Lidhje

Bajden: Çështja e emrit të mos bëhet pengesë për ftesat në NATO


Kryetari i komisionit të senatit amerikan për marrëdhënie me jashtë i bëri thirrje Greqisë dhe Maqedonisë që të zgjidhin mosmarrëveshjen për çështjen e emrit për të mos penguar anëtarësimet e reja në NATO. Xhozef Bajden tha dje në një seancë të komisionit se nëse mosmarrëveshja nuk zgjidhet, kjo nuk duhet të ndikojë te vendimi për anëtarësimin e Shqipërisë dhe të Kroacisë. Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia janë vendet që shpresojnë të marrin ftesën për anëtarësim në samitin e Bukureshtit në prill të këtij viti.

Në seancën e zhvilluar mbrëmë, kreu i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Xhozef Bajden, shprehu bindjen se NATO-ja duhet t’i hapë dyert çdo vendi që përmbush kriteret e anëtarësimit. “Nga pikëpamja strategjike, anëtarësimi i Kroacisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë në NATO do t’a sillte Ballkanin më pranë Evropës. Sipas mendimit tim, kjo do të forconte sigurinë rajonale.”

Senatori Bajden i bëri thirrje Greqisë dhe Maqedonisë të zgjidhin mosmarrëveshjen në lidhje me emrin e Maqedonisë, e cila përbën pengesën kryesore për anëtarësimin e kësaj të fundit në NATO.

Sidoqoftë, tha zoti Bajden, kjo nuk do të thotë se këto tre vende duhet të hyjnë në aleancë si një bllok i vetëm. Sejcili nga vendet aspiruese duhet të gjykohet në bazë të meritave përkatëse. “Nëse nuk arrihet një marrëveshje mes Greqisë dhe Maqedonisë para samitit të Bukureshtit, ky dështim nuk duhet të ndikojë tek vendimi për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë.”

Senatori republikan Riçard Lugar e mbështeti mendimin e zotit Bajden për ftesën ndaj tre vendeve ballkanike në samitin e Bukureshtit. “Në samit aleanca duhet të ftojë Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë për t’u anëtarësuar në NATO. Sejcili nga këto vende po punon shumë për të përmbushur kërkesat për anëtarësim.”

Senatori Lugar tha se këto vende kanë rëndësi gjeostrategjike për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan. Ato, tha zoti Lugar, kanë treguar përkushtimin e tyre duke kontribuar me trupa në kuadrin e misioneve të aleancës.

Zëvendës sekretari amerikan i shtetit për çështjet politike Daniel Frid tha se zgjerimi i NATO-s ka qenë dhe vazhdon të jetë histori suksesi, si në teori ashtu edhe në praktikë. Zoti Frid theksoi kontributin e forcave të NATO-s, përmes KFOR-it, në sigurinë dhe stabilitetin e shtetit të ri të Kosovës. Udhëheqësit e Kosovës, tha ai, po punojnë për rindërtimin e vendit të tyre dhe për bashkëpunimin me pakicat serbe në vend.

Ne duhet t’i ndihmojmë vendet e Ballkanit, tha zoti Frid, t’i lënë pas konfliktet e viteve 90 dhe të stabilizojnë dhe demokratizojnë shoqëritë e tyre. “Për ta përfunduar këtë proces, administrata e Shteteve të Bashkuara mbështet fuqishëm aspiratat e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë për t’u anëtarësuar në NATO.”

Shqipëria, tha zoti Frid, ka bërë përparim të dukshëm në luftën kundër korrupsionit, në reformën gjyqësore dhe përpjekjet për transparencë në drejtësi.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po përpiqen të arrijnë një konsensus me vendet e tjera evropiane anëtare të NATO-s për t’i ftuar tre vendet aspiruese të Ballkanit në aleancë. Ёshtë e vështirë, tha zoti Frid, t’u mohosh të drejtën e anëtarësimit demokracive të reja. //af

XS
SM
MD
LG