Lidhje

Maqedoni: PDSH-ja largohet nga koalicioni qeveritar


Kryesia e Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni vendosi sot të largohet nga koalicioni qeveritar. PDSH-ja ndodhej në koalicionin qeverisës që nga vjeshta e vitit 2006.

Kryetari i PDSH-së theksoi se kriza politike mund të jetë me pasoja dhe për marrëdhëniet ndër-etnike në vend. Ai u shpreh se partia e tij është partia e parë të shqiptarëve të Maqedonisë që largohet nga një koalicion qeveritar për arsye të idealeve dhe kërkesave të shqiptarëve. Largimi i PDSH-së mund të sjell rrëzimin e qeverisë Gruevski.

PDSH i kishte kërkuar kryeministrit Nikolla Gruevski që t’i përgjigjet pozitivisht kërksave për një ligj mbi përdorimin e gjuhës shqipe, të zgjidhet statusi i ish - pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të njihet sa më parë pavarësia e Kosovës, të miratohet një ligj i ri për flamurin, të shtohet numri i shqiptarëve në administratë si dhe të mbyllen katër rastet, të cilat Gjykata e Hagës ia ktheu organeve maqedonase të drejtësisë dhe që kanë të bëjnë me konfliktin e vitit 2001.

Kryeministri Gruevski nuk bëri asnjë koment rreth këtyre kërkesave dhe vendimit të PDSH-së për t’u tërhequr nga kabineti qeveritar.

Nga ana tjetër, vendimi i PDSH-së vetëm pak javë para takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Bukuresht, ka hasur në kritika të partive të tjera maqedonase. Partneri i tretë në qeveri, Partia e Re Social Demokratike ka thënë se PDSH-ja ndikohet më shumë nga interesa partiake se sa interesa shtetërore.

Ndërkohë, partia shqiptare e opozitës, Bashkimi Demokratik për Integrim ka hedhur poshtë zërat se do të hyjë në kabinetin Gruevski. Kjo parti ka paralajmëruar se pas samitit të Bukureshtit do të kërkojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

XS
SM
MD
LG