Lidhje

Festa e grave, ndryshe në Shqipëri


Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, dekretoi një falje dënimi për 31 gra dhe vajza që vuajnë dënimet për krime të ndryshme për të treguar angazhimin e institucioneve në mbrojtje të të drejtave të grave, për të cilat raportimet nxjerrin një gjendje kritike.

Në dekretin e Presidentit Topi, që u publikua në mbrëmje, numërohen detaje nga 31 rastet e zgjedhura të grave që janë dënuar nga 15 gjykata në të gjithë territorin e vendit, ku atyre herë falet pjesa e mbetur e dënimit, herë u falen 1 vit apo 2 vjet nga pjesa e mbetur e dënimit.

Kjo është hera e parë që një zyrtar i shtetit shqiptar zgjedh 8 marsin si një ditë për të shpallur amnisti për gratë e burgosura, pasi vendime të tilla janë marrë më parë ose për festa kombëtare, ose për festat e fundvitit. Pikërisht amnistinë e kaluar të fundvitit, përfaqësuese të organizatave të grave kishin vënë re se në listat e të falurve nuk kishte asnjë grua, dhe prej asaj kohe Presidenti Topi dhe kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli kanë ndërmarrë një seri vendimesh në dobi të grave dhe mbrojtjes së tyre në shoqëri.

Ky 8 mars i gjen gratë dhe fëmijët në Shqipëri në një gjendje të rëndë shëndetësore, ekonomike dhe shoqërore.

Fondi i OKB-së për fëmijët UNICEF publikoi në janar një raport, ku thuhet se gratë dhe fëmijët në Shqipëri janë viktimat e para të dhunës në familje, të analfabetizmit, dhe të papunësisë.

Një tjetër përfundim i studimit është se nënat dhe fëmijët janë më të kequshqyerat dhe me më pak mundësi për të marrë shërbime shëndetësore.

Raporti i UNICEF-it zbuloi se varfëria shqiptare është feminizuar dhe foshnjerizuar, pasi femrat dhe fëmijët zënë pjesën dërrmuese në të gjitha statistikat e varfërisë. Femrat janë më shumë gjysma (51 për qind) e popullatës në Shqipëri, por përfaqësimi i tyre politik dhe në institucionet vendimmarrëse është po aq i varfër sa edhe varfëria e tyre ekonomike dhe shoqëror; gratë zënë vetëm 7 për qind të parlamentit, vetëm 2 për qind të pushtetit vendor dhe vetëm 9 poste në qeverinë qendrore.

UNICEF u bëri thirrje autoriteve shqiptare që të hartojnë politika dhe strategji konkrete për të mbrojtur nënat dhe fëmijët, pasi ata janë viktimat më të para të varfërisë në vend. UNICEF kërkoi që qeveria të mbështesë një reformë të gjerë institucionale në sektorin e kujdesit shoqëror, duke zbutur pabarazitë gjinore. //rd//

XS
SM
MD
LG