Lidhje

Berisha: Një numër i konsiderueshëm njerëzish mund të ketë vdekur nga shpërthimet afër Tiranës


Autoritetet në Shqipëri thonë se të paktën 5 vetë kanë humbur jetën dhe rreth 200 janë plagosur nga një seri shpërthimesh në një depo municioni që ndodhet në afërsi të Tiranës.

Zyrtarët paralajmërojnë se numri i të vdekurve mund të jetë më i madh. Zyra e kryeministrit Sali Berisha tha se 110 punëtorë ishin duke punuar në depo kur ndodhi shpërthimi i parë.

Zoti Berisha tha se mendohet që një numër i konsiderueshëm njerëzish mund të kenë vdekur. Sipas dëshmitarëve, midis shpërthimit të parë dhe të dytë pati një vonesë prej 10 minutash, gjë që lejoi një numër punëtorësh të largoheshin.

Policia thotë se shkaku i shpërthimit nuk dihet ende por sipas burimeve, ekipet e punëtorëve ishin duke çmontuar municione në këtë bazë kur ndodhi shpërthimi i parë. Autoritetet evakuuan zonën pranë depos.

Forca e shpërthimit bëri që të thyeshin xhamat e dritareve në një zonë të gjerë duke përfshirë edhe aeroportin e Rinasit.

Ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu tha se vendi ka rreth 100 mijë ton municione të tepërta të mbetura nga sistemi komunist që janë të shpërndara në të gjithë vendin. //rd

XS
SM
MD
LG