Lidhje

Kryeministri serb Koshtunica njofton dorëheqjen


Kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica paraqiti dorëheqjen dhe bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme. Stefan Bos i Zërit të Amerikës njofton se zoti Koshtunica e njoftoi dorëheqjen dje vonë, pas mosmarrëveshjeve brenda kabinetit të tij në lidhje me marrëdhëniet e Serbisë me Bashkimin Evropian pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Në komentet që bëri në televizion, kryeministri serb Voisllav Koshtunica, shpalli dorëheqjen dhe bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme. Kryeministri Koshtunica e pranoi se ai dështoi në përpjekjet e tij për ta bindur kabinetin që të kundërshtonte vendosjen e lidhjeve më të ngushta me Bashkimin Europian mbas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri serb ka kërkuar që Serbia të shkëpusë lidhjet me vendet e BE që njohën pavarësinë e Kosovës, e cila shpalli pavarësinë e saj nga Serbia muajin e kaluar.

Politikanët pro-perëndimor në qeverinë e zotit Koshtunica dhe presidenti Boris Tadiç thonë se anëtarësimi i Serbisë në BE është vendimtar për të ndihmuar vendin që të kalojë situatën e vështirë ekonomike pas luftrave të viteve 1990 në ish-Jugosllavi. Ata thonë se ndonëse Serbia kurrë nuk do ta dorëzojë Kosovën, çështja e anëtarësimit në BE është çështje më vete.

Duke folur me gazetarët, zoti Koshtunica tha se ai dëshironte që votuesit serbë të zgjedhin drejtimin e ardhshëm të vendit të tyre.

“Një qeveri që nuk ka një qëndrim të përbashkët, sidomos për Kosovën, nuk mund të funksionojë”.

Zoti Koshtunica tha se do të propozojë si datë të zgjedhjeve të përgjithshme 11 majin. Ai e ka bërë të qartë se ai preferon të ruajë aleancën me Rusinë, e cila mbështet përpjekjet e Beogradit për ta mbajtur Kosovën si pjesë të Serbisë. Por ai ka mohuar se është kundër BE.

“Të gjitha partitë në Serbi janë në favor të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Europian. Por, Serbia mund të anëtarësohet në BE vetëm me Kosovën”.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, duke reaguar mbas njoftimit të dorëheqjes së kryeministrit, tha se ai do të shpallë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Zoti Tadiç hodhi poshtë deklaratën e kryeministrit Koshtunica, se Serbia nuk ka një politikë të vetme për Kosovën. Presidenti Tadiç përsëriti qëndrimin e tij se Kosova është pjesë e Serbisë.

“Kosova dhe Metohija është natyrisht pjesë e pandarë e vendit tonë. Mendoj se qeveria serbe nuk ka një qëndrim të bashkuar lidhur me perspektivat evropiane dhe ekonomike të Serbisë dhe të qytetarëve të saj”.

Presidenti Tadiç është kundër lidhjes së anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian me çështjen e Kosovës, e cila është njohur si shtetet i pavarur nga disa vende kryesore të BE-së, përfshirë Britaninë, Francën dhe Gjermaninë.

“Qytetarët e Serbisë meritojnë një jetë më të mirë dhe begati ekonomike, që është e mundur vetëm në Bashkimin Evropian. Jam gjithashtu i bindur se Kosovën tonë do ta mbrojmë nga shkëputja vetëm nëpërmjet integrimit në Bashkimin Evropian”.

Zyrtarë të lartë në Kosovë shfaqën shpresën se në zgjedhjet e ardhshme e të parakohshme, votuesit e Serbisë do t’ia lënë të kaluarën historisë, megjithëse shumica e serbëve e konsiderojnë Kosovën zemrën e historisë së Serbisë. (ze)

XS
SM
MD
LG