Lidhje

UNMIK-u i bën thirrje Serbisë të respektojë Rezolutën 1244


Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë i kanë bërë thirrje qeverisë së Beogradit që t’u përmbahet qëndrimeve të saj për respektimin e mandatit të administratës së Kombeve të Bashkuara dhe të mos ndërhyjë në punët e saj në Kosovë.

Duke iu referuar deklaratave të ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremic, dhënë dje në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se qeveria Serbe vazhdon ta njoh misionin e kësaj organizate në Kosovë, zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexandër Ivanko, tha se Beogradi duhet të respektojë mandatin e këtij misioni dhe t’u japë fund ndërhyrjeve që kanë ndodhur posaçërisht në veriun e Kosovës.

“Serbia duhet të respektojë zonën e ndarë doganore në Kosovë dhe do të ndihmojë UNMIK-un në mënyrë konstruktive në rivendosjen e doganës në portat 1 dhe 31. Serbia do të ndërpresë çdo rritje të mëtejshme të strukturave paralele në Kosovë të cilat nuk janë të autorizuara nga UNMIK-u. Serbia duhet të mbështes policinë e UNMIK-ut dhe Shërbimin Policor të Kosovës dhe të na ndihmojë që të gjithë zyrtarët serb të këtij shërbimi të kthehen në punë... Serbia duhet të respektojë mandatin e UNMIK-ut për zgjedhjet, sipas rezolutës 12 44 se vetëm UNMIK-u mund të organizojë zgjedhjet në Kosovë. Serbia duhet të sigurojë se asnjë serb i Kosovës nuk do të frikësohet-kërcënohet në Kosovë”, thotë zoti Ivanko.

Zyrtarët e UNMIK-ut përsëritën sot qëndrimin se derisa rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit është ende e vlefshme, ky mision do të vazhdojë të ketë rol ekzekutiv në Kosovë.

Mirëpo, autoritetet vendase mendojnë se UNMIK-u është në fazën e zbehjes, e jo të forcimit të rolit të tij. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, thotë se periudha kalimtare e bartjes së përgjegjësive nga administrata ndërkombëtare tek institucionet e Kosovës ka filluar me shpalljen e pavarësisë nga Parlamenti i Kosovës më 17 shkurt, dhe se që nga kjo datë institucionet e Kosovës ushtrojnë pushtetin në vend.

Në Kosovë janë institucionet kosovare. Kanë segmente të ushtrimit të pushtetit edhe UNMIK-u dhe EULEX-i dhe prania ndërkombëtare civile, Bartja e kompetencave të rezervuara të UNMIK-ut do të ndodh dhe po ndodh tek institucionet vendore jo tek institucionet tjera, e jo tek prania tjetër ndërkombëtare në Kosovë”, thotë zëvendëskryeministri Manaj.

Autoritete në Kosovë kanë tërhequr vërejtjen për paqartësitë që po shfaqen gjatë funksionimit të pranisë civile ndërkombëtare, por sipas tyre është me rëndësi administrimi i plotë i vendit.

Krahas UNMIK-ut dhe institucioneve vendase, në Kosovë po vendoset edhe misioni i ri i Bashkimit Evropian i cili duhet të jetë funksional në qershor të këtij viti. Deri atëherë priten shumë debate për mënyrën e funksionimit të pushtetit në Kosovë. //iç//

XS
SM
MD
LG