Lidhje

Thaçi: Pavarësia e Kosovës demokratizon edhe Serbinë


Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha sot se zhvillimet e rëndësishme në Kosovë kanë ushtruar gjithmonë ndikim në demokratizimin e Serbisë. Duke komentuar zhvillimet e fundit në skenën politike të Beogradit, kryeministri Thaçi tha se në vitin 1999 kur është larguar pushteti serb nga Kosova ka filluar rënia e Sllobodan Millosheviqit, ndërsa tash me pavarësimin e Kosovës ka rënë edhe Vojislav Koshtunica dhe e kaluara në Serbi. Zoti Thaçi përuroi sot një tabelë që shënon vijën kufitare me Serbinë dhe i bëri thirrje Beogradit të njohë Kosovën.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se zhvillimet historike në Kosovë kanë ndikuar gjithmonë në procesin e demokratizimit të Serbisë. Ai i bëri këto komente në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdare duke përuruar tabelën që shënon hyrjen në Kosovë.

Duke komentuar zhvillimet e fundit në skenën politike serbe pas paralajmërimit të rënies së qeverisë së Beogradit dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, kryeministri Thaçi tha se zhvillimet e rëndësishme në Kosovë gjithmonë kanë ushtruar ndikimin e tyre edhe në zhvillimet në Serbi. “Edhe në vitin 1999 kur e kemi larguar ushtrinë, policinë dhe administratën e Serbisë nga Kosova, ka filluar rënia e (Slobodan) Millosheviqit. Edhe tash me pavarësimin e Kosovës ka rënë edhe Koshtunica, thjeshtë ka rënë e kaluara, mentaliteti i së kaluarës në Serbi. Duam të besojmë se do të jetë kështu.”, tha kryeministri Thaçi.

Beogradi dhe serbët lokal reaguan me zemërim ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në veriun e vendit po mbahen protesta të përditshme kundër këtij vendimi të Prishtinës, ndërsa disa vendkalime kufitare ishin skenë e protestave të dhunshme.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha sot se njohja e kufirit nga Serbia është veprim me domethënie për njohjen e së ardhmes evropiane të Serbisë. Ai tha se edhe Serbia edhe Kosova si dy shtete të veçanta do të jenë pjesë Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ndërsa u angazhua për siç tha ai, liberalizimin, demokratizimin dhe hapjen e kufijve në rajon. “Politika shtetërore e Kosovës është politikë e fqinjësisë së mirë, e respektit, e paqes dhe stabilitetit. Kjo plakë simbolizon pllakën shtetërore të kufirit të shtetit më të ri, të Kosovë, që ndan të kaluarën me të ardhmen, izolimin me hapje të perspektivës për integrim” tha ai.

Kryeministri Thaçi nënvizoi sot sërish se tërësia tokësore e Kosovës është e pacenueshme dhe e garantuar, një qëndrim ky që është përsëritur ditëve të fundit edhe nga autoritetet ndërkombëtare, pas vlerësimeve se zhvillimet në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe janë përpjekje për të krijuar një vijë ndarëse të Kosovës. //rd//

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG