Lidhje

OKB: “Vrasjet e nderit” – mbi 5 mijë raste në të gjithë botën

  • Mandy Clark

Organizata e Kombeve të Bashkuara njofton se më shumë se 5 mijë gra dhe vajza në të gjithë botën vriten nga familjarët e tyre çdo vit në të ashtëquajturat “vrasje nderi.” Ky dënim u jepet zakonisht grave që dyshohen të kenë pasur marrëdhënie seksuale të papranueshme dhe që i kanë sjellë turp familjes. Vrasjet e nderit janë më të përhapura kryesisht në shoqëritë tradicionale në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Azinë e Jugut. Por ato ndodhin edhe në perëndim.

Shazia Kajum ka jetuar pesë vjet në një vendstrehim. Ajo nuk mund t’i kërkonte ndihmë anëtarëve të familjes së saj, sepse ajo fshihej pikërisht nga ato. “Në fillim kisha frikë se do më vrisnin. Prindërit nuk më kishin kërcënuar kurrë se do më vrisnin, por unë, megjithatë, kisha frikë.”

Krimi i zonjës Kajum ishte se donte të ndahej nga kushëriri i saj me të cilin prindërit e kishin detyruar të martohej kur kishte qenë me pushime në Pakistan. “Ky ishte vendimi më i vështirë në jetën time, duke pasur parasysh pasojat që prindërit dhe motrat e vëllezërit e mi nuk do më flisnin më kurrë.”

Zonja Kajum thotë se ajo ndjehej e vetme, e izoluar dhe gati të bënte vetvrasje, deri kur takoi Jasvinder Sangerën. Zonja Sangera kishte një histori të ngjashme. Prindërit e saj ishin përpjekur ta detyronin të martohej, por ajo kishte ikur dhe ishte fshehur për vite me radhë. Vetëm pasi motra e saj Robina kishte kryer vetvrasje për shkak të martesës së saj abuzive, Sangera kishte vendosur të bëhej aktiviste. “Ajo kërkonte ndihmë sepse vuante nga dhunë e tmerrshme në marrëdhënien e saj. Çdo herë që shkonte tek familja ata i thonin të kthehej dhe të përpiqej ta bënte lidhjen e saj martesore të funksiononte për hir të nderit. Në fund, ajo i vuri zjarrin vetes.”

Zonja Sanghera ka shkruar një libër rreth përvojës së saj dhe ka krijuar shtëpi strehimi dhe lidhje telefonike që kanë ndihmuar mijëra gra në Britani që detyrohen t’u ikin martesave të detyruara apo dhunës së nderit. “Unë e ndjeja se isha vetëm një ndër shumë të tjera. Vdekja e Robinës nuk duhej të ndodhte dhe nuk duhet të shkojë kot.”

Kjo çështje ka filluar të tërheqë vemëndjen e opinionit publik. Në vitin 2007, gjuajtja me gurë për vdekje e një adoleshenteje kurdo-irakiane, Dua Khalil, u transmetua në të gjithë botën. Ajo akuzohej se kishte pasur lidhje me një njeri me fe të ndryshme nga ajo.

Diana Nammi, nga Fushata Ndërkombëtare kundër Vrasjeve të Nderit, thotë se krimet e nderit janë problem global. “Për momentin numri është rritur. Mendoj se kjo ka të bëjë me rritjen e fondamentalizmit, veçanërisht atij islamik, në të gjithë botën, dhe sidomos në vendet e Lindjes së Mesme.”

Disa vrasje nderi kanë tërhequr më shumë vëmendjen në Britani. Babai i 16-vjeçares Heshu Yones e vrau atë se kishte lidhje me një kristian.

Banaz Mahmud i kërkoi të dashurit të saj ta inçizonte në spital pasi u sulmua nga familja e saj. Në video, ajo thotë se babai dhe xhaxhai i saj ishin përpjekur ta vrisnin sepse ajo kishte rënë në dashuri me një djalë me të cilin familja nuk e lejonte të martohej. Më vonë, policia e gjeti trupin e saj në një valixhe. Të dy burrat u dënuan për vrasje.

Zonja Sangera beson se policia nuk bëri sa duhej për Banazin sepse nuk e kishte marrë çështjen e saj aq seriozisht. “Ata e nisën pa zgjidhje më shumë se katër herë, pasi nuk e besuan. Ata mendonin me mosbesim “si mund të të vrasë babai se ke puthur një djalë? Nuk është e mundur.”

Zyrtarët qeveritarë thonë se në Britani ka 12 vrasje nderi në vit dhe tani policia, mjekët dhe mësuesit po trajnohen për të vërejtur shenjat se ku mund të ketë abuzime.

Vernon Coaker është ministri i vrasjeve të nderit. “Duhet të jemi të qartë për një gjë. Le ta lëmë nderin mënjanë, në fund të fundit bëhet fjalë për vrasje. Prandaj ne do të bëjmë ç’është e mundur t’i sjellim të gjithë ata që i kryejnë këto vrasje para drejtësisë.”

Shazia Kajum nuk fshihet më. Tani ajo është zëdhënëse e Njësisë së Martesave të Detyruara që sponsorizohet nga qeveria. Ajo merret me shkollat që e shmangin këtë problem. “Për mua është e rëndësishme që të rinjtë ta dinë se ka ndihmë dhe mbështetje, duhet të vëmë afishe në shkolla siç i kemi për alkoholin. Përse shqetësohemi se mund të fyejmë prindërit? Kjo nuk është çështje konformizmi, është çështje e të drejtave të njeriut.”

Shazia Kajum dhe të tjerë si ajo shpresojnë se puna e tyre do t’i bindë prindërit dhe publikun e gjerë se vrasjet e nderit janë si gjithë vrasjet e tjera dhe duhet të parandalohen. //ii

XS
SM
MD
LG