Lidhje

Shqipëria në raportin e Departamentit të Shtetit mbi të Drejtat e Njeriut


Në raportin e tij të përvitshëm për të drejtat e njeriut Departamenti i Shtetit thekson se gjatë vitit 2007, qeveria e Shqipërisë përgjithësisht i ka respektuar të drejtat e njeriut, megjithatë raporti ve në dukje një sërë problemesh si ato me gjakmarrjen, keqtrajtimin e të burgosurve dhe të ndaluarve nga policia, kushtet e dobta sanitare në burg, apo qendrat e ndalimit, korrupsionin mes radhëve të policisë, diskriminimin ndaj grave, fëmijëve e pakicave, si dhe trafikun njerëzor.

Në raport theksohet se ka shifra të ndryshme përsa i përket përhapjes së gjakmarrjes. Ndërsa Ministria e Brendshme njofton se nga 96 vrasje gjatë 2007, vetëm 2 ishin me motive gjakmarrjeje, duke theksuar se si rezultat i shtimit të hetimeve këto raste kanë rënë, Komiteti për Pajtimin Kombëtar, një organizatë jo-qeveritare, citon në raportet e tij nivele të larta të aktivitetit të gjakmarrjes, përfshirë rreth 1 mijë familje të ngujuara në shtëpitë e tyre nga frika e hakmarrjes.

Raporti i Departamentit të Shtetit thekson se ndonëse kushtetuta e Shqipërisë ndalon torturën dhe trajtimin çnjerëzor të të pandehurve, raste të kësaj natyre ende vazhdojnë. Sipas organizatave shqiptare që ndjekin të drejtat e njeriut, rastet më të përhapura të keqtrajtimeve nga policia vërehen gjatë periudhës së paraburgimit.

Gjendja në burgje, thuhet në raport, nuk përputhet me standartet ndërkombëtare. Një prej problemeve është mbipopullimi i burgjeve. Raporti thekson se në përgjithësi puna e organeve të rendit është e dobët dhe si shkaktarë kryesorë që pengojnë krijimin e një force të efektshme policore mbeten korrupsioni mes radhëve të policisë dhe qëndrimet jo-profesionale. Nga ana tjetër, thuhet në raport, presioni politik, kërcënimet, korrupsioni i përhapur dhe burimet shpesh të kufizuara, pengojnë funksionimin e një sistemi drejtësie të pavarur dhe të efektshëm.

Një ndër problemet e tjera të mëdha në Shqipëri, thuhet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, mbetet çështja e kthimit të pronave të konfiskuara gjatë viteve të regjimit komunist. Sipas drejtorit të Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, në buxhetin e viteve 2007-2008 janë parashikuar 11 milion dollarë për kompensimin e pronave. Kostoja totale për kompensimin e ish pronarëve është llogaritur në 3, 5 miliardë dollarë.

Lidhur me lirinë e të shprehurit raporti thekson se ndërsa shtypi është i lirë e i pakufizuar, ka patur probleme serioze me përdorimin e shtypit për qëllime politike dhe gazetarët që vetë-censurohen. Lidhur me korrupsionin, raporti i Departamentit të Shtetit thekson se megjithë disa arrestime zyrtarësh të lartë, korrupsioni në Shqipëri mbetet problem serioz për realizimin e reformave.

Në aspektin social, thuhet në raport, një prej problemeve me të cilat ndeshet Shqipëria është dhuna familjare ndaj grave. Në muajin nëntor, OSBE-ja vuri në dukje se dhuna në familje ishte shumë më e përhapur se ajo e raportuar dhe ajo nuk hetohet sa duhet. Po ashtu në raport theksohet se sipas ligjeve të Shqipërisë, prostitucioni është i ndaluar, por ai vazhdon të mbetet problem, ngacmimet sekssuale po ashtu janë të ndaluara me ligj, por ligji zbatohet rallë herë për raste të tilla.

Shqipëria thuhet më tej në raport mbetet një vend burim i trafikut të grave dhe fëmijëve për shfrytëzim seksual dhe punë të detyruar, ndonëse këto fenomene kanë shënuar rënie krahuar me vitetet e kaluara.

KOSOVA

Në pjesën për Kosovën, raporti i Departamentit të Shtetit thotë se UNMIK-u dhe qeveria përgjithësisht i respektuan të drejtat e njeriut të qytetarëve por ka patur probleme në disa aspekte, sidomos ato që lidhen me popullatën pakicë.

Ndër më seriozet, thekson raporti, ishin rastet e dhunës me motive politike dhe etnike, plagosjet nga predhat dhe minat e pashpërthyera, paraburgimet e gjata për personat e ndaluar dhe mungesa e proceseve të rregullta juridike.

Raporti identifikon mes problemeve edhe korrupsionin dhe ndërhyrjet e qeverisë tek gjyqësori, antipatinë ndaj serbëve dhe Kishës ortodokse Serbe, mungesën e përparimit në kthimin e personave të zhvendosur brenda vendit si dhe korrupsionin në qeveri.

Probleme të tjera sipas raportit kanë qenë dhuna dhe diskriminimi ndaj grave si dhe trafiku i qenieve njerëzore sidomos i grave dhe vajzave për shfrytëzim seksual.

Pjesa e raportit për Kosovën identifikon gjithashtu dhunën dhe abuzimet kundër komuniteteve pakicë, diskriminimin ndaj personave fizikisht të paaftë, abuzimin ndaj homoseksualëve si dhe punën e fëmijëve në sektorin informal.

MAQEDONIA

Në pjesën për Maqedoninë, raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut thotë se abuzimi nga policia i personave të dyshuar vazhdoi të mbetet problem dhe ka patur akuza për ngacmime të pakicave etnike nga policia. Megjithatë, thuhet në raport, autoritetet morën masa për të forcuar mbikqyrjen ndaj forcave të policisë.

Korrupsioni në ministrinë e brendëshme dhe të drejtësisë si dhe presioni politik i ushtruar mbi to, mbi gjykatat dhe mbi zyrën e prokurorit, e kanë penguar hetimin dhe ndjekjen ligjore rreth disa akuzave për shkelje të të drejtave të njeriut. Trafiku i qenieve njerëzore vazhdoi edhe gjatë vitit 2007 megjithëse vemendja e shtuar e qeverisë ka bërë që të ketë një rënie të dukshme të disa formave të trafikut.

Diskriminimi ndaj pakicave etnike, sidomos ndaj romëve, vazhdoi të jetë problem, megjithatë tensionet mes popullsisë maqedonase dhe asaj shqiptare vazhduan të ulen. Në raport thuhet gjithashtu se edhe gjatë vitit 2007, shqiptarët vazhduan të mos përfaqësohen sa duhet në ushtri dhe në polici. //ad//

XS
SM
MD
LG