Lidhje

Robotë japonezë me shumë veti njerëzore


Në shkurt, Qendra Kenedi në Uashington festoi kulturën, artin dhe teknologjinë japoneze gjatë festivalit “Japonia! Kultura tradicionale dhe ajo e brezit të ardhshëm.” Festivali që zgjati thuajse dy javë përfshinte pjesë teatrale, muzikë, modë dhe arkitekturë japoneze së bashku me disa nga arritjet teknologjike të vendit në fushën e robotëve. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, këta robotë kanë shumë cilësi njerëzore.

Një kompjuter që mendon vetë, përkundër komandave të njeriut, ishte skenari i një filmi të famshëm të Hollivudit. Por ndryshe nga filmi “2001: A Space Odissey” i Stenli Kubrik, ky robot japonez është programuar ta lehtësojë jetën e njeriut dhe veçanërisht të atyre me mundësi të kufizuara fizike.

Synimi i krijimit të robotit ASIMO, të ngjashëm me njeriun, është për ta vënë atë në përdorim në ndihmë të të moshuarve, apo njerëzve të sëmurë.

“ASIMO" është akronimi i termit "Hap i Avancuar në Lëvizshmërinë Novatore.” Por nuk është vetëm emri që e bën ASIMO-n kaq unik. Ky robot i prodhuar nga firma e makinave "Honda" mund të vrapojë, të ecë lart e poshtë shkallëve, e madje edhe të kërcejë. Alicia Jones thotë se ASIMO ka një të ardhme të shkëlqyer përpara:

“Ky robot ka teknologji që e mundëson të njohë mjedisin përreth si dhe zërin. Pra nëse e merr ASIMO-n në shtëpi, mund ta programosh të njohë zërin tënd dhe t’u përgjigjet urdhërave tuaja.”

Por mos u entuziazmoni menjëherë. Megjithëse janë prodhuar disa robotë ASIMO, ata nuk janë nxjerrë ende në shitje. Honda nuk i ka vënë çmimin akoma. Megjithatë, një nga këta robotët e vegjël mund ta marrësh në shtëpi.

Mitsubishi, firma tjetër e makinave, e ka vënë robotin Wakamaru të punojë në spitale. Ky robot mund ta çojë pacientin kudo. Kjo është detyra më e lehtë për të. Megjithatë, roboti Wakamaru arriti të zinte shoqëri në Uashington. Sigurisht, që edhe në botën tonë moderne të teknologjisë së avancuar pamja është gjithçka. Një nga mjetet më të reja të reklamimit japonez është robotja recepsioniste.

Ёshtë interesante, megjithëse e çuditshme. Duket se këta robotë i kemi parë në një nga seritë e filmit "Startrek".//lk

XS
SM
MD
LG