Lidhje

Gordon Bardos: Pavarësia e Kosovës mund të sjellë ndërlikime

  • Branko Mikasinovic

Gordon Bardos, zëvendës drejtor i Institutit Harriman në Nju Jork thotë se pavarësia e Kosovës mund të sjellë një numër ndërlikimesh në skenën ndërkombëtare. Zoti Bardos u intervistua nga Branko Mikasinoviç i shërbimit serbisht të Zërit të Amerikës.

Gordon Bardos, zëvendës drejtor i Institutit Harriman pranë Universitetit Kolumbia në Nju Jork thotë se Kosova do të jetë një element i rëndësishëm irritimi në marrëdhëniet amerikano-serbe për të ardhmen e afërt. "Të dy vendet ngulin këmbë në qendrimet e tyre dhe është e vështirë të shihet se si mund të shkëputen prej tyre. Më e mira që mund të shpresohet tani për tani është që si Beogradi edhe Uashingtoni të përpiqen ta heqin çështjen e Kosovës nga aspektet e tjera të marrëdhënieve mes tyre."

Zoti Bardos mendon se rikthimi i Rusisë në Ballkan është një element i ri në skenën politike dhe kundërshtimi i saj ndaj pavarësisë së Kosovës ka një kontekst më të gjerë se sa mendohet. "Për herë të parë pas një dekade ose 15 vjetësh, vendet e Europës juglindore kanë tani alternativa diplomatike, ekonomike dhe politike. Në vitet 90, ishte Uashingtoni dhe në një farë mase Brukseli që luanin rolin vendimtar. Por pas lëvizjeve të fundit të Moskës ne shikojmë prova se Rusia po rikthehet. Të tilla janë vizita e Presidentit Putin në Sofje dhe vizita e zëvendës kryeministrit të parë Medvedev në Beograd."

Përsa i përket kundërshtimit të Rusisë ndaj zhvillimeve në Kosovë, thotë zoti Bardos, ai shkon shumë më larg se sa zoti Putin dhe rrethi i tij i brendshëm sepse kundër kësaj janë shprehur Kisha Ortodokse ruse dhe një pjesë e mirë e inteligjencës së vendit, madje edhe ajo pjesë që ka mbetur nga opozita liberale ruse nuk është e kënaqur me mënyrën se si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian e trajtuan këtë çështje.

Zoti Bardos thotë se pavarësia e Kosovës mund të sjellë një numër komplikimesh. "Eshtë e qartë se Kosova nuk do të ketë një vend në Kombet e Bashkuara dhe në OSBE dhe nuk do të jetë anëtare e Këshillit të Europës si dhe e shumë organizatave të tjera ndërkombëtare. Do të shkaktojë edhe një numër problemesh për sa i përket integrimit rajonal në Europën Juglindore sa herë që të organizohen takime për këtë qëllim. Është shumë e qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do ta tërheqin vendimin e tyre për njohjen e Kosovës po ashtu edhe vendet europiane. "

As Rusia, thotë zoti Bardos nuk do të heqë dorë nga qendrimi i saj dhe do të vazhdojë të mbështesë pozicionin e Beogradit. Pra kemi të bëjmë me një situatë diplomatike që do të vazhdojë të mbetet pezull. //ii

XS
SM
MD
LG