Lidhje

Eliot Spitzer, një karrierë kundër krimit e mbyllur me skandal


Guvernatori i Nju Jorkut Eliot Spitzer njoftoi dje dorëheqjen, vetëm pak ditë pasi u identifikua në shtyp si klient i një rrjeti prostitucioni. Akuzat ndaj tij u botuan të hënën në gazetën Nju Jork Times, e cila shkruante se guvernatori kishte shpenzuar mijëra dollarë për një prostitutë me të cilën takohej në një hotel në Uashington. Megjithëse ndaj tij nuk është ngritur padi për ndonjë vepër penale, zoti Spitzer pohon se ka shkelur detyrimet e tij ndaj familjes dhe popullit të New Yorkut.

Nën një presion të madh për të dhënë dorëheqjen, guvernatori i New Yorkut Eliot Spitzer doli para podiumit i shoqëruar nga bashkëshortja: "Më vjen shumë keq që nuk përmbusha standartet që priteshin prej meje. U kërkoj ndjesë të gjithë banorëve të New Yorkut dhe atyre që besonin në objektivat që u përpoqa të arrij."

Skandali plasi të hënën pas njoftimeve se guvernatori Spitzer kishte qenë objekt i një përgjimi të FBI-së pasi dyshohej se i kishte paguar mijëra dollarë një rrjeti prostitucioni. Dokumentat në disponim të hetuesve e identifikonin Spitzerin si “klienti 9,” një klient që kishte frekuentuar disa herë shërbimet e “Klubit të Perandorit,” një rrjet prostitucioni që vepron në New York, Londër dhe Paris.

Publikimi i këtyre fakteve i shtangu shumë new-jorkezë. "Nuk mendoj se duhet të përzihemi në jetën private të njerëzve. Megjithatë më shtangu fakti që ai kishte menduar se nuk do të kapej," thotë një banore.

Pas dorëheqjes së tij filluan të dalin hollësi të reja për marrëdhëniet e zotit Spitzer dhe për prostitutën me të cilën ai kishte pasur marrëdhënie. Një gazetë e identifikon atë si një 22-vjeçare nga Manhatani, me ambicje për t’u bërë këngëtare. Prostituta, e cila në profesionin e saj identifikohet me emrin “Kristen” është Eshli Aleksandra Dupre. Autoritetet thonë se Eliot Spitzer paguante mbi 4 mijë dollarë sa herë takohej me të.

Zoti Spitzer, i cili dikur njihej me nofkën “Sherifi i Wall Street” për përpjekjet e tij kundër korrupsionit në zonën financiare të New Yorkut, gjatë kohës që punonte si Prokuror i Përgjithshëm, bëri emër dhe karrierë duke u treguar i prerë në zbatimin e ligjit ndaj personave që i ndiqte penalisht. "Nuk pres më pak nga vetja. Prandaj sot po jap dorëheqjen nga posti i guvernatorit. Me kërkesë të zëvendës-guvernatorit Paterson, dorëheqja ime hyn në fuqi më 17 mars".

Megjithëse zëvendës-guvernatori David Paterson nuk njihet shumë jashtë New Yorkut, ai ka qenë senator në legjislaturën e këtij shteti për 20 vjet. Ai do të jetë i pari guvernator afrikano-amerikan i New Yorkut, dhe i pari person i verbër në Shtetet e Bashkuara që merr një post të tillë. Ligjvënësit në New York kanë premtuar të mbështesin zotin Peterson. Joseph Bruno është udhëheqës i shumicës në Senatin e New Yorkut: "Për sa i përket çështjes së Eliot Spitzerit, më vjen shumë keq për të shoqen dhe familjen e tij. Ai duhet t’i zgjidhë problemet e tij në mënyrën e vet, por ka ardhur koha që ne dhe të gjithë new-jorkezët të kapërcejmë këtë incident."

Eliot Spitzer mori postin e guvernatorit 14 muaj më parë pasi kishte marrë emër për qëndrimin e rreptë në luftë kundër krimit. Burime policore thonë se çështja e tij filloi pasi bankat vunë re pagesa të dyshimta nga llogaria bankare e zotit Spitzer dhe njoftuan autoritetet. //ad//

XS
SM
MD
LG