraqesin pikpamjet e tyre. Pikërisht për të zgjidhur këtë deficit diplomatik, tha ai, u krijua detyra e diplomatit të pavarur.

Zoti Ros, kordinator strategjik për UNMIK-un në periudhën 2004-2005, tha se Kosova ishte një rast tipik ku zëri i një popullate, fati i së cilës diskutohej në qarqe diplomatike, nuk ishte fare i pranishëm.

“Grupe të ndryshme diplomatike, si Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuar, Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, diskutonin për Kosovën, por vetë kosovarët nuk ishin të pranishëm, madje nuk lejoheshin të dërgonin përfaqësuesit e tyre në këto organizata. Paqartësia dhe pakënaqësia politike e shoqërore çoi në trazirat e marsit 2004. Ky ishte një sinjal i qartë rreth problemit që ekzstonte në mënyrën se si bota i trajton çështjet e ndryshme, si ajo e Kosovës”.

Zoti Ros thotë se statusi i Kosovës duhej të ishte zgjidhur shumë më parë dhe sipas tij kjo nuk ndodhi sepse popullit të Kosovës nuk iu dha mundësia të shprehte vullnetin e tij, nëpërmjet përfaqësusve të tij, në procesin e vendim-marrjes që prej fillimit. Çështja e Kosovës, tha diplomati britanik, i shërbeu si frymëzim për idenë e krijimit të Diplomatit të Pavarur. Themeluesi i organizatës Diplomati i Pavarur tha se qeveria e Kosovës ishte klienti i tij i parë, të cilën filloi ta këshillonte rreth procesit për statusin e Kosovës dhe angazhimit të saj në këtë proces.

Soren Jesen-Petersen tha se e krijoi kontaktin e parë me organizatën Diplomati i Pavarur ndërsa ishte në Kosovë, kur arriti në përfundimin se ky rajon duhet të angazhohej në procesin e statusit.

“Objektivi im që në ditën e parë ishte të zhvilloja një strategji dhe ta zbatoja atë në mënyrë që Kosova të përfshihej në bisedimet e statusit. Kur ky proces filloi ne pamë se njëra prej dy palëve, rreth të cilave ne diskutonim, Prishtina, vuante nga ajo që ne si Diplomat i Pavarur e quajmë deficit serioz diplomatik”.

I pyetur nga Zëri i Amerikës rreth përshtypjeve të tij për Kosovën tani pas shpalljes së pavarësisë, zoti Petersen përshëndeti popullin e Kosovës për pavarësinë.

Soren Jesen-Petersen: Padyshim që jam shumë i lumtur për popullin e Kosovës. Tashmë, nëpërmjet mesazheve të ndryshme, unë i kam uruar ata. Gjithashtu, më ka lënë shumë përshtypje mënyra se si populli i Kosovës e priti këtë ngjarje. Ka pasur shumë provokime, por ai ka ruajtur qetësinë, ka treguar pjekuri dhe vazhdon ashtu siç duhet të krijojë ura kontakti me serbët e Kosovës dhe me miqtë. Mendoj se Kosova përsëri i ka treguar botës se është e përgjegjshme dhe e aftë. Ajo, me shumë qetësi e ka pritur për një kohë shumë të gjatë këtë ditë, dhe tani është e lirë. Si vend i lirë, tani ata do të përballen me shumë probleme. Jam i sigurtë se ata do ta përballojnë këtë situatë dhe e vetmja shpresë që kam në këtë moment është që herët a vonë serbët e Kosovës të kuptojnë se duhet të jenë pjesë për ndërtimin e një Kosove të re.

Zëri i Amerikës: Cilat janë disa prej sfidave kryesore dhe më të vështira me të cilat përballet Kosova në të ardhshmen.

Soren Jesen-Petersen: Mendoj se sfidat në Kosovë vijnë si rezultat i faktit që administrata ndërkombëtare ishte e përkohëshme dhe statusi ishte i papërcaktuar. Pra, probleme që kanë të bëjnë me ekonominë, furnizimin me energji elektrike, për të cilat ka pasur shumë kritika, duke përfshirë edhe Kombet e Bashkuara dhe unë e pranoj sepse kjo është pjesë e të qenit përgjegjës, por nga ana tjetër njerëzit e kuptojnë se kjo vjen për arsye të bllokimit të qartësisë së statusit të saj. Situata ekonomike është tepër e vështirë. Mendoj se Kosova do të kalojë disa muaj tepër të vështirë, ndoshta edhe më gjatë, por jam i sigurtë se gjendja do të përmirësohet. Kam shumë shpresë që Kosova ashtu si shumë vende të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore që janë bërë anëtare të BE-së, së shpejti të bëhet një shtet me vlera dhe të bëhet siç do ta quaja një shoqëri normale. Ka mundësi të shumta që Kosova të bëhet një shoqëri paqësore, por edhe kontribuese për zhvillimin e rajonit. Për të realizuar këtë, sigurish duhet që Serbia ta kuptojë sa më shpejt të jetë e mundur që gjërat kanë ndryshuar, që vendet e rajonit duhet të punojnë së bashku si fqinjë të mirë dhe që së bashku të shkojnë drejt Evropës. Sa me shpjet që Serbia të fillojë të veprojë në mënyrë të përgjegjëshme, aq më shpejt rajoni do të shkojë drejt integrimit evropian.

Zëri i Amerikës: Bashkimi Evropian do të dërgojë një mision në Kosovë. Duke u nisur nga përvoja juaj, për sa kohë do të jetë e nevojshme prania e këtij misioni në Kosovë.

Soren Jesen-Petersen: Mendoj se Kosova në shumë drejtime është me shumë fat që Bashkimi Evropian do të jetë në terren, sepse në një farë mënyre përshpejton integrimin e Kosovës në Evropë. Fakti që Kosova punon çdo ditë me zyrtarë të Bashkimit Evropian do t’i japë më tepër mundësi për të kuptuar se çfarë kërkohet për t’u inkuadruar në Evropë, ata do të kenë mundësi të punojnë drejt për së drejti mbi disa probleme, reforma që Kosova duhet të ndërmarrë dhe mendoj se qëllimi i Kosovës është rruga për në Bruksel. Por tani Brukseli është duke ardhur në Kosovë dha ajo duhet të kuptojë se si të shfrytëzojë praninë e BE-së, e cila është një ndihmesë dhe nevojë e madhe. Është me rëndësi që Kosova ta shfrytëzojë praninë e BE-së për të shkurtuar procesin për t’u bërë pjesë e Brukselit.

Zëri i Amerikës: A mendoni ju se detyra juaj e re si Diplomat i Pavarur do t'ju çojë ju përsëri në Kosovë së shpejti.

Soren Jesen-Petersen: Padyshim që shpresoj të jem në Kosovë shumë shpejt si një mik i popullit të Kosovës dhe jo me ndonjë detyrë zyrtare. Kalova dy vjet atje, takova shumë njerëz të mrekullueshëm, bëra miq shumë të mirë dhe jam pak xheloz që nuk kam pasur mundësi të marr pjesë në gëzimin dhe të jem atje me këta njerëz të mrekullueshëm, të cilët e meritojnë këtë moment. Shpresoj që së shpejti të shkoj atje si mik, por gjithashtu për të biseduar me udhëheqësit e Kosovës për një shërbim si diplomat i pavarur që besoj se do të ndihmojë. (ze)

XS
SM
MD
LG