Lidhje

Kryeministri serb Koshtunica njofton dorëheqjen


Kryeministri i Serbisë shpërndau qeverinë dhe bëri thirrje për zgjedhje të reja pas përplasjeve me koalicionin e tij pro-perendimor lidhur me Kosovën dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Kryeministri serb Vojisllav Koshtunica tha se do të marrë pjesë në një sesion të një qeverie të përkohshme të hënën e cila do t’i propozojë parlamentit që zgjedhjet e reja të zhvillohen më 11 maj. Zoti Koshtunica tha se qeveria do të funksionojë me një kapacitet të zvogëluar deri në zgjedhjet e reja: "Qeveria që nuk ka politika të përbashkëta nuk mund të funksionojë. Ky është fundi i kësaj qeverie”, u tha Koshtunica gazetarëve.

Kabineti i përbërë nga konservatorët e zotit Koshtunica dhe demokratët pro-perendimorë të presidentit Boris Tadiç u formua në maj, pas disa muaj negociatash të tensionuara pas zgjedhjeve parlamentare në janar të vitit 2007.

Zgjedhjet e reja do të përcaktojnë në se Serbia do të vazhdojë rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera perendimore apo do të kthehet në izolimin ndërkombëtar të periudhës së Sllobodan Milosheviçit në vitet 1990, rrugë të cilën kërkojnë konservatorët e zotit Koshtunica.

Zoti Koshtunica akuzoi ministrat pro-perendimorë se dështuan të mbështesin përpjekjet e tij për ta mbajtur Kosovën si pjesë të Serbisë. Presidenti pro-perëndimor, Boris Tadiç tha ndërkohë në një deklaratë se do të presë vendimin e qeverisë dhe do të veprojë në përputhje me kushtetutën. Ai e vuri në pikëpyetje deklaratën e zotit Koshtunica se Serbia nuk ka një politikë të përbashkët për Kosovën. Presidenti rithkesoi qendrimin e tij se Kosova është pjesë e Serbisë.

Hajredin Kuqi, zëvendës kryeministër i Kosovës tha se qeveria e Kosovës kërkon të ketë bashkëpunim dhe paqe me të gjitha vendet, përfshi Serbinë. “Për qeverinë e Kosovës është shumë e rëndësishme që qeveria në Serbi të jetë me orientim pro-perendimor. Qeveria jonë po punon shumë për të përfshirë të gjithë këtu në Kosovë”. Shpresoj që populli i Serbisë do ta shfrytëzojë këtë rast jo për t’u kthyer mbrapsht në vitet 1990 por për të parë përpara”.

Fatmir Cakaj, banor i Kosovës tha se kjo është një çështje serbe dhe se janë ata që duhet të zgjedhin qeverinë e tyre: "Është në duart e popullit serb të zgjedhin izolimin apo integrimin në Evropë apo të qëndrojnë pranë Rusisë. Çdo gjë varet nga ata. Nuk mendoj se ka ndonjë ndikim për ne", tha ai. //rd//

XS
SM
MD
LG